1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagimet nga Gjermania për atentatet në Bombei

Peter Hille (DW Berlin) 28 Nëntor 2008

Pas atentateve të rënda në Bombei, shumë politikanë gjermanë kanë shprehur indinjatën e tyre. Ministria e Jashtme gjermane paralajmëron ndaj udhëtimeve në Indi.

https://p.dw.com/p/G5Xu
Reagimet në shtyp për terrorin në Bombei
Reagimet në shtyp për terrorin në BombeiFotografi: AP

Pas dy ditësh forcat e sigurisë në Bombei arritën të vinin në kontroll hotelin luksos Oberoi Trident i cili mbahej i pushtuar nga terroristë islamistë. Qeveria indiane pas serisë së pashembullt të atentateve ngriti akuza të ashpra kundër Pakistanit. Qeveria në Islamabad u mbrojt të premten (28.11.) me argumentin se për sulmet janë përgjegjës "aktorë jo shtetërorë". Qeveria gjermane i dënoi sulmet por u tregua e rezervuar me fajësimet. Shumë parlamentarë gjermanë u shprehën me indinjatë.

Ruprecht Polenz
Ruprecht PolenzFotografi: picture-alliance/ dpa

Ende nuk janë shpërndarë retë e tymit nga Bombei ndërkohë që në të gjithë botën hamendësohet mbi autorët e mundshëm të atentateve në qytetin port të Indisë. Disa politikanë në Berlin i interpretojnë atentatet terroriste në Bombei si deklaratë lufte ndaj Perëndimit, pasi pjesa më e madhe e hoteleve luksoze frekuentohen nga klientë nga Evropa dhe SHBA-të. Rupreht Polenc (Ruprecht Polenz) nga Partia Kristiandemokrate Gjermane (CDU) është kryetar i komisionit për politikën e jashtme në parlamentin gjerman: "Fillimisht jemi të gjithë të tronditur dhe kështu terroristët kanë arritur objektivin e tyre të parë për të shpërndarë frikë dhe tmerr. Ekziston edhe teza se Bombei dhe hotelet e tij luksoze të frekuentuar nga të huajt janë zgjedhur me synimin për të tërhequr menjëherë vëmendje ndërkombëtare. Pra nuk është plotësisht e sigurtë nëse Perëndimi ishte objektivi kryesor i sulmeve."

Sebastian Edathy
Sebastian EdathyFotografi: DW

Pavarësisht nëse terroristët synonin të godisnin evropianë apo nëse interesi i tyre ishte destabilizimi i Indisë: në çdo rast atentati tregon se sa real vazhdon të jetë kërcënimi nga terrori islamist, thotë parlamentari gjerman Polenc: "Për këtë arsye duhet të mbetemi vigjilentë dhe para së gjithash të bashkëpunojmë mirë në plan ndërkombëtar. Terrorizmi mund të mposhtet vetëm nëse të gjitha vendet e globit bashkëpunojnë në planin policor dhe të shërbimit informativ."

Deputeti socialdemokrat Sebastian Edati (Sebastian Edathy) është anëtar i grupit parlamentar gjermano-indian. Babai i tij është me origjinë nga India dhe një pjesë e familjes jeton ende atje. "Natyrisht që shqetësimi është i madh që diçka e tillë është e mundur në Bombei. Modeli i atentateve, pa dashur të spekulojmë, lë të dyshosh për autorësinë e El Kaidës: shkaktimi i sa më shumë dëmeve, tërheqja e një vëmendjeje sa më të madhe për aktet terroriste. Shqetësimi është i madh pasi nuk mund të parashikohet nëse do të ketë edhe atentate të tjera."

Kështu u shpreh parlamentari gjerman Edati për kanalin informativ NTV. Ministria e Jashtme Gjermane për këtë arsye këshillon heqjen dorë për momentin nga udhëtimet në Indi. Udhëtarët që gjenden atje, duhet të qëndrojnë në dhoma të mbyllura, derisa autoritetet lokale ta shpallin situatën të sigurtë, këshillon më tej ministria gjermane. Ministria e Jashtme suedeze njoftoi të enjten se do të dërgojë një avion me pajisje mjekësore në Bombei për transportimin në atdhe të evropianëve të plagosur.