1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Reagimet ndaj idesë për ndarjen e Kosovës

Prishtina zyrtare hedh poshtë çdo mundësi të ndarjes së Kosovës. Autoritetet më të larta në Serbi, tashmë flasin hapur për mundësinë e ndarjes së veriut të Kosovës. Por idenë nuk mbështesin as një pjesë e serbëve.

Pamje nga veriu i Mitrovicës.

Mitrovica.

Në kohën kur Kosova dhe Serbia po zhvillojnë dialog për çështje teknike, autoritet më të larta në Beograd, hapur kanë hedhur idenë e ndarjes së pjesës veriore të Kosovës dhe bashkimin e saj me Serbinë. Këtë qëndrim e ka shprehur zëvëndëskryeministri në qeverinë e Serbisë Ivica Dacic, si një nga mundësitë që Kosova dhe Serbia përfundimisht ta zgjidhin çështjen e statusit të Kosovës, duke përfunduar më ndarjen e saj. Mirëpo, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i cila mori pjesë në Samitin e Varshavës, sapo u kthye në Prishtinë, tha se të gjithë presidentëve të vendeve të ndryshme, që ka pasur takim, përfshirë edhe presidentin amerikan Barak Obama, u ka bërë të qartë se çështja e ndryshimit të kufijve të Kosovës është e mbyllur.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Ndarja nuk është opsion - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

“Qëndrimi im ka qenë i qartë se ky është një dialog teknik, ku diskutohen çështje teknike, që lehtësojnë jetën e qytetarëve të të dyja vendeve dhe çdo çështje tjetër që hapet sa i përket riorganizimit të brendshëm, apo çështja e statusit, kanë vijën e kuqe dhe nuk do të jenë fare temë diskutimi”, tha presidentja Atifete Jahjaga.

Ideja e zëvëndëskryeminitrit serb Ivica Dacic, për ndarjen e Kosovës kundërshtohet fuqishëm edhe nga serbët e Kosovës qendrore. Gjatë një debati të zhvilluar në Cagllavicë mbi këtë çështje, nënkryetari i Parlamentit të Kosovës Petar Miletiq, thotë se ndarja është e pamundur dhe po që se do të ndodhte do të ishte shumë e dëmshme.

“Ndarja e Kosovës është zgjidhje e keqe në radhë të parë për serbët e Kosovës, dhe mendoj se kjo është e keqe edhe për serbët që jetojnë në jug por edhe ata që jetojnë në veri të lumit Ibër. Ne serbët çdo gjë që kemi e kemi në jug të lumit Ibër edhe në kuptimin shpirtëror, ekonomik por edhe të popullsisë”, thotë Petar Miletiq.

Edhe njëra nga deputetet serbe në kuvendin e Kosovës Rada Trajkoviç, tërheq vërejtjen se ideja për ndarjen e Kosovës është e dëmshme edhe për vetë Serbinë në raport me faktorin ndërkombëtar.

Deputetja serbe në Kuvendin e Kosovës, Rada Trajkoviç.

Deputetja serbe në Kuvendin e Kosovës, Rada Trajkoviç.

“Mendoj se është e tmerrshme që me këtë projekt dhe me një nxitje të tillë publike Serbia e karakterizon veten si faktor të destabilizimit të rajonit. Serbia me këtë ide mund të humbasë edhe përkrahjen e vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, thotë Rada Trajkoviq.

Edhe një përfaqësues tjetër i serbëve të Kosovës, Momçillo Trajkoviq, kryetar i Lëvizjes Serbe të Rezistencës, thotë se serbët në Kosovë duhet të pajtohen me rregullat e lojës.

“Serbët nuk e pranojmë pavarësinë e Kosovës, por ne të gjithë pajtohemi që të jetojmë këtu. Dhe në fund të fundit ne duhet të respektojmë rregullat. Fakti që nuk më pëlqen shteti i pavarur i Kosovës, është një çështje personale. Politikisht mund ta vë në pikëpyetje, por nuk mund të marr pushkën e të qëlloj pse nuk më pëlqen Kosova e pavarur”, thotë Momqillo Rajkoviq.

Megjithë idenë për ndarjen e pjesës veriore të Kosovës, qeveria kosovare po bën përpjekje që të shtrijë autoritetin e vet të cunguar edhe në këtë pjesë të vendit. Javën që shkoi qeveria hapi në pjesën veriore të Mitrovicës "Qendrën për Shërbime të Qytetarëve", e cila do t'i ndihmojë edhe ekipit përgatitor për krijimin e komunës veriore të Mitrovicës, gjë që parashikohet në planin e Marti Ahtisarit.

Autor: Bekim Shehu / Prishtinë

Redaktoi: E.Xhani