1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Refugjatët romë nga Kosova në Maqedoni

Në Maqedoni ndodhen të regjistruar mbi 1600 refugjatë kosovarë me prejardhje rome. Një pjesë e konsiderueshme e refugjatëve ende nuk e ka të rregulluar statusin e qëndrimit në Maqedoni.

default

Në Maqedoni është miratuar një pako e dispozitave ligjore të cilat i mbulojnë sferat ligjore të nevojshme për vërtetimin e tendencave në legjislacionin e Maqedonisë në lidhje me refugjatët dhe të huajt. "Të drejtat e refugjatëve nga fusha e mbrojtjes sociale, shëndetësore, arsimit dhe qasja në tregun e punës janë të regulluara me ligjin për azil dhe mbrojtje të përkohshme," thotë Erzana Jakupi zëdhënëse në Ministrinë për punë dhe politikë sociale.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë një numër i konsiderueshëm i romëve kosovarë kanë qenë strehuar me statusin e refugjatit në Maqedoni. Edhe pas 11 viteve të përfundimit të luftës, sipas të dhënave të UNHCR-së në Maqedoni ndodhen të regjistruar 1617 refugjatë. “Prej tyre 24 janë me status të pranuar të refugjatëve, 1040 persona me status të mbrojtjes subsidiare, 75 janë persona azil kërkues, ndërsa 470 personave iu është refuzuar kërkesa për azil nga të gjitha organet, por ndodhen në përkujdesje të UNHCR-së,“ thotë Erzana Jakupi.

Refugjatë duke ikur nga Kosova në Maqedoni, 1999

Refugjatë duke ikur nga Kosova në Maqedoni, 1999

Refugjatët trajtohen njësoj

Me pakon e re të ligjeve prej 1 janarit të këtij viti, refugjatët me status të regulluar kanë kaluar në tërësi nën përkujdesjen e Ministrisë për punë dhe politikë sociale. “Me ndryshimet e fundit të ligjit për azil dhe mbrojtje të përkohshme, refugjatët në bazë të të drejtave dhe obligimeve për realizimin e mbrojtjes sociale, trajtohen tërësisht në mënyrë të barabartë, sikurse edhe vetë shtetasit e Republikës së Maqedonisë,”-thotë Erzana Jakupi.

Sali Kryeziu me familjen e tij 7 anëtarëshe plot 11 vite qëndron në Maqedoni me statusin e refugjatit kosovar. Me këtë status ai nuk është aspak i kënaqur, ndihmat financiare që i marrin për çdo muaj nuk i mjaftojnë për një jetë normale, thotë ai. “Nuk e di se si mund të jetohet vetëm me një ndihmë sociale, nuk kemi kulm mbi kokë, me atë ndihmë që marim nuk arimë të paguajmë qeranë, rrymën, ujin, nuk arrimë dot t`i dalim obligimeve familjare deri në fund të muajit, kjo është shumë e vështirë,” thotë Sali Kryeziu.

Kërkohet më shumë siguri

Refugjatët romë nga Kosova përveç në Shkup janë të strehuar edhe në Tetovë, Kumanovë dhe Veles. Ne mesin e tyre ka persona që dëshirojnë vullnetarisht të kthehen në Kosovë, por kërkojnë nga institucionet e Kosovës që të jenë të sigurtë pas kthimit të tyre atje. “Kosova nuk është stabile për të bërë një jetë të përbashkët sikurse ka qenë më parë, ka shumë nga refugjatët që janë kthyer, kemi kontakte me ta, ata nuk janë të sigurtë, ata shumë janë penduar që janë kthyer në Kosovë”, thotë Sali Kryeziu.

Refugjatët romë nga Kosova kërkojnë nga UNHCR dhe institucionet e Maqedonisë që të shqyrtohet mundësia që ata të kenë të drejtë me statusin e njëjtë të vendosen edhe në ndonjë shtet të Evropës Perendimore, derisa në Kosovë do të krijohen kushte të sigurta për kthimin e tyre.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 07.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OCvk
  • Data 07.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OCvk