1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Refugjatët në Gjevgjelija në rresht për dy drejt BE-së

Imazhet nga kufiri maqedonas u bënë simbol i krizës. Dhjetra-mijëra refugjatë u ndeshën me policinë kufitare, që reagoi me gaz lotsjellës e shkopinj gome. Por me qendrën e tranzitit synohet tani përmirësimi i gjendjes.

Ai gjendet tani në qendrën e re të tranzitit në pikëkalimin kufitar Gevgelija në Maqedoni dhe pret të vazhdojë udhëtimin e tij. Destinacioni i deklaruar i të riut, ashtu si edhe për të gjithë 7000 refugjatët në këtë ditë është: "Germany" – Gjermania. Para se të arratisej, Rezaee punonte si përkthyes për ushtrinë gjermane në provincën afgane Kundus – derisa ushtarët gjermanë u tërhoqën prej andej. "Pastaj erdhën talibanët dhe na e bënë jetën ferr mua dhe familjes sime", e përshkruan Bargalai Rezaee situatën që e detyroi atë të arratisej. Por përpara se të fillojë një jetë të re në Gjermani, ai duhet të bëjë ende shumë rrugë. Pas dy muajsh arratie, plot frikë, kaos dhe mungesa të çdo lloji, këtu në Maqedoni për çudi gjithçka po ecën vaj, tregon ai. Në fillim Rezaee u regjistrua, pastaj pati ushqim dhe mundësi për një dush të ngrohtë. Pas pak ai do të largohet nga qendra e tranzitit i shoqëruar nga policët kufitarë, së bashku me grupet e vogla të refugjatëve të vendosur në rresht për dy. Destinacioni: një nyjë qarkullimi e improvizuar në fund të një rruge pa asfalt dhe me pluhur. Atje ata i presin me qindra taksi, 40 autobuzë dhe 5 trena të posaçëm për t'i çuar drejt kufirit verior të vendit: drejt Serbisë.

Policia kufitare: "Ata nuk qendrojnë as tri orë këtu"

Gjoko Lazarev është përgjegjësi i policisë kufitare maqedonase për organizimin e qendrës së tranzitit. Prej disa javësh këtu po i kushtohet vëmendje e veçantë rregullit dhe disiplinës. Kjo sidomos për shkak të pamjeve krejt të ndryshme që qarkulluan në mbarë botën këtë verë: Policët kufitarë, të gjendur në vështirësi, godisnin me shkopinj gome refugjatët e sapo ardhur nga Siria, Iraku ose Afganistani. Vala e të nxehtit e bënte gjendjen edhe më të padurueshme. Shpesh vinin me dhjetra-mijëra refugjatë njëherësh – ndërkohë që në Maqedoni nuk kishte as minimumin e shërbimeve bazë të asistencës.

Por në shtator, në fushat jo shumë larg kufirit të gjelbër, u ngrit një qytet i vogël me çadra. Një e ashtuquajtur "qendër e përkohshme tranziti", ku 1500 refugjatë mund të regjistrohen, të marrin shërbimet bazë dhe nga ku ata mund të dërgohen drejt destinacionit të radhës. Një procedurë strikte, të cilën refugjatët e shohin më shumë si pengesë sesa si një masë të domosdoshme, thotë polici Lazarev. "Ata parapëlqejnë të hynë me 1000 vetë të tjerë njëkohësisht në qendrën e tranzitit dhe menjëherë, pas pesë minutash, të jenë të ulur në trenat drejt Perëndimit".

Hyrja legale e refugjatëve në Maqedoni u mundësua rishtasi vetëm përmes një ndryshimi në ligj. Me të mbërritur, ata kanë 72 orë kohë për t'u larguar nga vendi në mënyrë të organizuar dhe të kontrolluar apo për të kërkuar azil në Maqedoni. Por deri tani kjo e fundit nuk ka ndodhur në asnjë rast. "Tek ne refugjatët qëndrojnë mesatarisht jo më shumë se tri orë", thotë Lazarev, i cili duket qartë që është krenar për përmirësimin e gjendjes.

