1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë në prill

Në Kosovë, regjistrimi i popullsisë do të bëhet në dy javët e para të muajit prill, proces ky në të cilin parashihet të përfshihen edhe vendbanimet më shumicë serbe. Ky projekt ndihmohet nga BE.

Rifat Blaku, kryetar i Komisionit Qendror të Regjistrimit

Rifat Blaku, kryetar i Komisionit Qendror të Regjistrimit

Në Kosovë pas 30 vjetësh do të bëhet regjistrimi i popullsisë dhe i ekonomive familjare, proces ky që do të fillojë më një prill dhe do ta zgjasë dy javë. Komisioni Qendror për regjistrimin e popullsisë tashmë e ka përfunduar pyetësorin për raundin e ardhshëm të regjistrimit të popullsisë dhe ky pyetësor do t'u shpërndahet të gjithë kryetarëve të Komunave të Kosovës, e më pastaj ata do të formojnë komisionet komunale të regjistrimit të popullsisë.

Procesi i paqartë për serbët

Mirëpo, ende është e paqartë se si do të zhvillohet ky proces në zonat e banuara me shumicë serbe. Disa përfaqësues të komunitetit serb thonë se nuk ka kushte për regjistrim të popullsisë dhe në këtë linjë akuzojnë Prishtinën zyrtare se po synon përfitime politike. Por kryetari i Komisionit Qendror për regjistrimin e popullsisë, Rifat Blaku, thotë se ky proces nuk ka ngjyrime politike, sepse do të jetë i njëjtë në të gjithë teritorin e Kosovës.

“Projekti nuk është politik dhe nuk duhet të politizohet. Ne nuk jemi ata të cilët konstatojmë se kush dhe si do të pozicionohet, as më pak për serbët ose qëndrimet e një shteti tjetër”, thotë Rifat Blaku.

Mirëpo, sekretari i shtetit në ministrinë serbe për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç thotë për programin tonë se Serbia nuk mund ta pranojë një regjistrim të tillë, sepse sipas tij, kjo do të ishte e padobishme për të gjithë ata serbë që janë dëbuar nga Kosova.

“Bëhet fjalë për 200 mijë serbë, që jetojnë në Serbi ose në Mal të Zi. Ata njerëz nuk janë në pozitë të barabartë për regjistrimin e pronave dhe banesave të tyre. Sepse të regjistrojmë njerëzit, në njëfarë mënyre është e mundur, por banesat vështirë se mund të regjistrohen, nëse serbi nuk është në gjendje, apo nuk guxon që të jetë në pronën e tij dhe ta regjistrojë atë”, thotë Oliver Ivanoviç. Qeveria e Serbisë nga ana e saj ka njoftuar se nuk do ta bëjë regjistrimin e popullsisë në Serbi deri në vjeshtë të këtij viti. Në këtë linjë Oliver Ivanoviçi, mendon se regjistrimi i popullsisë në tërë rajonin e Ballkanit duhet të bëhet në të njëjtën kohë e në një situatë siç thotë, më të freskët.

Oliver Ivanovic

Oliver Ivanovic

Regjistrim i njëkohshëm?

“Nevoja për regjistrim është e madhe, por është e rëndësishme që të jetë rajonal dhe kur them tërë rajoni, mendoj ish-Jugosllavia, pa Slloveninë, por duke përfshirë edhe Shqipërinë. Kjo do të na jepte të dhëna relevante, sepse do të ishte një metodologji unike, një pyetësor unik dhe do të kishte mbikëqyrje të fuqishme të institucioneve evropiane dhe kjo do të jepte të dhëna për tërë rajonin dhe do të shmangej politizimi i këtij procesi”, thotë Oliver Ivanoviç.

Sidoqoftë, data e fillimit të regjistrimit të popullsisë në Kosovë tashmë është vendosur dhe ai do të ndodhë në dy javët e para të muajit prill të këtij viti. Për këtë projekt tashmë janë ndarë 11 milionë euro. Nga kjo shumë, 30 përqind janë siguruar nga buxheti i Kosovës, ndërsa 70 përqind do të mbështeten nga vendet anëtare të BE-së.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë ka ndodhur në vitin 1981. Dhjetë vjet më vonë, shqiptarët e Kosovës e bojkotuan këtë regjistrim, i cili ishte bërë nga Beogradi. Nga të dhënat e regjistrimit të këtij viti thuhej se në Kosovë ka rreth 200 mijë banorë serbë.´

Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 14.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zxkN
  • Data 14.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zxkN