1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Regjistrimi i popullsisë në Gjermani

Me 9 maj fillon në Gjermani regjistrimi i ardhshëm i popullsisë. Regjistrimi i fundit është bërë shumë kohë më parë, "fatmirësisht" thonë shumë gjermanë. Përse ky hezitim?

default

Kanë kaluar mbi 20 vjet që prej ribashkimit të Gjermanisë. Por sa njerëz jetojnë saktë në Gjermaninë lindore dhe perëndimore, çfarë shkollimi kanë ata dhe sa të mëdha janë banesat e tyre, nuk e di saktë askush. Kjo për faktin se regjistrimi i fundit i popullisë në Gjermani është bërë shumë kohë më parë. Në Republikën Demokratike të Gjermanisë në vitin 1981, ndërsa në Republikën Federale të Gjermanisë në vitin 1987.

Kundërshtime në mesin e popullsisë

Pllakatë me mbishkrimin: U ndalohet rreptësisht regjistruesve hyrja në sferën private

Pllakatë me mbishkrimin: U ndalohet rreptësisht regjistruesve hyrja në sferën private

Atëherë me qindra mijëra qytetarë të Gjermanisë Perëndimore patën bojkotuar regjistrimin e popullsisë. Ata kishin frikë nga "agresioni i shtetit" dhe frikë nga "keqpërdorimi i të dhënave". Vizioni i tmershëm quhej "qytetarë transparentë". Kritikët e regjistrimit gjetën përkrahje edhe tek disa parti. Në vazhdim një pjesë e shkëputur nga fjalimi i politikanit ekologjist Christian Ströbele në maj të vitit 1987 në parlamentin gjerman: "Në asnjë mënyrë sipas ligjit të ri qytetari nuk mund të jetë i sigurt që këto të dhëna sekrete edhe do të mbrohen."

Regjistrimi i popullisë në vitin 1987 u zhvillua pas një grindjeje disavjeçare. Qindra iniciativa qytetarësh ishin themeluar në vitin 1983 në kohën, kur duhej të fillonte regjistrimi i popullsisë. Po në të njëjtin vit Gjykata Kushtetuese e njohu të drejtën themelore, që secili të vendosë vetë për dhënien apo jo të të dhënave personale.

Çfarë i pengon gjermanët që të anketohen?

Politikani ekologjist Christian Ströbele

Politikani ekologjist Christian Ströbele

Refuzimi i gjerë në radhët e popullisë kishte të bënte sigurisht me situatën e atëhershme të acaruar në vend, por edhe trauma historike luante një rol: nazistët kanë qenë në gjendje të bëjnë përndjekjen sistematike të hebrenjve ndër të tjera, për shkak se posedonin të dhëna të besueshme të regjistrimit të popullsisë nga viti 1930.

Sot frika nga regjistrimi i popullsisë është më e vogël para së gjithash në mesin e të rinjve, të cilët janë shumë aktivë në platformat si facebook në internet. Sipas një sondazhi tre nga katër gjermanë mes moshës 18 dhe 29 janë për regjistrimin e popullisë. Dita zyrtare për fillimin e regjistrimit 2011 është 9 maji. Nga kjo datë do të mblidhen të ashtuquajturat të dhëna të rëndësishme strukturore, sqaron kryetari i Entit Federal të Statistikave, Roderich Egeler: "Të dhënat e regjistrimit janë themelet kryesore për vendimet politike dhe ekonomike të autoriteteve federale, të landeve dhe lokale. Numri zyrtar i banorëve është i rëndësishëm për rregullimin e barazimit të financave mes landeve dhe alokimit të mjeteve financiare nga landet nëpër komuna. Ndarja e zonave zgjedhore është një tjetër shembull i përfitimit praktik nga regjistrimi i popullsisë."

Si organizohet regjistrimi i popullsisë në Gjermani?

Jo të gjithë nga ndoshta 82 milionë njerëzit, që jetojnë në Gjermani, do të jenë në kontakt të drejtpërdrejtë me regjistrimin. 80 000 intervistuesit do të pyesin tetë milionë qytetarë të zgjedhur me short për moshën, gjininë dhe shtetësinë. Plotësimi i pyetësorit, i cili mund të bëhet edhe në internet, megjithatë nuk është krejt vullnetar. Kush nuk merr pjesë i duhet të paguajë dënimin. Të dhënat e miliona njerëzve të tjerë do të nxirren nga regjistrat e komunave dhe Agjenica Federale e Punësimit.

Kryetari i Entit Federal të Statistikave, Roderich Egeler

Kryetari i Entit Federal të Statistikave, Roderich Egeler

Ndërsa një pyetësor duhet të plotësohet edhe nga banorët e të ashtuquajturave seksione të veçanta. Se çfarë nënkuptohet me këtë, sqaron Annette Pfeiffer nga Enti federal i statistikave. "Seksione të veçanta janë strehimoret e përbashkëta, konviktet e studentëve, shtëpitë e pleqëve, por edhe burgjet dhe institucionet psikiatrike. Ne e dimë se të dhënat nuk janë aq të besueshme, sa që të mund të përdoren për freskimin e numrit zyrtar të banorëve. Për këtë arsye ne bëjmë në këto vende një regjistrim të plotë."

Grupi i tretë përfshin pronarët e shtëpive dhe banesave. Edhe ata duhet të plotësojnë një pyetësor. Kjo për faktin se deri tani ka pak të dhëna të përgjithshme mbi situatën e banimit në vend. Por ato janë të rëndësishme për të ditur se sa tuba uji, apo kopshte fëmijësh i nevojiten një qyteti. Përgatitjet për regjistrimin 2011 kanë filluar para dhjetë vitesh. Ndërkaq në prill të këtij viti filloi një fushatë sensibiluese me postera dhe reklama televizive. Kritikat publike për regjistrimin deri tani kanë qenë të kufizuara. Gjermanët duhet të mësohen ngadalë me regjistrimin e popullsisë. Sipas ligjeve të BE-së në të ardhmen regjistrimet e popullisë duhet të bëhen çdo dhjetë vjet. Ky është një standard i përcaktuar edhe nga Kombet e Bashkuara. Rezultatet e para të regjistrimit 2011 nuk mund të priten para fundit të vitit 2012. Deri atëherë regjistrimi i popullsisë do të ketë kushtuar rreth 710 milionë euro.

Autor: Kay-Alexander Scholz/Esat Ahmeti

Redaktoi: Angjelina Verbica