Alexandra Krause e UNHCR-së i jep atij të drejtë. Ajo është me origjinë gjermane dhe "zyrtare e lartë për mbrojtjen" pranë Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët. Sjellja ndaj refugjatëve ka ndryshuar ndërkohë për mirë në shumë pikëpamje. "Unë e shoh këtë edhe tek policët, në mënyrën se si ata i trajtojnë refugjatët dhe se si ata kanë mësuar madje edhe ndonjë fjalë arabisht, për ta bërë më mirë punën e tyre", thotë Krause duke i përgëzuar.

Probleme ka sidomos në marrëdhëniet e drejtpërdrejta me refugjatët afganë, sepse nga 10 përkthyesit në qendrën e tranzitit, vetëm njëri mund të merret vesh me to. "Këtu ka shumë që thonë se afganët sillen në mënyrë më agresive se të gjitha grupet e tjera të refugjatëve. Por unë kam përshtypjen se kjo është thjesht shprehje e zhgënjimit të tyre, sepse ata nuk e dinë me siguri se ku ndodhen dhe se përse u duhet të presin sërish."

Pritje ditë e natë në pikën kufitare nr. 59

Refugjatët e sapo mbërritur duhet të kenë shumë durim – sidomos në pikën kufitare nr. 59. Ajo ndodhet 600 metra larg qendrës së tranzitit dhe shënon kufirin e gjelbër midis Greqisë dhe Maqedonisë. Këtu sot, para një argjinature hekurudhore të vënë jashtë shërbimi, rreth 50 policë të kufirit kanë krijuar një mur njerëzor. Mes tyre dhe refugjatëve, që qëndojnë të ulur mbi tokë nga ana greke, ka tela me gjemba. Një punonjës i OKB-së, me jelek blu, u lutet refugjatëve që të bëjnë edhe pak durim, derisa edhe grupi tjetër prej 50 vetash të lihet të kalojë drejt qendrës së tranzitit. Një fëmijë i vogël, i veshur me një xhakavento shumëngjyrëshe dhe me sy që i shndrisin nga gëzimi, ia ndërpret fjalën. "Ok, ok, ok!" thotë ai, duke sjellë një rreze shprese dhe një çast gëzimi.

Rreth 2000 njerëz janë grumbulluar këtu sot, thotë punonjësi i OKB-së. Në ditët e kaluara, në të shumtën e rasteve, kanë qenë mbi 8000 apo më shumë njerëz, shton pastaj ai. Gjoko Lazarev i policisë kufitare maqedonase pret ardhje të tjera edhe sonte natën. Në varësi të asaj që do të vendosë policia greke. "Policët merren vesh drejtpërdrejt me njëri-tjetrin. Nuk ka një komunikim zyrtar apo një koordinim të mirëfilltë të gjendjes". Nëse BE-ja do t'i siguronte kufijtë e saj, atëherë nuk do të kishim këtë fluks refugjatësh në Maqedoni, për këtë është i sigurt Lazarev. "Dhe kufiri i BE-së, që duhet siguruar, nuk është këtu, por midis Turqisë dhe Greqisë."

Gjithnjë e më pak sirianë, gjithnjë e më shumë afganë

Fluksi i refugjatëve vazhdon ende pa ndërprerje. Ajo që ka ndryshuar dukshëm në javët e fundit, thotë Aleksandra Kraus e UNHCR-së, është origjina e tyre. Sipas shifrave të saj, në fillim të qershorit, 80 përqind e të gjithë refugjatëve në Gevgelija ishin sirianë – ndërkohë që vetëm rreth 7 përqind ishin afganë. Tani po ndodh e kundërta: "Mes refugjatëve ka kryesisht familje afgane", thotë Kraus. Kjo shkakton tension mes grupeve të ndryshme të refugjatëve. 25-vjeçari Faisel është arratisur së bashku me prindërit e tij nga Daara në jugperëndim të Sirisë. Zemërimi i tij kundrejt të gjithë atyre, të cilët po e shfrytëzojnë luftën civile në Siri për t'u arratisur për shkaqe ekonomike, është i dukshëm. Edhe ai është i bindur se rreth tij ka kryesisht refugjatë nga Irani, Afganistani, Algjeria dhe Maroku. "Çdokush ka të drejtë të largohet nga vendi i tij, nëse atje ka luftë", thotë Faisel. "Por, më thoni ju, ku është lufta në Algjeri".