1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Referendumi në Turqi: Erdogani fitoi referendumin

Pas numërimit të 98,2 përqind të votave, me 51,31 përqind po prin kampi që mbështet zgjerimin e kompetencave të Presidentit Erdogan. Në qytetin më të madh të vendit, në Stamboll, prin kampi kundërshtar i "Jo".

Në referendumin për instalimin e sistemit presidencial në Turqi, të kërkuar nga kryetari i shtetit Rexhep Tayyip Erdogan, pas numërimit të dy të tretave të votave prin kampi i votave "po". Agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu njoftoi se 51,31 përqind e zgjedhësve kanë votuar pro variantit të sistemit presidencial të kërkuar nga Erdogani. 48, 6 përqind kanë votuar me "jo". Këto rezultate u bënë të ditura pas numërimit të 98,2 përqind të votave të dhëna brenda dhe jashtë vendit. Në qytetin e Stambollit, sipas agjencisë Anadolu, prin kampi "Jo" me mbi 50 përqind të votave, pas numërimit të 90 përqind të votave të dhëna. CNN Türk thotë se edhe në Ankara me 50.2 përqind prin kampi "Jo".

Në sondazhe qe parashikuar se të dyja kampet kundërshtare do të mblidhnin një numër të ngjashëm votash në referendum. Votimi përfundoi në orën 16.00 me mbylljen e lokaleve zgjedhore në Perëndim të vendit. Menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit nisi numërimi i votave. Televizioni Haberturk njoftoi se pjesëmarrja në votime qe rreth 86 përqind.

Ankesa për parregullsi

Ndërkohë, përfaqësues të partive opozitare turke u ankuan për akte "ilegale" në referendum. Zëvendëskryetari i partisë kryesore opozitare Partia Popullore Republikane (CHP), Erdal Aksunger u tha  reporterëve se "në moment po kryhen shumë akte ilegale në favor të qeverisë, por "Jo" do të fitojë në fund." Aksunger e kishte fjalën për një deklaratë në faqen e Bordin të Lartë Zgjedhor (YSK), të publikuar disa orë para se të mbylleshin kutitë e votimit. Në të thuhej se ky organ do t'i llogariste si të vlefshme edhe fletët e votimit të pavulosura nga zyrtarët, deri sa ato të konsiderohen të falsifikuara. Këtë e YSK e shpjegon se janë paraqitur ankesa se zyrtarë të YSK-së nuk kanë arritur t'i vulosin disa fletë votimi.

Po të miratohet sistemi i ri presidencial, ai do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve të përgjithshme në nëntor 2019. Në këtë rast pushteti ekzekutiv do të centralizohet nën Presidentin e shtetit, duke i dhënë Erdoganit fuqi të drejtpërdrejtë për të emëruar ministra dhe duke e eleminuar rolin e kryeministrit. Vëzhgues thonë se një rezultat i referendumit pro kërkesës së Erdoganit vetëm do të legjitimonte edhe juridikisht një pushtet që Erdogani e ushtron faktikisht.