1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Reforma kushtetuese mund të hapë dyert për anëtarësimin në BE - Reagimet gjermane për rezultatin e referendumit në Turqi

Presidenti i SHBA-së Barack Obama përshëndeti rezultatin e referendumit si shenjë vitaliteti të demokracisë turke. Komisioneri i BE-së për zgjerim Stefan Füle foli për hap përpara. Edhe reagimet gjermane ishin pozitive.

Hap në drejtimin e duhur - reagime pozitive pas referendumit për reformat kushtetuese në Turqi

Hap në drejtimin e duhur - reagime pozitive pas referendumit për reformat kushtetuese në Turqi

Me reformat e miratuara Turqia i afrohet një hap më shumë Bashkimit Evropian, tha ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle, duke folur për rezultatin e referendumit për kushtetutën në Turqi.

"Kjo është një shenjë se Turqia është e vendosur të vazhdojë edhe procesin e reformave brenda vendit. Kjo tregon edhe se Turqia sheh drejt Evropës."

Westerwelle: Turqia mban të hapur perspektivën për anëtarësim të plotë

Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle me homologun turk Ahmet Davutoglu në takimin e ministrave të jashtëm në Bruksel, 11.09.2010.

Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle me homologun turk Ahmet Davutoglu në takimin e ministrave të jashtëm në Bruksel, 11.09.2010.

Të dielën (12.9.) shumica e qytetarëve me të drejtë vote në Turqi votuan pro 26 ndryshimeve të parashikuara në kushtetutën turke. Ato parashikojnë ndër të tjera një kontroll më të fortë të ushtrisë nga sistemi gjyqësor civil. Në këtë mënyrë Turqia e mban të hapur perspektivën për antarësim të plotë në BE, tha ministri i Jashtëm gjerman të hënën (13.9.) në Berlin:

"Turqia gëzon të drejtën që të trajtohet ndershëm, me respekt dhe në nivel të barabartësh. Askush nuk mund t'i premtojë diçka Turqisë para kohe. Por askush nuk mund të përjashtojë një vend kaq të rëndësishëm i cili modernizohet dukshëm."

Konservatorët gjermanë vazhdojnë të refuzojnë anëtarësimin e plotë të Turqisë

Kështu ministri i Jashtëm liberal distancohet nga partneri konservator në qeveri Unioni CDU/SCU, i cili Turqisë në vend të një anëtarësimi të plotë vazhdon t'i ofrojë vetëm një "partneritet të privilegjuar". Deputeti kristiansocial në parlamentin federal Thomas Silberhorn: "Ne si CSU vazhdojmë të refuzojmë një anëtarësim të Turqisë në Bashkimin Evropian. Ne jemi të mendimit se një bashkëpunim nën nivelin e anëtarësimit të plotë do të ishte më i suksesshëm. Dhe unë mendoj se në këtë situatë referendumi nuk ka ndryshuar asgjë."

Jo anëtarësim në BE - sipas kristiansocialit Thomas Silberhorn referendumi nuk e ka ndryshuar qendrimin e Unionit CDU/CSU.

Jo anëtarësim në BE - sipas kristiansocialit Thomas Silberhorn referendumi nuk e ka ndryshuar qendrimin e Unionit CDU/CSU.

Por eksperti i SPD-së për politikën e jashtem Gernot Erler e këshillon qeverinë gjermane të marrë sa më shpejt seriozisht negociatat për anëtarësim me Turqinë, të cilat kanë filluar që pesë vjet më parë. Hovi i modernizimit nga referendumi madje mund t'a detyronte për këtë:

"Unë pres që ata të cilët frenojnë në rastin e negociatave me Turqinë, dhe këta janë në radhë të parë qeveria gjermane dhe presidenti francez, do të kenë tani një argument më pak. Një jo ndaj këtyre 26 ndryshimeve në kushtetutën turke sigurisht do të kishte forcuar argumentat e tyre. Por kjo për fat nuk ndodhi."

Për hapat e bërë kryeministri Recep Tayyip Erdogan dhe edhe partia e tij me karakter islamist meritojnë tani respekt, thotë Erler:

Eksperti socialdemokrat për politikën e jashtme Gernot Erler.

Eksperti socialdemokrat për politikën e jashtme Gernot Erler.

"Reformatori më i vendosur është zoti Erdogan. Dhe forca vendimtare që e ka çuar përpara këtë proces reformator edhe në të kaluarën janë dy qeveritë që ka drejtuar partia AKP."

Reformat e parashikuara duhet të pasohen nga të tjera

Megjithë pjesëmarrjen mbresëlënëse në votim prej 78 për qind dhe hapave vendimtarë demokratizues në gjykatën kushtetuese dhe në kontrollin demokratik të forcave të armatosura, edhe Gernot Erler është i bindur se këto duhet të pasohet nga ndryshime të mëtejshme kushtetuese në të drejtën elektorale dhe në shprehjen e lirë të mendimit. Derisa kushtetuta turke e dalë nga puçi ushtarak i vitit 1980 të ndjekë plotësisht rregullat e demokracisë, në letër dhe në jetën e përditshme do të duhen edhe disa ndryshime në kushtetutë.

Autor: Richard Fuchs / Eliana Xhani

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 14.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PB68
  • Data 14.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PB68