1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Refugee Welcome Index - Ku janë të mirëpritur refugjatët?

Sipas një sondazhi global të porositur nga organizata e të drejtave të njeriut Amnesty International, 80 për qind e të anketuarve është pro pranimit të refugjatëve.

Shumë prej të anketuarve madje thanë se do të pranonin refugjatë në shtëpinë e tyre. Për indeksin e parë për pranimin e refugjatëve "Refugee Welcome Index" instituti ndërkombëtar i anketimit GlobeScan intervistoi gjatë këtij viti më shumë se 27.000 vetë në 27 vende. Në indeks vendet renditen sipas gatishmërisë së popullsisë për të pranuar refugjatë në vendin e tyre, në qytetet e tyre, në lagjet e tyre dhe në shtëpinë e tyre.

Indeksi i kundërvihet "pretendimit se në të gjithë botën populizmi shkakton ndjenja negative ndaj refugjatëve - dhe se masa më e pranueshme është mbyllja sa më shumë që të jetë e mundur ndaj refugjatëve", tha për DW-në Gauri van Gulik, zëvendësdrejtore e Amnesty International për Evropën.

Të mirëpritur edhe në shtëpi

Anketa tregon se një nga dhjetë të anketuarit madje do të ishte i gatshëm që të strehonte refugjatë në shtëpinë e vet. Ky ishte një rezultat surprizues pozitiv, tha van Gulik.

Vendet popullsia e të cilave e ka vullnetin dhe gatishmërinë më të vogël për të pranuar refugjatë, janë Rusia, Indonezia dhe Tajlanda. Gatishmëri më e madhe për të pranuar refugjatë madje edhe në shtëpinë e tyre, shprehën njerëzit në Kinë, Gjermani dhe Britaninë e Madhe. Gati gjysma e të anketuarve në Kinë u shpreh e gatshme të pranojë refugjatë në familjet e veta.

Gjithësej 73 për qind e të anketuarve janë të mendimit se ata që largohen nga vendi i tyre për shkak të luftës dhe përndjekjes duhet të marrin strehim në vende të tjera. Në Evropë mbështetja për azilin është veçanërisht e fortë në Spanjë, Gjermani dhe në Greqi. Kurse në Tajlandë dhe në Turqi shumica e të anketuarve janë kundër një strehimi të tillë.

Po ashtu dy ndër tre të anketuar janë të mendimit se qeveritë e vendeve përkatëse duhet të bëjnë më tepër tpër 'u ndihmuar njerëzve që largohen nga vendi i tyre për shkak të luftës dhe përndjekjes

Jo të gjithë janë kundër refugjatëve

Pak para Samitit Botëror Humanitar në Stamboll që mbahet më 23 maj, Amnesty International kërkon prej qeverive që të angazhohen për një sistem të përhershëm për të ndarë përgjegjësinë për "pranimin dhe ndihmën për refugjatët". Një marrëveshje globale, e propozuar në fillim të majit nga Kombet e Bashkuara, mund të nënshkruhet nga kryeministrat e vendeve pjesëmarrëse në një takim tjetër që do të zhvilloht më 19 shtator. Të dy samitet trajtojnë krizën më të rëndë humanitare të 70 viteve të fundit.

Është e rëndësishme të tregojmë që popullsia në shumë vende e mbështet pranimin e refugjatëve, thotë van Gulik. "Është koha për ta lënë pas retorikën, sipas së cilës të gjithë janë kundër refugjatëve," thotë ajo. Është mjaft e qartë se kjo nuk është e vërtetë. "Prandaj, ne duhet të shikojmë përpara dhe të diskutojmë se si mund ta kapërcejmë këtë krizë."