1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Referendumi gjerman për Europën

Ministri i Financave Schäuble ka ndezur debatin në Gjermani me idenë e mbajtjes së referendumit për Europën. Ndërkohë që shumë politikanë e përkrahin Schäublen, kancelarja Merkel nuk është pozicionuar qartë.

Monumenti i Europës në qytetin e Kretës

Monumenti i Europës në qytetin e Kretës

Në Gjermani nuk ka pasur kurrë ndonjë referendum. Ai mund të organizohet vetëm në lande apo në komuna. Javët e fundit janë hedhur disa herë idetë për referendum, gjë që ka shkaktuar debate të shumta. Për këtë çështje janë deklaruar gati të gjithë politikanët me zë.

Debati u ndez pas një interviste të ministrit gjerman të Financave, Wolfgang Schäuble lidhur me krizën e euros në revistën "Der Spiegel". Kristiandemokrati ka refuzuar rishtazi eurobondet duke i quajtur ato kolektivizim të borxheve, për sa kohë që nuk krijohet një union i përbashkët fiskal. Krijimi i një unioni të tillë do të thotë kalim i kompetencave të buxhetit nga niveli i vendit anëtar në atë europian. Për legjitimimin e këtyre vendimeve e domosdoshme është edhe zgjedhja me vota të drejtëpërdrejta e një presidenti të Komisionit të Bashkimit Europian, forcimi i Parlamentit Europian dhe krijimi i një dhome, sipas modelit të Këshillit Federal në Gjermani apo të Senatit amerikan.

Referendumi nuk është i pamundur

Juristi Schäuble pohon se kushtetuta nuk i lejon ndryshime të tilla. Ndaj i domosdoshëm është një referendum dhe ndryshimi i kushtetutës gjermane: "Mendoj se kjo mund të bëhet më shpejt se sa mendohet, madje më shpejt se sa kam menduar unë para disa muajve."

Schäuble ndezi debatin

Schäuble ndezi debatin

Kancelarja Angela Merkel ka kumtuar përmes zëdhënësit të saj, Steffen Seibert: "Tani për tani këta hapa nuk janë vendosur në rendin e ditës, nuk mund të bëhen nesër apo pasnesër - më mirë të themi pasnesër." Vetë kancelarja deri tani nuk është deklaruar për çështjen e referendumit. Por shumë politikanë të tjerë e kanë shprehur mendimin e tyre - shumica në favor të idesë së Schäubles.

Lidei i socialdemokratëve Sigmar Gabriel i dha edhe një shtysë tjetër debatit në fillim të Gushtit. Ai ka kërkuar një "politikë të përbashkët europiane për financat dhe tatimet", por pa lejuar dështimin e euros. Duhet hartuar një bazë e përbashkët për ndryshimet kushtetuese, e cila më vonë duhet paraqitur para qytetarëve në referendum, deklaroi ai për gazetën "Berliner Zeitung".

Sigmar Gabriel: Ndryshe euro do të kapitullojë

Sigmar Gabriel: Ndryshe euro do të kapitullojë

Politikanët e të gjitha partive presin referendum

Shumë politikanë të lartë socialdemokratë, si Frank Walter Steinmeier apo Peer Steinbrück, kanë mbështetur idenë e Gabrielit. Edhe liderja e ekologjistëve, Claudia Roth është deklaruar në të njëjtën frymë. Përfaqësuesja e të Majtës Sahra Wagenknecht po ashtu ka mbështetur idenë e referendumit, por jo vetëm sa për të hequr fajin nga personat përgjegjës.

Idetë e Schäubles dhe Gabrielit i kanë mbështetur edhe liberalët. Shefi i grupit të deputetëve liberalë në Parlament Rainer Brüderle deklaroi për gazetën "Hamburger Abendblatt" se "mund të vimë në një pikë, kur do të jetë i domosdoshëm edhe referendumi për Europën". Ai theksoi: "Ne liberalët kemi qenë gjithmonë për një kushtetutë europiane." Me fjalë të ngjashme është shprehur edhe ministri i Jashtëm Guido Westerwelle dhe ministrja e Drejtësisë Sabine Leutheusser-Schnarrenberger.

Kryetari i Partisë CSU Horst Seehofer ka kërkuar që referendume të mbahen edhe për çështjet europiane, siç është ndihma e vendeve në krizë apo pranimi i vendeve të tjera në Bashkimin Europian.

Kundërshtimet e rralla

Këtë ide kanë kundërshtuar ministrat Ursula von der Leyen dhe Thomas de Maiziere. Ministri i Mbrojtjes i tha gazetës "Tagesspiegel": "Para deklarimit të popullit për ndryshimet kushtetuese duhet të ndryshojmë marrëveshjet europiane." Është e ditur se sa e vështirë është kjo punë. Ndërsa ministrja e Punës von der Leyen deklaroi për të njëjtën gazetë se "nuk mund ta kontestojmë kaq shpejtë kushtetutën tonë shumë të pasur dhe të vlefshme." Kushtetuta ofron shumë hapësirë manovruese për çështjet e integrimeve europiane, mendon ministrja.

Kushtetuta gjermane

Kushtetuta gjermane

Por deri tani ka mendime të ndryshme lidhur me hapësirën që ofron kushtetuta. Ekspertët kanë mendime të kundërta. Ndaj pritet me vëmendje shumë të madhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese me 12 Shtator, lidhur me fondin për ndihmën e vendeve në krizë. E sigurt është vetëm një: një garanci kushtetuese për kalimin e kompetencave nga niveli vendor në atë europian nuk ekziston.

Kushtetuta parashikon se çfarë nuk mund të ndryshohet. Njëra prej tyre është që "i gjithë pushteti buron nga populli". Ndërkohë që pushteti europian nuk do të pasqyronte vetëm pushtetin e popullit gjerman. Ndaj kërkohet një bazë e re juridike. Për këtë është e domosdoshme të deklarohet edhe populli me votën e tij të lirë.