1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Reforma e Euros kërkon rregulla më të rrepta

Hap pas hapi shtetet anëtare të BE po i afrohen reformës së euros. Këtë të martë (15.03.) ata miratuan rregulla më të rrepta për të ashquajturin Pakt të Stabilitetit dhe të Rritjes.

Kancelarja Merkel në takimin e posaçëm për euron në Bruksel, 12.03.2011

Kancelarja Merkel në takimin e posaçëm për euron në Bruksel, 12.03.2011

Një grup pune, nën drejtimin e kryetarit të Këshillit të BE, Herman van Rompuy pati bërë propozime, ministrat e financave i vendosën këto në pjesën më të madhe. Ministri Federal i Financave, Wolfgang Schäuble është i kënaqur me këtë rezultat:

"Ne e vumë shpejt në rrugë këtë, ky është një sukses i konsiderueshëm."

Edhe për Komisionin Evropian është i pranueshëm vendimi i ministrave të Financave. KE pati propozuar që në të ardhmen vendet anëtare të llogarisin si të thuash automatikisht dënime, po të mos u përmbahen rregullave. Kur një vend për shembull nuk e ul borxhin e ri vjetor në përputhje me parashikimin, ai duhet të përcjellë 0,2 përqind të rendimentit të tij ekonomik në Bruksel. Vetëm me të ashtuquajturën shumicë të kualifikuar mund ta ndalojnë shtetet anëtare dënimin. Ajo që kanë vendosur tani këto vende, është shumë e afërt me propozimet e tij, thotë Komisari për Ekonominë, Olli Rehn:

"Kjo është shumë pranë propozimit fillestar të komisionit dhe unë jam në njëfarë mase i kënaqur me rezultatin e propozimit."

Tani është ora e Parlamentit të BE. Me deputetët, shtetet anëtare dhe Komisioni duhet të përpunojnë deri në verë detajet.

Element i ri në pakt është vështrimi i saktë në disbalancat ekonomike në Evropë. Kështu, Komisioni i BE duhet të vëzhgojë, sa të afta për konkurencë janë vende të veçanta: sa rriten rrogat në raport me prodhimtarinë, a janë mbi baza solide sistemet e pensioneve dhe nëse një vend shënon suficite apo deficite në bilancin e tij ekonomik- pra nëse eksporton më shumë se sa importon mallra nga vende të tjera dhe anasjelltas. Edhe në këto drejtime shtetet mund të paralajmërohen- dhe duhet të llogarisin në fund dënime, kur nuk plotësojnë direktivat e Brukselit.

Gjermania kishte luftuar që suficitet në bilanc të vështrohen më pak rreptë se sa deficitet. Me fjalë të tjera: kampioni i Evropës në eksporte Gjermania nuk donte që të vihej me shpatulla për muri për suksesin e saj. Në fund të fundit, gjermanët me suksesin e tyre çojnë përpara gjithë BE, ritheksoi ministri gjerman i Financave:

"Prandaj, disbalancat tona janë disi të ndryshme nga ato të Greqisë ose vendeve të tjera problematike. Dhe ai që pohon diçka tjetër, nuk gjen aprovimin tim."

Por sipas Komisarit për çështje ekonomike, Olli Rehn, edhe vendet me teprica në bilancin tregtar duhet të organizojnë reforma, për ta nxitur kërkesën brenda vendit. Kështu, kritikë të lokomotivës së rritjes Gjermani kërkojnë futjen e rrogave minimale. Veç kësaj, sipas tyre Gjermania duhet të investojë më fort në kërkimet shkencore dhe arsim.

Autor: Wolfgang Landmesser/ Auron Dodi

Redaktoi: Esat Ahmeti

  • Data 16.03.2011
  • Fjalët kyç Euros
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10ZdG
  • Data 16.03.2011
  • Fjalët kyç Euros
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10ZdG