1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Refugjatë të rinj tunizianë mbërrijnë në Itali

Sërish këtë javë një numër i madh refugjatësh tunizianë arritën në ishullin italian të Lampeduzës. Siç bënë të ditur autoritetet, rreth 350 vetë u dërguan në kampe strehimi.

Shumë varka me refugjatë mbërrijnë në Lampedusa

Shumë varka me refugjatë mbërrijnë në Lampedusa

Pasi dallgët në Mesdhe, në jug të Sicilisë u qetësuan disi, në jug të Italisë po mbërrijnë më shumë varka me refugjatë. Në ishujt Lampeduza dhe Linosa mbërritën këto ditë më shumë se 400 vetë. Ata u dërguan në kampin e pranimit në Lampeduza, ku aktualisht ndodhen më shumë se 600 vetë. Transporti më i madh e arriti ishullin natën për të mërkurën (03.02.) Në bord qenë 347 tunizianë, por edhe ekip me kamera i një kanali komercial televiziv gjerman. Varka u përshëndet në portin e Lampeduzës nga një reporter i televizionit, sic bëri të ditur radiotelevizioni italian RAI:

"Shyqyr që mbërritët mirë - përzemërsisht mirëserdhët në Evropë!"

Një reportere e kanalit televiziv SKY TG24 raportoi se gjermanët i kishin marrë në pyetje si dëshmitarë. Por meqenëse migrantët nga Tunizia i pret një proces penal për shkak të emigrimit ilegal, së shpejti temë diskutimi mund të bëhet edhe roli i gazetarëve gjermanë në udhëtim, nëse kanë marrë pjesë në planifikimin e arratisë së të tjerwvwe ose e kanë mbështetur këtë ndoshta me para. Ministria Italiane e punëve të Brendshme nuk është shprehur për këtë. Christopher Hein nga Këshilli i refugjatëve italianë thotë:

"Sigurisht që pas kësaj fshihet një gazetari spektakli. Më duhet të them edhe se nga ana e prokurorisë do të nisë me siguri një proces penal, me dyshimin e trafikimit të personave. Por këta janë gazetarët - këtë rrezik ata duhet ta llogarisin vetë. "

Më qartë u shpreh Elias Birdel, ndërkohë anëtar i kryesisë të organizatës humanitare "Borderline Europe". Para disa vitesh, si kryetar i organizatës "Cap Anamur" ai shpëtoi refugjatë varkash nga rreziku i mbytjes në det dhe për këtë e nxorrën në gjyq. Elias Birdel:

"Ne duhet të mbajmë parasysh se udhëtime të tilla, sido që të ndodhin këto ditë, vazhdojnë të jenë shumë të rrezikshme. Mijëra vetëw e kanë humbur jetën vitet e fundit në këto udhëtime të rrezikshme. Dhe është krejtësisht e papërgjegjshme, që t'i inkurajosh ose nxitësh njerëzit, që të ndërmarrin një udhëtim të tillë, për aq kohë sa në Evropë nuk ka kritere të qarta pranimi, për këtë nuk ka asnjë shkas. Ndaj këtu duhet të tregohen të përmbajtur të gjithë, para së gjithash përfaqësuesit e medieve."

Shumë më e rëndësishme është, tha Bierdeli, që katastrofa e vërtetë zhvillohet në jug të Mesdheut. Komisariati i Lartë për Refugjatë i OKB-së ka paralajmëruar ndërkohë për rrezikun e një gjendjeje emergjence humanitare në Tunizi dhe ka kërkuar ndihmë nga qeveritë evropiane.

Të martë në darkë Italia vendosi të nisë një aksion të madh ndihme për refugjatët e Libisë në Tunizi. Për detajet e këtij aksioni po merren vendimet e fundit. Ai parashikon ndër të tjera dërgimin e ndihmës humanitare për të paktën 10.000 vetë në Tunizi.

Autor: Stefan Troendle/Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 04.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10TDl
  • Data 04.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10TDl