1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Refugjatët kosovarë në Maqedoni

1.800 romë dhe ashkali kosovar qe 10 vite janë me status refugjati në Maqedoni. Shkupi zyrtar shpreson se pas vendosjes së mardhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Maqedonisë do të zgjidhet edhe çështja e refugjateve.

default

Fati i rëndë i refugjatit

10 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, në Maqedoni ende ka shumë të zhvendosur jo shqiptarë. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale kumtoi se në Maqedoni janë të regjistruar mbi 1.800 të zhvendosur nga Kosova - romë dhe ashkali. Refugjatët kanë statusin e personave nën përkujdesjen humanitare, i cili tashmë ka skaduar. Por ata ende mbeten në Maqedoni.

Afrim Berisha nga Kastrioti i Kosovës, në Maqedoni jeton si refugjat me familjen e tij tetë anëtarëshe.

“U bën 11 vite që jemi këtu pa asnjë status. Kemi protestuar tre muaj para selisë së UNHCR-s për statusin tonë, sepse Maqedonia vet gjendet në situatë të vështirë, e lëre më të kujdeset për ne“, thotë Berisha.

Dëshira për kthim

Qeveria e Maqedonisë së bashku me UNHCR-n i kanë detyruar ata që të aplikojnë për azil politik, por vetëm 5 % nga aplikuesit e kanë fituar këtë të drejtë. Në vitin 2002 kryefamiljari Berisha ka kërkuar vullnetarisht që të kthehet në Kosovë, por: “ Nuk jam i sigurt të kthehem në vendin tim. Më ka ardhur me vulë dokumenti nga UNHCR-ja që nuk ka kthim. Nga 600 familje, i vetmi unë kam kërkuar kthim në Kosovë. Jam i lumtur të kthehem në vendin tim sepse ai vend sa është i shqiptarëve aq është edhe i yni dhe i të gjithë atyre kombësive që jetojnë atje.”

Ai ka vërejtje të shumta për kushtet në të cilat jetojnë në Maqedoni, por brenga më e madhe është shkollimi i fëmijëve

“Fëmijët nuk janë duke vijuar shkollën. Jamë i vetëdijshëm që fëmijët nuk janë të aftë sepse kanë problem me gjuhën, ata flasin shqip e kjo u pengon romëve nga Maqedonia. Unë jam egjiptian dhe e flas gjuhën shqipe”, deklaron Afrim Berisha.

Masat e autoriteteve maqedonase

Ministria për Punë dhe Politikë Sociale e Maqedonisë u ofron refugjatëve nga Kosova vetëm sigurim shëndetësor. Për vendosjen e tyre në kampe është përgjegjës Kryqi i Kuq ndërsa mjetet financiare mujore sigurohen nga UNHCR-ja , thotë Ardian Muça, udhëheqës i sektorit për mbrojtje sociale .

UNHCR-ja ka paralajmëruar se nga viti 2010 do të tërhiqet nga Maqedonia, që nënkupton se barra e tërësishme për të zhvendosurit kosovar do të bie autoriteteve maqedonase. Ato vlerësojnë se pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve duhet të zgjidhet çështja e kthimit të të zhvendosurëve në Kosovë.

“Ministria e punës dhe politikës sociale gjatë muajit të kaluar formoi grupe punuese me Republikën e Kosovës për kthimin e refugjatëve, që do të thotë se grupet punuese janë duke punuar në këtë çështje” thotë Ardian Muça.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Bahri Cani

  • Data 20.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IV98
  • Data 20.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IV98