1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Regjistrimi i gjermanëve në bankën e të dhënave anti-terror pjesërisht kushtetues

Gjykata Kushtetuese Gjermane e ka shpallur konform kushtetutës bankën e të dhënave anti-terror, por ka kërkuar edhe përmirësime. Për këtë gjykatësit i dhanë kohë deri në 2015 qeverisë gjermane.

Gjykata Kushtetuese Gjermane i ka shpallur pjesërisht antikushtetuese rregullat për regjistrimin e qytetarëve në një bankë të dhënash anti-terror. Por bashkëpunimi i shërbimeve të fshehta dhe i policisë për luftimin e terrorizmit është parimisht i lejueshëm, thuhet në vendimin e shpallur në Karlsruhe.

Tani ligjvënësi duhet të krijojë një rregullore të re deri në 31.12.2014. Banka e përbashkët e të dhënave e organeve policore dhe e shërbimeve të fshehta u ngrit në 2007-n si konsekuencë e atentateve të 11 shtatorit 2001. Në të mblidhen informacione mbi keqbërësit violentë islamistë dhe personat e tyre të kontaktit, të cilëve shpesh as nuk u shkon mendja për keq. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme mbi 80 për qind e personave të prekur nuk jetojnë në Gjermani, po janë pjesë e organizatave islamike radikale jashtë vendit.

Ankimimi ishte bërë nga një gjykatës në pension. Ai shikonte në bashkëpunimin e autoriteteve një shkelje të detyrimit të ndarjes së punës së policisë nga ajo e shërbimeve të fshehta. Banka e të dhënave anti-terror ishte edhe shembull për bankën e të dhënave për ekstremizmin e djathtë, të cilën e ngriti Ministri i Brendshëm Hans-Peter Friedrich në vjeshtën e vitit të kaluar si konsekuencë e serisë së vrasjeve me prapavijë neonaziste.