1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Refugjatët e vdekur para portave të Evropës

Mbi 23.000 refugjatë kanë vdekur që nga viti 2000 në përpjekje për të ardhur në Evropë.

360 refugjatë u mbytën në tetor 2013 në brigjet e ishullit italian Lampedusa. Në shkurt të këtij viti 15 vetë gjetën vdekjen në përpjekje për të arritur me not enklavën spanjolle Ceuta në Marok. Në përgjithësi janë ngjarje të tilla spektakolare që bëjnë që tragjedia e refugjatëve në kufijtë e BE-së të perceptohet nga publiku. Por drama si këto ndodhin edhe kur askush nuk i vë re. Dhe askush nuk e di me saktësi se sarefugjatë vdesin gjatë rrugës për të ardhur në Evropë me ndonjë nga anijet e tejmbushura përmes Detit Mesdhe ose në përpjekje për të kapërcyer gardhet që rrethojnë enklavat spanjolle në Afrikë? Për këtë arsye një grup gazetarësh nga vende të ndryshme evropiane i hynë punës së lodhshme për të mbledhur të gjitha rastet e dokumentuara.

Të dhëna tronditëse

Nicolas Kayser-Bril

Gazetari francez Nicolas Kayser-Bril tregon se fillimisht ai dhe kolegët morën të dhëna nga rrjeti UNITED for Intercultural Action, në të cilin bëjnë pjesë 560 OJQ dhe konstatuan se ato të dhënat nuk përputheshin gjithmonë me dokumentet. "Ne konstatuam se numri i të vdekurve është shumë më i lartë nga sa mendohet dhe për këtë analizuam edhe njoftimet në media dhe në burimet e tjera zyrtare."

Bilanci i gazetarëve: mbi 23.000 refugjatë të vdekur ose të humbur që nga viti 2000 - pra mbi 5.000 më shumë nga sa mendohej. Michele Cercone, zëdhënës i komisares së BE-së për punët e brendshme Cecilia Malmstrëm, tha për DW se nuk sheh ndonjë kontradiktë me vlerësimet e deritanishme.

Por gazetari Nicolas Kayser-Bril tha në interviste me DW-në: "Ne kemi folur me një sërë përfaqësuesish zyrtarë të BE-së dhe në në nivel kombëtar dhe jemi të bindur se askush nuk e ka as idenë më të vogël se sa emigrantë vdesin rrugës drejt Evropës." Pra numri i të vdekurve duhet të jetë edhe më i lartë nga sa është i dokumentuar.

Politikë kontradiktore e BE-së për refugjatët

Politika e BE-së për refugjatët është mjaft kontradiktore, Nga njëra anë theksohet vazhdimisht se duhet mbrojtur jeta e refugjatëve. Nga ana tjetër shtetet anëtare janë të interesuara se si t'i mbyllin sa më mirë dyert ndaj refugjatëve. Kufijtë e jashtëm të Evropës po pajisen me teknika edhe më moderne për suvejim dhe me sisteme për t'i penguartrefugjatët të hyjnë në territorin e BE-së. Për këtë shumëkush flet për "Kështjellën Evropë".

Kontradiktore është edhe puna e agjencisë "Frontex" e cila nga njëra anë duhet të mbrojë brigjet e Evropës nga emigrantët dhe nga ana tjetër duhet të shpëtojë edhe emigrantët që mund të kenë avari në det.

Gazetari Nicolas Kayser-Brill thotë se ai dhe kolegët e tij duan të dokumentojnë fatet e refugjatëve në mënyrë që politikanët dhe vendimmarrësit e tjerë të nxjerrin përfundime prej tyre.