1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Refugjatët nuk mund të shpallen përgjegjës për sulme terroriste

A është migrimi në Gjermani shkaktari i rrezikut nga terrorizmi? A do të ishte Evropa më e sigurt po të mos i pranonte refugjatët? Ky debat vetëm të largon nga problemi i vërtetë, mendon Verica Spasovska.

Një reagim i tillë mund të parashikohej: pas sulmeve terroriste në Bruksel po paraqiten shumë politikanë nga mbarë Evropa, për të vendosur lidhje mes sulmeve terroriste dhe numrit të shtuar të refugjatëve në Evropë. Kryeministrja polake Beata Szydlo thotë tani "se nuk do të pranojë asnjë refugjat". Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto konstaton hapur se rreziku nga sulmet terroriste është rritur me "ardhje të pakontrolluara" të refugjatëve. Edhe politikanë të djathtë perëndimorë pohojnë se sulmet terroriste kanë lidhje me rritjen e numrit të migrantëve. Si për shembull, politikania e AfD, Beatrix Storch. Këtu harrohet se atentatorët e Brukselit nuk kanë kurrfarë lidhjeje me valën e refugjtëve. Ata kanë lindur në Beligjikë dhe janë shtetas të atij vendi.

Jusitfikimi

Vendosja e lidhjes së terrorizmit në Belgjikë me numrin e shtuar të njerëzve që vijnë në Evropë është vetëm justifikim i mirëpritur, për të hedhur përgjegjësinë për mungesën e solidaritetit, si për shembull në Poloni, e cila nuk është e gatshme të pranojë as 400 refugjatë. Për gjithë vitin 2016, kuptohet. Me deklarata të tilla, mund të shënohen pikë tek zgjedhësit në vend. Kështu sugjerohet se do të ketë më shumë siguri, nëse nuk pranohet asnjë refugjat. E ajo që është edhe më keqe: kjo është fyerje për njerëzit në gjendje të rëndë. Ata po ikin nga vendlindja e tyre për të shpëtuar jetën. Dhe shpresojnë se fëmijët e tyre do të kenë një jetë më të mirë në Evropë. Ndaj është e kuptueshme që shumë refugjatë tani kanë frikë se do të trajtohen si terroristë.

Sulmet e tilla kundër refugjatëve u shkojnë për dore terroristëve. Qëllimi i organizatës terroriste "Shteti Islamik" është që të përçajë edhe më shumë myslimanët dhe jo myslimanët në Evropë dhe që sa më shumë myslimanë të radikalizohen. Sa më shumë që myslimanët ndahen prej shoqërive multietnike, aq më të mëdha janë shanset për radikalizimin e tyre. Kështu Kalifatit mund t'i bashkohen edhe më shumë atentatorë vetëvrasës, që përpiqen të destabilizojnë shoqëritë perëndimore. IS shpreson se kështu mund të shtrijë pushtetin e tij.

Përgjegjësia e organeve të sigurisë

Ai që refugjatët i fut nën dyshim të përgjithësuar, duhet të mendojë se kjo më së shumti i përgjigjet demagogëve të IS. Sepse vetë fakti që qindra mijëra njerëz ikin nga rajonet e kontrolluara prej IS, tregon se ata nuk janë dakord me regjimin e terrorit. Fakt është që IS e ka shfrytëzuar për qëllimet e veta regjistrimin kaotik të refugjatëve në vjeshtën e vitit të kaluar, për të kontrabanduar terroristë në Evropë. Detyra e organeve të sigurisë është që të evitojë futjen e terroristëve të tillë dhe kryerjen e sulmeve terroriste.

Mangësitë në luftën kundër terrorizmit

Verica Spasovska

Verica Spasovska

Organet e sigurisë kanë dështuar në këtë drejtim, në veçanti ato belge. Sa më shumë detaje qe dalin në dritë, aq më e qartë bëhet gjendja e mjeruar e këtyre shërbimeve. Ato kanë injoruar të dhënat për vendstrehimin e terroristëve dhe kanë injoruar paralajmërimet nga Turqia. Me muaj të tërë ka zgjatur deri në arrestimin e të dyshuarit kryesor për sulmet terroriste në Paris, edhe pse ai banonte në qendër të Brukselit. Pse është liruar para kohe nga burgu njëri prej atentatorëve në aeroportin e Brukselit? Si është e mundur që një kriminel i thjeshtë të radikalizohet në burgjet e Belgjikës dhe të bëhet xhihadist fanatik? Si është e mundur që të lirohet para kohe përkundër prognozave të këqija?

Sulmet e fundit terroriste në Belgjikë duhet të shfrytëzohen që më në fund të evitohen mangësitë në luftimin e terrorizmit. Më shumë personel, komunikim më i mirë mes autoriteteve, shkëmbim i informacioneve mes shërbimeve - këto janë gjërat që duhet bërë menjëherë. Ai që fajëson refugjatët, vetëm largon vëmendjen nga problemet esenciale në luftën e Perëndimit kundër terrorit islam.