1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Refugjatë brenda Kosovës për shkak të minave

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, në fusha të minuara kanë humbur jetën 114 persona, mbi 60 për qind të mitur. Njëmbëdhjetë vjet pas, zonat e minuara edhe me tej paraqesin rrezik për kosovarët.

Çminimi i rajoneve të ndryshme - problem për vendet e Ballkanit

Çminimi i rajoneve të ndryshme - problem për vendet e Ballkanit

Fshatra të tëra kanë ngelur të boshatisura

Sipas Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjatë luftës së Kosovës pothuaj të gjitha fshatrat rrëzë brezit kufitar me Shqipërinë dhe Maqedoninë ishin të minuara nga forcat policore, militare dhe paramilitare serbe pa përjashtuar as lokacionet ku ishin të vendosura këto forca. Krahas angazhimit të vazhdueshëm të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, të KFOR-it dhe të shoqatave të ndryshme për çminim, për shkak të shtrirjes së gjerë dhe minimit të dendur, fshatra të tëra edhe njëmbëdhjetë vjet pas luftës kanë ngelur të boshatisura. Fshatrat Jasic dhe Gjocaj, në brezin kufitar Kosovë-Shqipëri janë vetëm dy nga to, ndërsa Regjep Jasici, 64 vjec nga Jasici, vetëm njeri nga të 700 banorët e zhvendosur përbrenda vendit tash 11 vjet.

Një banor i fshatit Jasiç

Një banor i fshatit Jasiç

“Momentalisht, ne e konsiderojmë veten refugjatë në vendin tonë. Dhe, kjo është shumë e rëndë...Kur me t´u zgjuar sheh fshatin e lindjes e s´ke mundësi të jetosh në të, kjo për ne është shumë e vështirë! Krahas kësaj, kemi humb edhe të rinj në mina. Prandaj, hezitojmë të kthehemi sepse përkundër përpjekjeve për çminimin e kësaj zone, prapëseprapë rreziku është prezent”,-thotë z.Jasiçi.

Por fshatrat Jasic dhe Gjocaj nuk janë të vetmet që janë braktisur nga banorët e tyre si pasojë e terrenit të minuar, thotë kolonël Skënder Hoxha, komandant i Regjimentit të Mbrojtjes Civile në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosoves.

“Fshatrat Jasic dhe Gjocaj janë prej zonave të minuara nga forcat serbe. Por, ato janë të atakuara edhe gjatë bombardimeve të NATO-s poashtu, siç janë edhe fshatra të tjera në Rajonin e Prizrenit, një pjesë e madhe e popullatës ende nuk është kthyer në vatrat e veta. Arsyeja: frika dhe rreziku nga minat“.

Kolonel Skender hoxha, komandant i Regjimentit të Mbrojtjes Civile në Kosovë

Kolonel Skender hoxha, komandant i Regjimentit të Mbrojtjes Civile në Kosovë

Dhe, kjo frikë vjen natyrshëm, kur që nga përfundimi i luftës në Kosovë nga mjetet shpërthyese e kanë humbur jetën mbi 100 persona.

“Deri me sot në territorin e Kosovës ka 114 persona të vrarë nga minat dhe mjetet e pashpërthyera dhe mbi 500 të lënduar. Mbi 60 për qind e viktimave janë fëmijë," sqaron thotë kolonel Hoxha, sipas të cilit deri me tani në Kosovë janë pastruar mbi 6 milionë metra katrorë fusha të minuara.

Problematike mbeten zonat kufitare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e disa lokacione në Kosovën qendrore

"Gjatë këtyre pastrimeve janë larguar eliminuar dhe shkatërruar mbi 50 mijë mina, municione të ndryshme dhe gjatë periudhës nëntëvjeçare, qëkur njësiti ynë merret me çminim, ne nuk kemi pasur asnjë inicident me pjesëtarët tanë. Ne do të vazhdojmë kështu edhe në të ardhmen, sepse kjo është detyra dhe misioni ynë dhe sepse largimi i çdo mine është shpëtim i një jete”.

Krahas të gjitha përpjekjeve, problematike vazhdojnë të mbeten zonat e brezit kufitar me dy shtetet fqinje, Shqipëri dhe Maqedoni si dhe disa lokacione në Kosovën qendrore, ku kanë qënë të stacionuara forcat serbe. Për këtë arsye, Forca e Sigurisë së Kosovës tashmë ka filluar një trajnim të specializuar bashkarisht me njësinë e çminimit të trupave amerikane të KFOR-it, ku sipas kolonel Hoxhës, në fillim të prillit njësitet për çminim do të fillojnë operimin në këto zona të cilat edhe 11-të vjet pas luftës paraqesin rrezik per qytetarët e Kosovës.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 17.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MV1L
  • Data 17.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MV1L