1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Referendumi në Republika Serbska sjell vetëm probleme

Referendumi në Republikën Serpska paraqet një manipulim politik dhe nuk është rruga e duhur për anëtarësim në BE. Branko Todoroviq flet për pasojat negative të këtij referendumi.

Referendumi, që zhvillohet në Republikën Serpska (RS) më 25 shtator, kërcënimi i Sefer Haliloviqit me luftë dhe reagimet ndaj kësaj deklarate, pranimi i kërkesës së Bosnjë-Hercegovinës (B-H) për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe roli i vendeve fqinje për stablitetin e B-H, janë temat për të cilat flet për DW, Branko Todoroviq, drejtori ekzekutiv i Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në RS.

Referendumi nuk është në interesin e qytetarëve të RS

Todoroviq mendon se referendumi i 25 shtatorit nuk është në interesin e qytetarëve të Republikës Serpska, por është në interesin e shumicës në pushtet. Ky referendum nuk i zgjidh problemet, por shkakton probleme edhe më shumë. Todoroviq thotë se strukturat e pushtetit duan kështu të zhvendosin vëmendjen nga gjendja e rëndë ekonomike, korrupsioni dhe problemet e mëdha. Por ai thotë se fajin e ka edhe opozita në këtë entitet, si dhe strukturat politike në gjithë B-H.

"Opozita në RS po merret me kalkulime dhe nuk ka ndonjë vizion apo guxim për ndryshime thelbësore dhe reforma. Shumë shqetësuese është edhe sjellja e autoriteteve të B-H në Sarajevë, të cilat flasin për kinse problemet e cënimit etnik, ndarjet, frikën dhe mosbesimin. Të gjitha këto po keqpërdoren për qëllime politikie", thotë Todoroviq.

"Vendimet e Gjykatës Kushtetuese të B-H janë të detyrueshme, referendumi paraqet shkelje të Marrëveshjes së Dejtonit dhe është kundër interesave të qytetarëve të RS. E papranueshme është që për shkak të interesave politike të një strukture, të cënohet stabiliteti në këtë vend dhe në rajon. Sepse për një gjë të tillë nuk ekziston as mbështetja e Beogradit."

Cënimi i shtetit juridik është vepër penale

Branko Todoroviq pohon se kerët e RS dhe disa të B-H janë duke punuar kundër shtetit juridik, që është vepër penale. Dobësitë në sistemin juridik mund të evitohen me reforma. "Por në vend të reformave, politikanët po përpiqen që t'i fusin nën kontroll të gjitha institucionet juridike, policore dhe të tjera. Motivi kryesor është që të mos përgjigjen para organeve të drejtësisë për korrupsion dhe vepra të tjera", mendon ai.

Në fushatën për referendum janë përfshirë më së shumti partitë dhe forcat rreth SNSD të Millorad Dodikut. E gjitha po zhvillohet në prag të zgjedhjeve lokale, të cilat zhvillohen më 2 tetor. Branko Todoroviq thotë se përgjegjësinë më të madhe e kanë tani qytetarët që t'i thonë jo një politike të tillë.

"Qytetarët shpesh me mendjelehtësi u besojnë këtyre premtimeve dhe bien pre e manipulimeve politike. Ato fusin përçarje mes popujve, thellojnë mosbesimin etnik dhe fetar dhe sjellin konflikte". Ndërsa Sefer Haliloviq me deklaratat e tij luftarake i ka bërë një shërbim shumë të madh Dodikut. "Deklarata për mobilizimin e atyre që janë kundër referendumit, po ashtu paraqet një nxitje të armiqësive dhe urrejtjes."

Rruga evropiane nuk ka alternativë

Branko Todoroviq thotë se është shumë dëshpëruese që e gjitha kjo po ndodh në momentin kur Bashkimi Evropian i ka hapur dyert për paraqitjen e kërkesës së B-H për anëtarësim në BE. Pikërisht në këtë kohë në B-H flitet më së shumti për luftën, urrejtjen, tensosjet ndëretnike dhe ndërfetare, izolimin e këtij vendi. "Shumë dëshpëruese është që pikërisht në këtë hapet çështja e referendumit, në vend të reformave. Në shtigje afatgjata, rruga e vetme e B-H është anëtarësimi në BE. Kjo nuk ka alternativë tjetër."