1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Refugjatët do të strehoen në një hotel luksoz

Duke parë numrin në rritje të refugjatëve politikë, qyteti i Këlnit ka menduar të kthejë në kamp një hotel luksoz. Plani kritikohet nga biznesi dhe banorët përreth.

Kur flitet për strehimin e refugjatëve nuk merret asnjëherë parasysh sa ‘yje' ka ndërtesa, por diçka po ndryshon nga Këlni.Qyteti po shikon mundësinë e kthimit në një strehë për azilantët një hotel luksoz në vështirësi të mëdha financiare.

Bonotel ka parë ditë më të mirë. Ky hotel me katër yje, që e quan veten rezidenca elegante e Këlnit mirëpret ende klientë, por nga holli i boshatisur ve re se diçka nuk shkon.

Në vitet 80'-90', Bonotel ishte vendi ku shkonin të famshmit. Shumë yje ndërkombëtare kanë ndenjur këtu: Bud Spencer, Larry Hagman, Diego Maradona kanë shijuar të gjithë një pije në "Piano Lounge" të hotelit.

Bonotel Köln als Hotel für Flüchtlinge Wellness Bereich

Pamje nga brenda hotelit luksoz

Me barin e boshatisur dhe financat e hotelit me minus, menaxheri Andreas Degen i kujton me nostalgji ato kohë. Qyteti i Këlnit e ka blerë për 5.8 milion euro dhe ka në plan ta kthejë një kamp për refugjatët.

"Kam punuar me zemër e shpirt për këtë vend", thotë Degen, i cili nisi të punonte këtu 20 vite më parë si praktikant. "Kam dhënë gjithçka kam mundur. Në dhoma do të rrijnë refugjatë? Kisha ide të tjera në mendje."

Bonotel Köln als Hotel für Flüchtlinge Andreas Degen

Andreas Degen, menaxheri i hotelit Bonotel

Degen thekson se i kupton planet e qytetit për hotelin dhe se nuk ka asgjë kundër refugajtëve, por ai nuk do që stafi i tij të humbasë punën dhe hoteli i tij me 93 dhoma të mos jetë më hotel.

Rritet numri i refugjatëve politikë

Planet e Këlnit për Bonotel, që mund të presë deri në 200 refugjatë kur të përfundojnë renovimet në fund të vitit 2015, tregon vështirësitë që po kalojnë qytetet gjermane për të siguruar strehë për refugjatët politikë.

Këlni për momentin është shtëpia e 4 mijë refugajtëve. Por kjo është jashtë kapaciteteve, sepse ka struktura për pritjen e 350 vetëve. "Jemi duke u përballur me një situatë që nuk e kemi ndeshur më parë", tha zëdhënësi i qytetit Gregor Timmer.

"Ka plane për të ndërtuar ndërtesa të reja, por ato kërkojnë shumë kohë derisa të jenë gati", thotë ai për DW. Duke gjykuar nga numri i aplikimeve, Këlnit do t'i duhet të mendojë për strehimin e 2000 njerëzve të tjerë deri në mes të vitit 2015. Deri atëherë projekti i rinovimit të Bonotel duhet të ketë përfunduar.

Bonotel Köln als Hotel für Flüchtlinge Gerold Dreier

Librashitësi Gerold Dreier

Në vitin 2013 Këlni shpenzoi më shumë 35 million euro për sigurimin e banesave për azilkërkuesit dhe shërbime të tjera. Ministri i Brendshëm i landit ka deklaruar se nëse lufta në Irak dhe Siri vazhdon, kjo shumë do të dyfishohet në vitin 2014.

Shqetësim për bizneset dhe banorët

Tek Bonotel, për planet e qytetit, nuk janë të shqetësuar vetëm pronarët apo punonjësit. Pronari i një librarie ngjitur me hotelin thotë se është kritik ndaj këtij plani. "Jam pak i shqetësuar", thotë Gerold Dreier. "Si fillim shumë nga klientët vijnë nga hoteli. Ata shikojnë për dhurata dhe ndalojnë këtu. Dhe së dyti mund të them se shumë nga klientët e mij nuk do të vijnë kur të shohin shumë të huaj përreth."

Një grua e moshuar kalon aty pranë dhe e pyesim për planet. "Bombastike. Çfarë do të ndodhë më pas? Nuk po kuptoj më asgjë këtu."