1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Reagimet pas incidentit në Mitrovicë

Policia e Kosovës dhe misioni EULEX, po vazhdojnë hetimet lidhur me incidentin që ndodhi mbrëmë në lagjen Kroi i Vitakut në veri të Mitrovicës. Dhuna u dënua ashpër nga qeveria e Kosovës dhe institucionet ndërkombëtare.

Barrikada serbe në Rudare, 31.07.2011.

Policia gjatë ditës së sotme ka bastisur gjashtë shtëpi dhe lokale në Mitrovicë, por deri tani nuk ka asnjë person të arrestuar e as të dyshuar të jetë i përfshirë në vrasjen e serbit dhe plagosjen e dy të tjerëve.

Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti, thotë se policia ka marrë deklarata nga banorët e lagjes Kroi i Vitakut, për të përshkruar atë çfarë në të vërtetë ka ndodhur mbrëmë.

“Sipas asaj që policia ka marrë informacion, ka ndodhur një rrahje që ka vazhduar në mes të banorëve shqiptarë dhe serbë në atë lagje. Sipas pretendimeve të disa banorëve, thuhet se grupi i personave janë futur në përleshje fizike, për, siç thonë ata, tentativë të vjedhjes së disa shtëpive të banorëve shqiptarë aty”, - deklaroi zëdhënësi Besim Hoti.

Edhe gjatë ditë së sotme (10.11.) kanë vazhduar reagimet e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare duke e dënuar incidentin në Mitrovicë.

Shefi i zyrës Civile Ndërkombëtare Peter Faith, tha se vdekja e një personi është tragjedi për familjen e tij dhe për komunitetin, por pavarësisht rrethanave në të cilat ndodhi incidenti, nuk duhet të lejohet, që të përdoret si pretekst për rritje të tensionit dhe frikës në rajon.

Shefi i zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Peter Faith.

Shefi i zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Peter Faith.

“I bëj thirrje gjithë popullit në komunitet, që të bashkëpunojnë me policinë e Kosovës dhe t'i lejojë asaj të zhvillojnë hetime sa më efikase, që të jetë e mundshme. Kjo është e vetmja mënyrë për zgjidhjen e incidentit pa vonesë dhe sjelljen e drejtësisë për ata që pësuan plagosje dhe vdekje të anëtarit të familjes”, thuhet në reagimin e Peter Faith.

Ndërkohë, mediat serbe njoftojnë se ministri serb për Kosovën në qeverinë e Serbisë Goran Bogdanoviq, incidentin e mbrëmshëm në veri të Mitrovicës e ka cilësuar si një sulm “terrorist”. Ai ka kërkuar që hetimet të zhvillohen nga policia e misionit EULEX e jo nga policia e Kosovës.

Edhe kuvendi komunal i Mitrovicës, në një mbledhje të mbajtur sot, kërkon nga KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës që të shtojnë praninë e tyre në lagjet me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës në mënyrë që të parandalohen incidentet e mundshme ndëretnike.

Të menjëhershme pas incidentit të mbrëmshëm kanë qenë reagimet e institucioneve më të larta të Kosovës.

Thirrje për maturi dhe qetësi - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Thirrje për maturi dhe qetësi - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Presidentja Atifete Jahjaga, u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të "tregojnë maturi dhe qetësi dhe që zgjidhjen e të gjitha çështjeve ta bëjnë përmes rrugëve institucionale duke respektuar ligjin. Presidentja, Jahjaga, po ashtu u bën thirrje organeve kompetente të hetojnë rrethanat që çuan te incidenti dhe të ndërmarrin të gjitha masat, që autorët e tij të arrestohen dhe të nxirren para drejtësisë.

Edhe qeveria e Kosovës e dënoi ashpër incidentin që ndodhi në veri të Mitrovicës.

"Qeveria fton organet kompetente që t'i ndërmarrin të gjitha masat që autorët e këtij akti të rëndë, të nxirren para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar", thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.

Incidenti i mbrëmshëm në Lagjën Kroi i Vitakut në veri të Mitrovicës ndodhi në kohën kur në tërë rajonin e veriut të Kosovës vazhdimisht po mbretëron një situatë e tensionuar për shkak të barrikadimit të rrugëve nga serbët tash e dy muaj. Forca të policisë së Kosovës, ato të misionit EULEX dhe trupat e KFOR-it, shtuan gjatë natës prezencën e tyre edhe më shumë në veri të Mitrovicës. Të mërkurën (9.11.) në mëngjes forcat paqeruajtëse përdorën gazin lotsjellës kundër një mase serbësh të cilët tentonin ta pengonin KFOR-in, për të mbyllur një rrugë ilegale, që serbët e Kosovës e përdornin për kalim në Serbi dhe anasjelltas.

Autor: Bekim Shehu / Prishtinë

Redaktoi: E. Xhani