1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Regjistrimi i diasporës kosovare

Sipas të dhënave të Agjencisë për Statistika të Kosovës, në vend jetojnë 1.739.825 banorë. Por regjistrimi i fundit nuk përfshin kosovarët që jetojnë në diasporë. Ministria e Diasporës ka nisur aksionin për regjistrim.

Qerim Bajrami, zëvendësministër për Diasporën në Kosovë konfirmon nisjen e procesit të regjistrimit të kosovarëve që jetojnë jashtë Kosovës, me ndihmën e Qeverisë dhe Agjencisë për Statistika. Ministria do të regjistrojë edhe shoqatat dhe strukturën nacionale në kosovarëve në diasporë.

“Jemi duke regjistruar individë, familje, shoqata, sipërmarrje dhe format e tjera të organizimit të kosovarëve në diasporë. Ekzistojnë katër formularë. I pari, për familjen. pastaj për individë, biznese dhe dhe shoqata. Formularët janë të shkruar në shqip, serbisht, boshnjakisht, në turqisht, gjermanisht dhe anglisht.

Ndërkohë që regjistrimi po bëhet në katër forma, thotë Bajarami dhe shpjegon: “Forma e parë bëhet me internet. Në media ekzistojnë të dhënat se si mund të gjenden formularët. Mundësia e dytë është që formularët në formën e shkruar të merren në përfaqësitë diplomatike të Kosovës si në ambasada, konsullata dhe në disa shoqata. Mundësia e tretë, që formularët të merren në vendkalimet kufitare me rastin e hyrjes apo daljes nga Kosova. Dhe së fundi, ekziston mundësia e marrjes së formularëve në komuna në Kosovë”.

Shkaqet e largimit dhe dallimet brenda diasporës

Individi apo familja mund të regjistrohen vetëm një herë. Formularët e plotësuar mund të dorëzohen në vendet e përmendura. Në dokumente është përcakkuar se çfarë do të thotë diaposrë dhe çfarë nënkuptohet me vendet e rajonit. “Bosnje-Hercegovina llogaritet si diasporë. Ndërkohë që të gjitha vendet që kufizohen me Kosovën: Serbia, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi, llogariten si vende të rajonit", shpjegon Bajrami.

Sipas të dhënave të kësaj ministrie, në diaporë jetojnë rreth një milion kosovarë, të renditur në disa kategori. Bajrami thotë se "diaspora e re", nënkupton gjeneratën e cila në vitet 60 dhe 70 është larguar nga vendi për shkaqe ekonomike”. Vala tjetër e shpërnguljeve ishte në kohën e shkatërrimit të RSFJ. Në formularë duhen shkruar edhe shkaqet e largimit.

“Të drejtën e regjistrimit e ka edhe disapora më e moshuar. Pra familjarët e personave që janë zhvendosur gjatë shekullit të fundit. Mund të regjistrohen edhe ata, të cilët janë zhvendosur për shembull në SHBA, që janë zhvendosur në mënyrë masive në Turqi gjatë viteve 50-të, por edhe më parë gjatë luftërave botërore. Ndaj është shumë me rëndësi që të regjistrohen. Këto të dhëna do të jenë të mbrojtura dhe do të përdoren vetëm në institucionet e Kosovës, për nevojat e tyre. Pra do të jenë në favor dhe jo në dëm të diasporës", pohon Bajrami

Kritikat ndaj regjistrimit

Lëvizja "Vetëvendosja" e ka kritikuar këtë regjistrim. Ata kanë plotësuar formularë me të dhëna fallso dhe i kanë dërguar në Ministri. Të dhënat menjëherë ditën e nesërme janë botuar në faqen e Ministrisë, edhe pse nuk janë korrekte.

Mimoza Dushi, profesore e demografisë në Universitetin e Prishtinës pohon se procesi ka shumë mangësi. “Gjatë regjistrimit të fundit në Kosovë në vitin 2011, shumë prej atyre që punojnë në vende të tjera janë regjistruar prej familjarëve. A nuk është ky një dyfishim i të dhënave? Një problem tjetër është që shumë persona që jetojnë në vendet e tjera nuk e kanë të zgjdhur çështjen e statusit. Regjistrimi është i obligueshëm, ndërsa në internet shkruhet se është vullnetar. Tek bizneset nuk ka ndonjë saktësim se ku punojnë personat që regjistrohen dhe a janë të integruar në shoqërinë ku jetojnë", thotë Dushi.

Behlul Beqaj, analist nga Kosova, mendon se "diaspora ka një rëndësi shumë të madhe për Kosovën, si në kuptimin politik ashtu edhe ekonomik."

“Shumë bashkëatdhetarë kanë krijuar vitet e kaluara lobi në vendet e tjera dhe kanë influencuar personalite të njohura politike, në veçanti në SHBA, siç është për shembull ardhja e dikurshme e senatorit Bob Dol në Kosovë. Ndaj duhet insistuar që diaspora të kyçet në jetën politike të Kosovës. Për këtë duhen bërë përgatitjet administrative në ambasada dhe kosullata, për të evituar përzierjen e elementeve të dyshimta që mund të dëmtojnë diasporën dhe proceset e brendshme në Kosovë", pohon Beqaj. Ai rikujton se remitancat e diasporës janë dikur rreth 600 millionë euro në vit, që është gati sa gjysma e buxhetit të Kosovës.