1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reformë gjigante - Çfarë do të ndodhë me ushtrinë gjermane dhe me detyrimin ushtarak?

24 Gusht 2010

Ushtria gjermane gjendet para reformës më të madhe në historinë e saj 55-vjeçare. Ministri i Mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg duhet të kursejë 8,3 miliardë euro deri më 2014. Të hënën ai paraqiti planet për kursime.

https://p.dw.com/p/OuQI
Guttenberg premton ushtri më të vogël dhe më efikase
Guttenberg premton ushtri më të vogël dhe më efikaseFotografi: AP

Ministri i Mbrojtjes Guttenberg ka hartuar pesë skenarë të ndryshëm, me të cilat, përkundër kursimeve, do të shtohej efikasiteti dhe nuk do të cënohej siguria e vendit. Së pari Guttenberg ka informuar për këto plane kancelaren Merkel, bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert.

Merkel buzëqesh dhe nuk vendos
Merkel buzëqesh dhe nuk vendosFotografi: AP

„Ministri i Mbrojtjes zu Guttenberg mendon se njëri prej skenarëve ofron mundësi më të mëdha. Kancelarja nuk do të vendosë para debatit të gjërë në parti, por mendon se kjo është bazë e mirë për një reformë të mundëshme të Bundesverit dhe për debate brenda partive", tha ai.

Guttenberg preferon "modelin 4"

Kancelarja i ka lënë të hapura të gjitha mundësitë, që do të thotë se nuk pritet një vendim i shpejtë. Zu Guttenberg preferon më së shumti "modelin 4". „Ky model bën të qartë se Bundesveri në fund do të zvogëlohet dhe do të jetë më i mirë. Do të ketë aftësi më të mëdha veprimi, ofron mbrojtjen e vendit dhe kryerjen e punëve të domosdoshme“, shpjegon zu Guttenberg.

"Modeli 4" parashikon zvogëlimin e Bundesverit me një të tretën, në 156.000 ushtarë profesionistë dhe me kontratë si dhe 7.500 persona që vullnetarisht duan të kryejnë shërbimin ushtarak. Këtu përfshihen edhe femrat. Struktura udhëheqëse dhe shtabi do të zvogëlohet, por më së shumti interes ka zgjuar debati rreth heqjes së shërbimit ushtarak.

Debatet rreth detyrimit ushtarak

Shërbim ushtarak edhe për femrat
Shërbim ushtarak edhe për femratFotografi: picture-alliance/dpa

Ministri i Mbrojtjes zu Guttenberg sqaron: „Përsa i përket çështjes së detyrimit ushtarak për mua është shumë me rëndësi që ajo të mbetet në Kushtetutë, sepse mua më befasojnë ata që mendojnë, se e dinë se çfarë do të ndodhë pas 20 apo 30 vitesh. Unë nuk e di, prandaj besoj se duhet të mbetet mundësia e angazhimit të të rinjve, në rast nevoje."

Jo detyrim ushtarak, por...
Jo detyrim ushtarak, por...Fotografi: AP

Guttenberg është pra kundër heqjes së plotë të detyrimit ushtarak. Për liberalët, debati po shkon në drejtim të duhur, ndërsa shumë politikanë të partive të Unionit janë të pakënaqur. Disa prej tyre kërkojnë heqjen e këtij detyrimi, ndërsa të tjerët janë kundër.

Edhe partitë opozitare kanë mendime të ndryshme. Kryetari i socialdemokratëve Sigmar Gabriel është për mbetjen e shërbimit ushtarak në baza vullnetare. Ndërsa ekologjistët janë të pakënaqur.

„Këtu nuk duhet të ketë zgjedhje gjysmake ku të thuhet se detyrimi ushtarak parashikohet me Kushtetutë, se mbetet shërbimi vullnetar ushtarak dhe gjëra të tilla. Detyrimi ushtarak duhet të hiqet dhe të futet një lloj shërbimi fleksibël në gjatësi prej 12 deri 24 muaj, si për gratë ashtu dhe për burrat", pohon Renate Künast, e cila mendon se këtë mënyrë do të kurseheshin rreth 45.000 vende pune. Debati vazhdon.

Autor: Heiner Kiesel/Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi