1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Reagimet pas ndalimit të Blerim Kuçit nga EULEX

Misioni EULEX njoftoi, se kryetari i komunës së Suharekës, Blerim Kuçi, është dënuar me 30 ditë heqje lirie për refuzim dëshmie. Jozyrtarisht thuhet se Kuçi nuk ka pranuar të dëshmojë kundër deputetit Fatmir Limaj.

default

Mosdhënia e dëshmisë për një rast që ka të bëjë me krime lufte, i ka kushtuar me një muaj paraburgim, kryetarit të komunës së Suharekës, Blerim Kuçi. Masën e paraburgimit prej 30 ditësh, zotit Kuçi ia ka shqiptuar, gjykatësi i procedurës paraprake të misionit EULEX, Ferdinando de Mongo. Siç thuhet thuhet në njoftimin e misionit EULEX, Kuçi ka refuzuar në mënyrë të përsëritur të japë dëshmi gjatë një hetimi. Zëdhënësja e EULEX-it, Kristina Herodes, thotë se Blerim Kuçit i është dhënë mundësia të dëshmojë ditën e martë dhe në disa raste të tjera. Ai është dëshmitar në një rast penal, që po udhëhiqet nga Prokuroria e Posaçme e Kosovës, por Kuçi ka refuzuar.

“Ai po ashtu është gjobitur me 250 euro për mosdhënie të deklaratës, pavarësisht faktit se ai i di të gjitha përgjigjet. Kodi i Procedurës Penale të Kosovës, e thotë qartë se dëshmitari mund të gjobitet ose dënohet me heqje lirie nëse nuk ofron dëshminë”, tha zëdhënësja Kristina Herodes.

Misioni EULEX, nuk ka pranuar të sqarojë se për çfarë hetimesh bëhet fjalë. Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, parti kjo nga vjen Blerim Kuçi, ka thënë se çështja ka të bëjë me hetime për krime gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Edhe pse zyrtarisht nuk është dhënë arsyeja, thuhet se zoti Kuqi nuk ka pranuar të dëshmojë kundër deputetit të Parlamentit të Kosovës Fatmir Limaj, ndaj të cilit EULEX po zhvillon hetime për krime lufte.

Për rastin Limaj, misioni EULEX, është duke kërkuar rrugë ligjore nëse imuniteti i deputetit e mbron Fatmir Limajn, nga ndekja penale për krime lufte. Tri javë më parë, EULEX-i arrestoi nëntë persona dhe nën dyshimet për vrasje, torturë dhe cenim të shëndetit e integritetit fizik të shqiptarëve nga Kosova, civilëve serbë dhe të burgosurve të luftës në fshatin Kleçkë në Kosovën qendrore në vitin 1999. Këto arrestime nxitën reagime me protesta në gjithë Kosovën. Edhe dënimi i kryetarit të komunës së Suharekës, u kundërshtua nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë. Nënkryetari i kësaj partie Ahmet Isufi, i bëri thirrje EULEX-it që të mos dëmtojë vlerat e luftës.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, fton EULEX-in që t'i përmbahet prioriteteve të veta për sundimin e ligjit në Kosovë dhe që të mos prekë luftën e drejtë të shqiptarëve të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi. EULEX-i ka për detyrë, që të ndihmojë institucionet e Kosovës në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative, që po vazhdojnë të rrezikojnë stabilitetin dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës”, deklaroi Isufi.

Zyrtarë të misionit EULEX-it kanë përsëritur, se hetimet kanë të bëjnë më individë dhe jo me ndonjë organizatë të caktuar. Lidhur me paraburgimin e kryetarit të komunës së Suharekës, Blerim Kuçi, ka reaguar edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës, duke kërkuar nga institucionet qendrore të vendit, që të sqarojnë opinionin se mbi çfarë baze dhe mandati po vepron EULEX-i. Komunat e Kosovës, thuhet në reagim, vlerësojnë, se është bërë dukuri që pa bazë të arrestohen personalitetet e larta dhe bartës të institucioneve të Kosovës. Instiucionet qendrore të Kosovës nuk kanë reaguar lidhur me paraburgimin e Blerim Kuçit.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 06.04.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10oCi
  • Data 06.04.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10oCi