1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Reagimet pas rezolutës së Këshillit të Evropës për raportin Marty

Miratimi në Këshillin e Evropës i rezolutës për raportin e Dick Marty-t, ka shkaktuar reagime të ndryshme në Prishtinë, Beograd dhe qarqet ndërkombëtare.

default

Marty: tani e kanë radhën organet e drejtësisë të zbardhin faktet.

Dick Marty pohoi, se tani e kanë radhën organet e drejtësisë për të zbardhur deri në fund të vërtetën për krime dhe trafikim me organe njerëzore. Por ai kërkon sigurinë e plotë të dëshmitarëve. Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, premtoi mbështetjen e plotë të institucioneve kosovare lidhur me rezolutën, e cila kërkon bashkëpunimin e plotë të autoriteteve të Prishtinës, Tiranës, Beogradit dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Kosova premton bashkëpunim pa rezerva

"Kosova është e gatshme të përballet me këto akuza dhe jemi të interesuar që e vërteta të zbardhet deri në fund, edhe në qoftë se është shumë e dhimbshme", deklaroi Krasniqi.

Ai shpreson se rezoluta nuk do të ketë ndonjë ndikim në pozitën politike të Kosovës. Ministi kosovar i Arsimit Enver Hoxhaj, pranon se imazhi i Kosovës është dëmtuar me miratimin e raportit të Dick Marty-t dhe rezolutës. Por edhe ai gjatë qëndrimit në Strasburg premtoi bashkëpunimin e plotë me autoritetet e Eulex-it, për të zbardhur deri në fund të vërtetën dhe, siç u shpreh ai, për të hequr përgjithmonë dyshimet për trafikim me organe njerëzore.

Anëtari i delegacionit serb në Këshillin e Evropës, Millosh Aligrudiq, u shpreh i kënaqur me miratimin e kësaj rezolute. "Ana e mirë e rezolutës është, që për viktimat për të cilat bashkësia ndërkombëtare ka heshtur me vite, të flitet edhe në një nivel siç është Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, dhe këtë familjarët e kanë pritur. Kjo është bërë e mundur vetëm pas ndryshimit të klimës mediatike, të cilën Serbia ende nuk po e shfrytëzon sa duhet", tha Aligrudiq.

Ministri i Brendshëm serb Ivica Daçiq theksoi, se me rëndësi është, që hetimet të fillojnë menjëherë. Ndërsa kryetarja e Parlamentit të Serbisë Sllavica Gjukiq - Dejanoviq pohon, se opinioni serb dhe ai ndërkombëtar pret, që KFOR-i dhe Eulex-i të ndërmarrin masat e duhura për zbardhjen e plotë të së vërtetës mbi pohimet e raportit të Dick Marty.

Rezoluta ka të bëjë me të drejtat e njeriut dhe jo statusin e Kosovës

Të gjitha zhvillimet rreth këtij raporti dhe miratimin e rezolutës në Këshillin e Evropës, gazeta sllovene "Delo" i komenton me këtë titull: "Miratimi i raportit të Dick Martyt është eksploziv". Sipas komentatorit, rezoluta s'ka të bëjë fare me statusin politik të Kosovës, por me të drejtat e njeriut që janë baza e çdo demokracie.

"Kosova natyrisht që e meriton pavarësinë, por Prishtina ka nevojë për të vërtetën e plotë, lidhur me gjërat që përmenden në këtë raport dhe që i ka përmendur edhe ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte", konstaton "Delo".

Autor: Bahri Cani (dpa, afp)

Redaktoi: Eliana Xhani

DW.COM

  • Data 26.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/105TH
  • Data 26.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/105TH