1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Referendumi për sistemin presidencial në Turqi

Turqit votojnë sot (16.04) për futjen ose jo të sistemit presidencial përmes një referendumi. Dita e votimeve u parapri nga një fushatë e ashpër. Opozita thotë se fushata zgjedhore nuk ishte e ndershme.

55,3 milionë turqit votojnë sot (16.04.) me Po ose Jo për një sistem të ri presidencial, të shoqëruar me 18 ndryshime kushtetuese në vend. Jashtë Turqisë, ku jetojnë, 2,9 milionë vetë, ndërkohë është votuar. Sondazhet, që nuk merren si shumë të besueshme, parashikojnë një garë kokë më kokë. Referendumi po zhvillohet në gjendje të jashtëzakonshme, që vazhdon ende pas përpjekjes për puç ushtarak, e cila kufizon lirinë e grumbullimit dhe zgjat deri të mërkurën e ardhshme.

Të shtunën Erdogan e forcoi edhe një njeherë angazhimin në mbyllje të fushatës për sistemin presidencial, për të bindur të pavendosurit. Presidenti turk quajti referendumin "një revolucion historik”. Në disa mitingje të fundit ai bëri thirrje të votoheshin ndryshimet kushtetuese, sepse ato janë "pika e kthesës në luftë kundër terrorit. 

Edhe kampi i kundërshtarëve të sistemit presidencial u angazhua në fund të fushatës. Për ta sistemi presidencial, i cili do t'i japë më shumë pushtet Erdoganit, do të thotë sundimi i një njeriu të vetëm. Krerët e partisë më të madhe opozitare, CHP në komisionin zgjedhor turk kanë kritikuar një fushatë zgjedhore jo të drejtë, pasi partia qeverisëse, AKP ka shfrytëzuar mjetet shtetërore për të bërë fushatë për sistemin presidencial. Politikani Mehmet Hadimi Yakupoglu tha për agjencinë gjermane të lajmeve, dpa tha, se "AKP mundi të bënte fushatë pa pengesa, mundi të përdorte avionë e makina shtetërore, jo të paguara nga xhepi i vet, por nga taksat e turqve.”

Kritikat e OSBE

Kritika erdhën të shtunën edhe nga OSBE. Kreu i vëzhguesve të OSBE-së, Michael Link u shpreh, se „vërtet kemi vëzhguar një disavantazh të atyre mediave, që i përkisnin kampit të JO-së Gazeta, transmetues televizivë e portale interneti të afërt me qeverinë janë më të preferuar e marrin më shumë kohë transmentimi." Në një intervistë me gazetën „Augsburger Allgemeine", Link tha se, nëse qeveria turke punon „profesionalisht mirë" me vëzhguesit zgjedhorë të OSBE, kjo nuk mund të thuhet për vëzhguesit vendorë. „Ata u nënshtrohen kufizimeve konkrete, më shumë se në zgjedhjet e mëparshme", tha Link duke theksuar, se në këtë pikë ka efekte negative gjendja e jashtëzakonshme. Si shembull ai merr refuzimin e akreditimit si vëzhgues zgjedhorë për disa aktivistë të të drejtave të njeriut nga ana e autoriteteve zgjedhore. Por kritikave të OSBE-së, presidenti Erdogan iu përgjigj më pare duke thënë se „ajo duhet të njohë kufijtë e saj".

Berlin - Erdogangegner bei Hayir-Kampaqne (picture-alliance/ZUMAPRESS/J. Scheunert)

Fushata "Jo"

Fund i bisedimeve me BE?

Raportuesja për Turqinë e fraksionit të partive popullore europiane, EVP, Renate Sommer pret që pas referendumit të mbyllen bisedimet e anëtarësimit me Ankaranë. „Bisedimet e anëtarësimit janë të vdekura, sidoqoftë edhe kështu", tha Sommer për agjencinë, afp. „Po qe se Erdogani fiton, kemi të bëjmë me një diktaturë, nuk mund ta përfytyroj që të kemi ende bisedime anëtarësimi." Sipas Sommer, ajo beson se Erdogan do t‘i qëndrojë besnik marrëveshjes për refugjatët me BE. „Edhe Erdogan nuk mund të dojë pamjet me njerëzit që mbyten", tha politikanja kristiandemokrate.