1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Refugjatët e kontigjenteve e azilkërkuesit në Gjermani

Në kuadër të marrëveshjes Turqi-BE, Gjermania do të pranojë refugjatë sirianë që vijnë përmes Turqisë. Ku dallohen refugjatët e kontigjenteve nga azilkërkuesit në Gjermani si edhe kur lejohen të punojnë të dyja grupet?

Si vijnë ata në Gjermani ?

Në rastin e refugjatëve të kontigjenteve, është shteti pranues që përcakton një numër të caktuar, pra një kontigjent refugjatësh nga një zonë krize. Shteti pranues organizon fluturimin e njerëzve në një aksion direkt humanitar ndihme, shpesh në marrëveshje me shtete të tjera pranuese, për shembull si aksion i përbashkët i Bashkimit Evropian. Në marrëveshjen BE- Turqi shkruhet se për çdo refugjat sirian të kthyer nga Greqia, sillet legalisht një sirian tjetër në Evropë. Ky rregull është i kufizuar për 72.000 vetë. Sa prej tyre do të vijnë në Gjermani, është ende e paqartë. Ndërsa azilkërkuesit e marrin rrugën vetë dhe vendosin në këtë kuadër me ndërgjegje për vendin ku do të kërkojnë mbrojtje. Nëse marrin vërtet azil në vendin ku mbërrijnë, kjo është një çështje tjetër.

Kush vjen?

Refugjatët e kontigjenteve zgjidhen nga shteti pranues në bazë të kritereve të caktuara, në radhë të parë humanitare. Për Gjermaninë, në bazë të një "letre me udhëzime" të Ministrisë së Brendshme gjermane në këto kritere bëjnë pjesë nevoja për mbrojtje, që vlen para së gjithash për fëmijët dhe prindërit e tyre, për të sëmurët ose për ata që përndiqen për shkak të fesë; "lidhjet me Gjermaninë", për shembull nëse ata kanë të afërm këtu, të cilët tregohen të gatshëm që të kujdesen për të saporardhurit; së fundi "aftësia për të dhënë pas fundit të konfliktit një kontribut të posaçëm për rindërtimin". Vlerësimin nëse bëhet fjalë për njerëz në nevojë apo jo e bën shumicën e herëve në vendin ku ndodhen refugjatët Organizata e Refugjatëve e OKB-së për Refugjatët, UNHCHR.

Në një kohë që refugjatët e kontigjenteve praktikisht nuk kanë ndikim nëse zgjidhen, azilkërkuesit e marrin vetë në dorë zgjidhjen. Meqenëse udhëtimi shumicën e herëve është shumë i mundimshëm dhe i rrezikshëm, këtu vijnë më tepër të rinjtë dhe më të fortët, në vend të atyre që kanë nevojë.

Ç'pamje ka procedura e pranimit?

Refugjatët e kontigjenteve nuk duhet të kalojnë fare procedurë njohjeje dhe pranimi. Që ata kanë nevojë për t'u mbrojtur, kjo përcaktohet që në përzgjedhje të tyre. Kurse azilkërkuesit duhet të dëshmojnë individualisht në Zyrën për Migrimin dhe Refugjatët, BAMF, se ata përndiqen dhe si përndiqen.

Sa e gjatë është mbrojtja që marrin?

Refugjatët e kontigjenteve, shumicën e herëve marrin një leje qëndrimi të kufizuar në dy vjet. Ajo mund të zgjatet. Si parim vlen që mbrojtja është në fuqi për aq kohë sa zgjat konflikti në atdhe. Atij që i pranohet kërkesa e azilit, merr fillimisht një leje qendrimi trevjeçare. Kur pas kësaj nuk ka shkaqe kundërshtimi, azilkërkuesi i pranuar merr një leje të pakufizuar qendrimi.

Kur lejohet të punosh?

Në këtë pikë, të dyja grupet dallohen dukshëm: në një kohë kur refugjatët e kontigjenteve lejohet të nisin menjëherë nga puna, azilkërkuesit përjashtohen të paktën tri muaj nga mundësia e fillimit të një pune. Edhe pas kësaj periudhe, përparësi për vendin e punës ka një gjerman, një i huaj i BE ose një refugjat i pranuar.

Veç kësaj vlen: azilkërkuesit që vijnë nga një i ashtuquajtur shtet i sigurtë dhe që e kanë paraqitur kërkesën për azil pas 31 gushtit 2015, nuk lejohet të punojnë për aq kohë sa zgjat procedura e azilimit.