1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Reagojnë ashpër Vetëvendosja dhe AAK-ja pas marrëveshjes PDK - LDK

Mbi pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare dy partitë më të mëdha politike në Kosovë, PDK dhe LDK, ranë dakord të formojnë institucionet e reja të Kosovës. LDK, thotë se Isa Mustafa do të jetë kryeministër.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, dy partitë politike më të mëdha në Kosovë, u pajtuan në parim (19. 11) që të formojnë institucionet e reja. Marrëveshja u arrit në orët e vona të ditës së mërkurë, në një takim me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, ku e pranishme ishte edhe ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson. Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur sonte e mërkurë 19.11 në një takim të përbashkët me kërkesën e tyre kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të përpjekjeve për krijimin e institucioneve të Kosovës. Në takim, me ftesën e Presidentes Jahjaga, mori pjesë edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Ann Jacobson.

Në takimin e zhvilluar në zyrën e Presidentes, me nismën e dy liderëve, Thaçi dhe Mustafa u pajtuan në parim për ndërtimin e koalicionit ndërpartiak ndërmjet Partisë Demokratike e Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të ndërtuar institucionet e Republikës së Kosovës, konform Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. "Të dy liderët politikë theksuan përkushtimin e tyre për përmbylljen e shpejtë të procesit të ndërtimit të institucioneve në bazë të Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe parimeve kushtetuese që ruajnë karakterin shumëetnik të Republikës së Kosovës, përmbushin obligimet ndërkombëtare të rendit dhe ligjit dhe forcimit të rrugës euroatlantike të vendit tone”, thuhet në deklaratën për media të presidentes Jahjaga. Presidentja, thotë se ajo si faktor i unitetit dhe garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve të Kosovës do të vazhdojë të luajë rolin lehtësues në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës në këtë proces.

Kritika të ashpra nga Kurti dhe Haradinaj

Reagimet e partive që tashmë janë jashtë këtij koalicioni ishin të menjëhershme, sidomos dy partitë që ishin pjesë e bllokut kundër PDK-së, AAK dhe Vetëvendosja. Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, koalicionin ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, e cilëson si “zgjidhjen më të dëmshme që ka mundur t'i ndodhë Kosovës, madje edhe më e dëmshme se ngërçi politik që ka qenë që pesë muaj”. Sipas Kurtit "kjo qeverisje vetëm sa do të legjitimojë krimin e organizuar”.

Ndërkohë, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, thotë se koalicioni PDK-LDK do t'i kushtojë shumë Kosovës. “Kam besuar në ndryshim. Jam angazhuar parreshtur për të ndërtuar demokracinë dhe qeverisjen e mirë. Për Kosovën, për shtetin, shoqërinë, të tashmen dhe të ardhmen tonë. Mënyra e tillë e ndërtimit të institucioneve do ta thellojë kapjen e shtetit nga krimi dhe korrupsioni, ngulfatjen e demokracisë, duke e ngulfatur shoqërine civile dhe mediat, përmes instrumentalizimit të tyre dhe do ta bëjë shumë të vështire punën e opozitës”, tha Ramush Haradinaj.

Sidoqoftë, një ditë pas arritjes së marrëveshjes së koalicionit, dy partitë politike PDK dhe LDK, nisën punën e grupeve punuese për të harmonizuar siç thanë programet qeverisëse, që nënkupton edhe ndarjen e ministrive. LDK, thotë se Isa Mustafa do të jetë kryeministër i Kosovës, ndërsa, nga PDK akoma nuk e konfirmojnë këtë, pos që këshilli drejtues i kësaj partie i dha mbështetje koalicionit PDK-LDK. Deputetja më e vjetër e parlamentit të Kosovës Flora Brovina, tha se ajo tashmë e ka njoftuar sekretarinë e kuvendit të Kosovës që të jenë gati për vazhdimin e seancës e konstituive, e cila me gjasë do të mbahet ditën e premte (21.11.2014).