1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Reforma e ushtrisë gjermane me ritme të ngadalta

Shumë pak personel, pajisje jo të mira, ngarkesë shumë e madhe. I ngarkuari me Çështjet e Mbrojtjes të Bundestagut gjerman nuk është i kënaqur me gjendjen në ushtrinë gjermane. Edhe ushtarët ankohen.

Qoftë në Mali, në Mesdhe ose në Lituani: gjithnjë e më shumë ushtarë gjermanë janë të angazhuar në botën e jashtme. Kjo është dëshirë e politikës gjermane. Qeveria gjermane kërkon të marrë më shumë përgjegjësi në aleanca - në Evropë, në NATO dhe në një botë, që është bërë më e vështirë. Këtu bën pjesë edhe përgjegjësia ushtarake. Ai e quan me vend këtë, thotë politikani i CDU-së, Hans-Peter Bartels, i cili është prej dy vjetësh është i ngarkuari me Çështjet e Mbrojtjes i Bundestagut gjerman. "Por kur e do një gjë të tillë duhet t'i kesh instrumentat e nevojshëm plotësisht në gjendje pune."

Dhe ato nuk janë në gjendjen që dëshirohet, këtu nisë kritika e Bartelsit. Që në personel, në bazën materiale dhe në buxhet do të ketë kthesë, kjo vërtet që është vendosur politikisht. Por ristrukturimi thotë ai zgjat tepër shumë. "Boshllëqet në personel janë shumë të mëdha - dhe për mbylljen e tyre po ecet shumë ngadalë", thotë Bartels, raporti vjetor i të cilit numëron në 95 faqe aq shumë mangësi sa rrallë më parë. Përpara së gjithash përqindja e plotësimit të vendeve, si në ushtri, ashtu edhe në aviacionin ushtarak dhe në marinë është pjesërisht vetëm 50 përqind.

Mangësi strukturore

Veçanërisht në marinë kjo çon në një rëndesë më të konsiderueshme, sepse ushtarët kalojnë të detyruar shumë më tepër kohë në det, se sa është e parashikuar. "Kur marinarët mbërrijnë në shtëpi në përbërje të njërit ekipazh, janë të detyruar që të largohen sërish me anijen tjetër, sepse mungon dikush, dhe mungesa e tij do t'i vinte pikëpyetje të gjithë anijes." Kjo është një temë e vazhdueshme edhe në flotën e nëndeteseve, thotë ai. "Objektivi qe që deri në fund të vitit 2016 të ishin në gatishmëri për misione pesë ekipazhe, në fakt krejtësisht në dispozicion janë vetëm dy."

Probleme ka edhe me aparaturat. Helikopterë që nuk vijnë, pajisje të mëdha që nuk janë gati për misione. 225 tanket luftarakë ekzistues do të shtohen me 100 tanke të tjerë të përdorur, që kanë nevojë të modernizohen "Leopard 2". Periudha se kur duhet të ndodhë kjo është shtatë vjet. "Pse zgjat kaq shumë?" pyet Bartels. Në përgjithësi, pajisja e plotë për detyrat aktuale do të zgjasë deri në vitin 2030.  "Këtu duhet të ndodhë diçka", kërkon ai. Tani është koha e zgjidhjeve dhe e ritmit të shpejtë.

3000 ankesa nga ushtarët

Bartelsi bën veç kësaj thirrje që të ndryshohet mentaliteti dhe që të rishqyrtohen procedurat burokratike. "Puna si zakonisht dhe bërja vetëm e detyrës pikërisht tani nuk na ndihmojnë më."

I ngarkuari me çështjet e mbrojtjes është një lloj "avokati i ushtarëve" dhe ai kujdeset për shqetësimet dhe hallet e ushtarëve. Në vitin 2016 nevoja për punën e tij qe veçanërisht e madhe. Megjithëse numri i personelit është në rënie, te Bartelsi mbërritën më shumë se 3000 ankesa nga ushtarët. Vetëm në 1959 kanë qenë më shumë, thotë ai. Veçanërisht mbingarkesa, angazhimi i ushtarëve në ndihmën për refugjatët dhe një rregullore shumë e diskutueshme e orarit të angazhimit janë temat që i preokupojnë më fort ushtarët.