1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Reformim i ligjit për azilin

Plani i qeverisë gjermane për t'i klasifikuar vendet e Ballkanit si vende të sigurta po diskutohet në mënyrë kontroverse.

Klasifikimi i tri vendeve të Ballkanit si vende të sigurta shihet nga ekspertët në mënyra të ndryshme. Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin për Punë të Brendshme të Bundestagut eksperti për të drejtën e azilit Reinhard Marx përsëriti kritikën e tij për planet e qeverisë federale, e cili dëshiron një përpunim më të shpejtë të kërkesave për azil nga Serbia, Maqedonia dhe Bosnje-Hercegovina. Marx e kritikoi qeverinë se nuk i ka analizuar mjaftueshëm kriteret për klasifikimin e këtyre vendeve si vende të sigurta.

Pakicat si romët mund të konsiderohen me siguri si të persekutuar në këto vende, tha juristi. Sipas Ligjit Evropian nuk duhet të konsiderohet si bazë për përndjekjen vetëm ndjekja nga shteti. Edhe shuma e diskriminimit individual mund ta justifikojë të drejtën e azilit, tha ai.

Kryetari i Zyrës Federale për Emigracionin dhe Refugjatët, Manfred Schmidt, mbrojti planet dhe iu referua praktikës në organin, që drejton. Kërkesat nga këto vende janë rritur me shpejtësi nga rreth 9,000 në vitin 2011 në më shumë se 32.000 në vitin 2013. Më pak se një për qind e aplikantëve janë njohur si refugjatë. Shembuj nga vendet e tjera si Franca tregojnë se pas klasifikimit të një vendi si vend i sigurt, kërkesat për azil bien, argumentoi Schmidt.

Hans-Eckhard Sommer ekspert në Ministrinë e Brendshme të Bavarisë tha se burimet nevojiten urgjentisht për njerëz, që kanë me të vërtetë nevojë për mbrojtje. Si shembull, ai përmendi Sirinë dhe Irakun. Sommer tha se ligji do të ketë "efekt sinjalizues". Në praktikat administrative rregullat nuk do të ndryshojnë, sepse shumica e kërkesave edhe sot refuzohen si të pabazuara.

Sipas planeve të ministrit të Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere (CDU) Bundestagu duhet të vendosë për klasifikimin e Serbisë, të Maqedonisë dhe të Bosnje-Hercegovinës si vende të sigurta para fillimit të pushimeve të verës. Po ashtu sipas ligjit në të ardhmen azilkërkuesit mund të kenë të drejtë që të punojnë në Gjermani edhe pas tre muajsh qëndrimi këtu dhe jo si deri tani pas nëntë, apo dymbëdhjetë muajsh.