1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Reformimi rrënjësor i sistemit shëndetësor një nga synimet ambicioze të presidentit amerikan Barack Obama

Edhe pse SHBA-ja shpenzon për shëndetsinë më tepër se 15 për qind të produktit të brendshëm bruto, thuajse një e gjashta e amerikanëve nuk kanë sigurim shëndetësor.

Kopje të projektbuxhetit të presidentit Barack Obama, ku parashikohen edhe shpenzimet për shëndetsinë

Kopje të projektbuxhetit të presidentit Barack Obama, ku parashikohen edhe shpenzimet për shëndetsinë

Sistemi shëndetësor amerikan është tepër i shtrenjtë. SHBA-ja shpenzon për të më shumë se 15 për qind të produktit të brendshëm bruto. Në të njëjtën kohë pothuajse një e gjashta e amerikanëve nuk ka sigurim shëndetësor dhe shpenzimet e përkujdesjes shëndetësore për të moshuarit në SHBA po e shpërthejnë buxhetin. Këtë bilanc bëri Barack Obama dje (05.03) në Shtëpinë e Bardhë. Ai kishte ftuar atje majën e komercit mjekësor amerikan, përfaqësues të mjekëve, të sigurimeve shëndetësore dhe të industrisë farmaceutike. Pas dështimit për të ardhur keq të Bill Clinton-it ne reformën e tij shëndetësore para 15 vjetësh, Barack Obama po ndërmerr tani një përpjekje të re. Për këtë ai formuloi synime të qarta e ambicioze.

"Ne duhet të gjejmë rrugën se si t'i ulim shpenzimet për të gjithë, se si të përmirësojmë cilësinë për të gjithë dhe të zgjerojmë mbrojtjen me sigurim shëndetësor të secilit. Synimi ynë do të jetë hyrja në fuqi e një reforme shëndetësore të plotë deri në fund të këtij viti."

Kjo do të hartohet tani prej Kongresit. Në këtë mënyrë Obama po përshkon një rrugë tjetër në krahasim me Clinton-in. Ish-presidenti kishte parashtruar një paketë ligjore tö gatshme, dhe kishte dështuar më vonë në labirintin e Kongresit dhe të lobbyistëve. Këtë herë suksesi është edhe më i rëndësishëm se ç'ishte atëherë, tha Obama:

"Reforma shëndetësore nuk është me rëndësi jetike vetëm në planin moral, ajo ka rëndësi jetike edhe për uljen e deficitit buxhetor."

Kushtet në SHBA janë të ndryshme nga ato të Gjermanisë, por problemet janë të krahasueshme. Analiza është mjaft e thjeshtë, thotë Elliot Fisher, i cili punon në institutin Dartmouth për politikën shëndetësore:

"Sistemi i shpërblimit trajton ndaras çdo mjek dhe çdo shërbim shëndetësor dhe edhe i paguan këto ndaras. Në këtë mënyrë sistemi i pagesave shpërblen shërbime të panevojshme dhe përforcon segmetimin që u shkakton aq shumë probleme pacientëve dhe mjekëve."

Edhe Clinton-i u gjend para këtij problemi dhe dështoi në vitin 1994, por kushtet e sotme janë të tjera. Reforma mbështetet sot edhe nga ish-kundërshtarë të paketës reformuese të përgatitur prej Bill Clintonit.

Autor: Rüdiger Paulert/Elert Ajazaj
Redaktor: Dr. Pandeli Pani

  • Data 06.03.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/H6ow
  • Data 06.03.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/H6ow