1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Refugjatët afrikanë korrin sukses me akuzën e tyre

Gjykata Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut ka marrë vendim se Italia nuk duhet ta dëbonte menjëherë një grup refugjatësh nga Afrika veriore.

Refugjatët shpëtohen me rrjet peshku pas mbytjes së varkës së tyre

Refugjatët shpëtohen me rrjet peshku pas mbytjes së varkës së tyre

Ngjarja ka ndodhur tre vjet më parë. Një grup afrikanësh, që donin të hynin në Evropë nëpërmjet Mesdheut, sulmohet në det të hapur nga policia kufitare italiane dhe kthehet menjëherë në Afrikën e Veriut. Refugjatët ngritën padi në Gjykatën Evropiane për të drejtat e njeriut kundër kësaj mënyre të sjelluri. Dhe gjykatësit e Strazburgut i kanë dhënë të drejtë.

Refugjatët nga Afrika e Veriut kujtonin se e kishin arritur objektivin. Anije të Guarda di Finanzia u shfaqën në horizont, 65 km para ishullit të Lampeduzës, cepit të fundit të Bashkimit Evropian në Mesdhe. Grupi i refugjatëve nga Afrika veriore përbëhej nga tre anije me rreth 200 vetë në bord. Burrat, gratë dhe fëmijët vinin nga Libia, ku kishin shkuar për t`i shpëtuar dhunës dhe varfërisë, që sundon në vendet e tyre, në Somali dhe Eritrea. Në momentet, ku menduan se ishin duke vënë këmbën në një port të sigurt evropian, policët e Guarda di Finanzia-s i marrin në bord jo për t'i sjellë në Itali, por për t' i dërguar atë 6 maj 2009 direkt në Libi.

Gjykata Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut

Gjykata Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Strazburg

Anton Giulio Lana thotë: "Siç mund të shihet në fotografi, në Tripoli refugjatët u detyruan të zbrisnin nga bordi, dhe atyre iu morën edhe telefonët celularë. Asnjë prej tyre nuk kishte shans të kërkonte azil politik. Ata ishin të bindur se do të dërgoheshin në Lampeduza. Por kur e kuptuan se i kishin gënjyer, ata shprehën dëshirën e tyre që të vendoseshin nën mbrojtjen e autoriteteve italiane."

Thotë Anton Giulio Lana, një prej dy avokatëve të 11 somalezëve dhe 13 eritreanëve, që ngritën padi në Gjykatën Evropiane për të drejtat e njeriut në Strazburg. Ata janë lënë nga italianët në rrezik torture dhe keqtrajtimi, thotë aktakuza. Përveç kësaj Italia ka pranuar në këtë mënyrë, që nga Libia ata të dërgohen në atdheun e tyre.

Refugjatët nuk janë sqaruar nga rojet bregdetare italiane se mund të kërkonin azil që në bord të anijes, thotë avokati i dytë, Andrea Saccucci: "Në kontrollet kufitare të disa territoreve në det, qeveria italiane ka krijuar zona, ku nuk zbatohet ligji. Ky gjygj duhet të pengojë shtete, që të ngrenë Guantánamo të tilla në det të hapur, ku refugjatët diskriminohen dhe nuk marrin mundësinë që të fitojnë të drejtat e tyre, të garantuara me ligje kombëtare dhe ndërkombëtare."

Avokatja Silvia Coppari përfaqëson në procesin e Gjykatës Evropiane mbrojtjen për Italinë. Akuza është e papranushme, argumenton ajo. Italia ka zbatuar rregullat e vendosura nga BE, për të penguar migracionin ilegal. Akuzat e sjella janë absurde dhe tendecioze. "Qeveria nuk mund të pranojë stilin, me të cilin bëhet akuza. Ajo është një manifest ideologjik kundër Italisë dhe politikës së saj. Sipas mendimit tonë ky nuk është vendi, ku duhet të zhvillohen debate të tilla."

Rryma refugjatësh

Rryma refugjatësh

Por gjykata nuk mendoi kështu dhe i dha refugjatëve të drejtë. Të enjten (23.02.2012) u dha vendimi. Gjykatësit vendosën unanimisht se Italia ka shkelur konventën evropiane të të drejtave të njeriut (EMRK). Refugjatët janë rrezikuar nga trajtimi jonjerëzor. Dhe meqenëse as nuk është gjetur identiteti i tyre, as nuk është ekzaminuar çdo rast në mënyrë individuale, dëbimi i menjëhershëm nuk ka respektuar ndalimin e dëbimit kolektiv të personave të huaj.

Fakti, që Italia konfrontohet me një numër të madh refugjatësh, nuk u pa nga gjykatësit e Strazburgut si arsye për praktikën e dëbimit në det të hapur. Edhe në këtë gjendje vendi nuk ka të drejtë të dëbojë personat në vende, ku ata rrezikohen nga tortura dhe keqtrajtimi.

Autor: Arnd Riekmann/ Aida Cama

Redaktoi: Angjelina Verbica