1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Reagimet ndaj fjalimit të Obamës për të kontrolluar NSA

Berlini dhe KE përshëndetën paralajmërimin e presidentit të SHBA për të kufizuar spiunazhin e NSA-së. Megjithatë për koalicionin qeveritar mes Unionit dhe SPD-së planet e Obamës për reforma nuk janë të mjaftueshme.

Me padurim është pritur fjalimi i Barack Obamës për spuniazhin e NSA-së në Evropë. Pas fjalimit të presidentit amerikan i cili zgjati rreth 45-minuta, reagimet në Berlin dhe Bruksel ishin pozitive por nuk u vërejt ndonjë entuziazëm i madh. Komisioni Evropian nxorri një zëdhënse para shtypit: Veprimet e presidentit tregojnë se shqetësimet legjitime të BE-së në janë dëgjuar në Uashington, deklaroi ajo shkurtimisht.

Në foto: Steffen Seibert

Në foto: Steffen Seibert

Ndërkaq në Berlin, zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert, tha se qeveria gjermane përshëndet në parim "që mbrojtja e të dhënave dhe të drejtat e privatësisë duhet të respektohen më fortë në ardhmen edhe për shtetasit jo-amerikanë." Ai përsëriti formulën, sipas të cilës "në tokën gjermane duhet të respektohen ligjet gjermane, dhe sidomos nga aleatët tanë të ngushtë dhe partnerët", tha Seibert.

Kështu që reformimi i punës së shërbimeve të fshehta amerikane prek në mënyrë të drejtpërdrejt qeverinë gjermane: sipas presidentit Obama në të ardhmen nuk do të përgjohen më presidentët dhe kryeministrat e vendeve mike. Një shenjë e qartë për kancelaren Angela Merkel, telefoni i të cilës është përgjuar po ashtu. Përveç kësaj Obama ka premtuar se në të ardhmen të huajt do të trajtohen pjesërisht si qytetarët e SHBA-së, kur është fjala për mbrojtjen e privatësisë së tyre.

Nuk përmendet marrëveshja e mosspiunimit

Në të njëjtën kohë, megjithatë, Obama ka mbrojtur në parim punën e shërbimeve të inteligjencës. Ato kanë evituar shumë sulme terroriste jashtë vendit dhe kanë shpëtuar jetën e njerëzve. Dhe ato do të vazhdojnë të mbledhin informacione në lidhje me qëllimet e qeverive të tjera, e bëri ai të qartë.

Në foto: Barack Obama

Në foto: Barack Obama

Prandaj ministri gjerman i Drejtësisë Heiko Maas (SPD) është ende këmbëngulës për një marrëveshje mosspiunimi me Uashingtonin. "Vetëm atëherë kur ne të kemi nënshkruar një marrëveshje ligjore që mbron të dhënat e të gjithë qytetarëve, ne do të jemi në gjendje për të rikthyer besimin e humbur", tha ai për gazetën "Bild am Sonntag". Obama nuk e ka përmendur një marrëveshje të tillë "me asnjë fjalë" ka kritikuar zëdhënësi i politikës së jashtme për grupin parlamentar të SPD-së, Niels Anen, në një bisedë me Deutsche Welle-n.

Unioni CDU/CSU dhe SPD skeptik

Edhe për kryetarin e Komisionit të Bundestagut për punë të brendshme, Wolfgang Bosbach (CDU), fjalimi i Obamës nuk ka përmbushur pritjet. "Ky fjalim nuk do të kontribuojë në qetësimin e qytetarëve në Gjermani ", tha ai për numrin e sotëm të gazetës " Rheinische Post". "Unë kam frikë se amerikanët do të vazhdojnë të mbledhin të dhëna pa ndonjë shkas edhe tek aleatët" . Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme, Norbert Röttgen (CDU) , e përshkroi fjalimin e Obamës si " të një natyre më shumë teknike."

Në foto: Norbert Röttgen

Në foto: Norbert Röttgen

Obama u lavdërua për fjalimin e tij nga një parti që më së paku pritej. "Fakti që ai e ka pranuar këtë problem, skandalin botëror të spiunazhit të NSA-së dhe e merr seriozisht këtë çështje dhe për të mban edhe një fjalim, ky është progres, unë nuk kam dëgjuar diçka të tillë deri më tani nga politikanët tanë, nga kancelarja jonë, por as nga shërbimet tona të inteligjencës", tha politikani i Partisë së Gjelbër, Hans-Kristian Ströbele për televizionin ZDF. Por edhe ai shprehu dyshimet e tij: "Nëse një gjë e tillë do të zbatohet në të vërtetë, për këtë mund të jemi skeptik ", theksoi Ströbele.

Ndërkaq themeluesi i Wikileaks-it Julian Assange kritikoi fjalimin si krejtësisht të mangët. "Është e turpshme për një kryetar shteti që të flas 45 minuta dhe të mos thotë pothuajse asgjë", tha Assange për kanalin televiziv CNN.

det/sc (afp, dpa, rtr, APE) / Esat Ahmeti