1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Referendumi ngre shumë pyetje

Vetëm një javë fushatë elektorale dhe një formulim i paqartë: referendumi në Greqi është i diskutueshëm në aspektin kushtetues dhe ka elementë të tjerë të çuditshëm.

Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë më të re të Greqisë: brenda vetëm një jave duhet të organizohet dhe kryhet një votim në të gjithë vendin me pasoja afatgjata. Që fushata elektorale për këtë referendum nuk zgjat më shumë se tetë ditë, ky nuk është vetëm një fakt i çuditshëm, por edhe një shkelje e kushtetutës greke, beson juristi i së drejtës ndërkombëtare dhe politikani Evangelos Venizelos. Zgjedhësit nuk kishin thuajse fare kohë, që të informohen si duhet dhe të formonin mendimin e tyre, kritikon në Parlamentin grek ish-shefi i socialistëve. Kundërargumenti i Partisë së majtë: prej muajsh dhe vitesh debatohet në Parlament për këto tema, prandaj populli është i informuar mjaftueshëm.

"Ky referendum popullor nuk është i përgatitur në mënyrë serioze", konstaton Lucas Tsoukalis, kryetar i Qendrës Kërkimore të Athinës ELIAMEP, në bisedë me DW. "Vetë fakti që fushata elektorale është kaq e shkurtër ngre çështje të rëndësishme për respektimin apo jo të kushtetutës." Ministri i Brendshëm, Nikos Voutsis nga ana e tij nuk sheh probleme, por jep siguri: "Ky referendum do të zhvillohet në transparencë të plotë dhe do të organizohet në kohën e duhur". Kjo nuk është detyrë e lehtë për shtetin grek: brenda pak ditësh duhet të shtypen rreth 10 milionë fletë votimi dhe të shpërndahen në 19.000 lokale zgjedhjesh në të gjithë vendin. Dërgimet e para të fletëve të votimit në lokale do të nisin të mërkurën, në mënyrë që fletët e votimit të mbërrijnë në kohën e duhur në ishuj e në rajone të largëta, tha Ministri.

Greichenland Premierminister Alexis Tsirpas

Mos votoni PO, u kërkoi Tsipras grekëve në një fjalim televiziv

A është formuluar qëllimisht jo qartë pyetja e referendumit?

Krahas kohës së shkurtër të përgatitjes, i diskutueshëm është edhe pyetësori i referendumit: grekët pyeten nëse do të pranohen propozimet më të fundit të kredidhënësve. Këto bazohen kryesisht në dy studime, dhe bashkë numërojnë 34 faqe: "Reformat për përfundimin e programit në vazhdim dhe më tej" dhe "analiza e përkohshme për aftësinë për të përballuar borxhe" të Greqisë.

Juristi athinas Nikos Alivizatos supozon se pas formulimit të paqartë të pyetjes qëndron paramendim. "Qeveria e di: po të pyeste në mënyrë direkte, nëse vendi do të qendrojë apo jo në Eurozonë, ajo me siguri do ta humbiste referendumin. Por megjithë parashtrimin aktual të pyetjeve, e gjitha do të përfundojë në një votim për Euron", shpjegon juristi në kanalin televiziv Skai.

Sa kushton referendumi ?

Në bazë të kushtetutës, një referendum që të konsiderohet i vlefshëm në të duhet të marrin pjesë të paktën 40 përqind të votuesve. Sa do të kushtojë në fund ky referendum, kjo është e diskutueshme. Gjykata greke e Llogarive beson se do të kushtojë 110 milionë euro, kurse Ministri i Brendshëm Voutsis mendon se do të kushtojë rreth 20 milionë euro. Vlerësimet për shpenzimet faktike janë të vështira, sepse në Greqi nuk ka pasur referendum që prej vitit 1974. Atëherë u votua për abrogimin e monarkisë pas rënies së diktaturës ushtarake (1967-1974).

Elementë të tjerë të çuditshëm të referendumit: në fletën e votimit Jo-ja është mbi Po-në - pra jo në rendin e duhur alfabetik. Veç kësaj, më shumë se dy milionë grekë që jetojnë jashtë vendit nuk kanë të drejtë të votojnë.

DW.COM