1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Refugjatët duhet (të lejohen) të punojnë

Fluksi i qindra-mijëra refugjatëve paraqet rreziqe të mëdha, por edhe mundësi të mëdha për tregun e punës në Gjermani, mendon Andrey Gurkov.

Thuhet se pranimi i refugjatëve mund t'i kushtojë shtetit gjerman në vitin 2016 deri në 10 miliardë euro. Kjo tingëllon si një shumë shumë e madhe, por është pikërisht shuma që qeveria federale ka gjeneruar vetëm në gjysmën e parë të vitit 2015, falë zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe punësimit të lartë si një suficit buxhetor. Fluksi i refugjatëve as nuk e vë për momentin në dyshim qëllimin ambicioz të qeverisë gjermane për të arritur një buxhet të balancuar këtë vit dhe vitin e ardhshëm. Por edhe në qoftë se kjo nuk arrihet: borxhi i ri mund të financohet lehtë dhe me çmim të ulët në tregun e kapitalit. Rreziku i një rritjeje taksash pra nuk ekziston.

Një program klasik stimulimi

Këto 10 miliardë do të përdoren për furnizimin e refugjatëve, ngritjen e strehimoreve, pagesat e shoferëve të autobusëve, të mjeshtrave, mjekëve, përkthyesve dhe për shërbime të tjera. Pra de fakto ky është një plan klasik stimulimi ekonomik, kur në tregun e brendshëm pompohen fonde shtetërore. Vendet në krizë të eurozonës i kërkojë Berlinit prej kohësh që të nisë një program të tillë. Sigurisht, këto miliarda prej taksave mund të investohen edhe për gjëra më inovative se sa për strehimore për azilkërkues dhe përfitimet makro-ekonomike të këtyre shpenzimeve nuk do të jenë në fund të fundit të mëdha. Por pritja e refugjatëve nuk do t'i shkaktojë për një periudhë afatshkurtër dëme social-ekonomike Gjermanisë.

Andrey Gurkov

Andrey Gurkov

Në periudhë afatmesme, megjithatë, gjendja mund të ndryshojë: domethënë, nëse qindra-mijëra refugjatë marrin zyrtarisht azil dhe në këtë mënyrë të drejtën për të gjitha shërbimet dhe ndihmat e parashikuara me ligj. Pra nëse ata në vend që të shkojnë për të gjetur punë, do të kënaqen me ndihmën sociale dhe ndihmat për fëmijët, shpenzimet do të shpërthejnë. Ne vetëm mund të shpresojmë që njerëzit që vënë jetën dhe shëndetin e tyre në rrezik dhe përshkojnë oqeane, kufij dhe mijëra kilometra për të arritur në vendin e ëndrrave të tyre, nuk e bëjnë këtë me qëllim që deri sa të vdesin të jetojnë nga ndihmat e shtetit gjerman.

Politika duhet të veprojë shpejt dhe në mënyrë elastike

I nevojshëm nuk është vetëm një qëndrim i tillë nga ana e të ardhurve. Qeveria gjermane mund të bëjë shumë. Deri tani azilkërkuesit janë mbajtur larg nga tregu i punës në Gjermani. Kjo është një relike e kohëve të lashta, kur rënia demografike dhe plakja e shoqërisë ende nuk ishin kaq të pranishme.

Ekspertët paralajmërojnë sot me këmbëngulje: mungesa e fuqisë punëtore kërcënon prosperitetin e gjermanëve - dhe pensionet e tyre. Vërtet shumica e refugjatëve që vijnë nuk janë domosdoshmërisht kandidatët idealë për vendet e lira të punës që ekzistojnë në Gjermani. Por aktualisht nuk bëhet fjalë për rekrutimin e fuqisë punëtore, por për shpëtimin e njerëzve. 40.000 vende pune për profesionistë të rinj që janë ende të hapura dëshmojnë megjithatë, se ka kapacitete të shumta rezervë për të filluar tashmë të paktën me trajnimin e profesionistëve të nevojshëm.

Zbutja e problemeve kulturore

Por ndërmarrjet kuptohet që nuk duan të pranojnë stazhierë apo praktikantë, për të cilët nuk është e qartë nëse nëse ata do të lejohen të qëndrojnë në Gjermani, apo jo. Pra, politika duhet të përshpejtojë jashtëzakonisht përpunimin e kërkesave për azil. Dhe ajo duhet të japë që tani impulse vendimtare për ndërtimin e banesave sociale - edhe përmes zbutjes të disa standardeve veçanërisht të rrepta. Nga një bum ndërtimesh në këtë segment do të përfitojë nga ana e tjetër e gjithë ekonomia.

Sa më shpejt që banorët e rinj të Gjermanisë të gjejnë me ndihmën e politikës vende pune apo trajnimi, aq më të mëdha janë shanset që edhe problemet e pashmangshme kulturore dhe fetare të zbuten të paktën pjesërisht. Megjithatë vendimet duhet të merren tani. Fjala është për muaj, jo për vite.

Ju mund të lini një koment në fund të këtij artikulli. Mendimi juaj na gëzon!