1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Reagime - Zbulimet më spektakolare të Wikileaks trondisin diplomacinë botërore

250.000 dokumentat e botuar në Wikileaks ofrojnë një vështrim të drejtpërdrejtë nëpër kulisat e diplomacisë amerikanë. SHBA ka reaguar me zemërim pas publikimeve. Kritika të tjera vijnë nga e gjithë bota.

default

Wikileaks

Publikimi i dokumentave në Wikileaks, pjesërisht sekrete, të Ministrisë së Jashtme Amerikane ka shkaktuar kritika në mbarë botën. Shumë politikanë botërorë janë shprehur me tone kritike për publikimet në faqen e kësaj platforme. Me këto zbulime humbet besimi tek diplomacia amerikane, pasi dokumentat që kanë rënë dorën e Wikileaks janë shpesh edhe vlerësime personale, thuhet në reagimet e ndryshme. Qeveria amerikane po përpiqet për të kufizuar dëmin.

Diplomatë edhe spiunë?

Veçanërisht delikat për të konsiderohet publikimi i dokumentave, të cilët nxjerrin në dritë se si ministrja e Jashtme amerikane, Clinton dhe paraardhësja e saj, Rice kanë lejuar që diplomatët amerikanë të përdoren edhe si informantë për qëllime spiunazhi.

Susan Rice

Susan Rice, ambasadore e SHBA-së në Uashington

Sipas zbulimeve diplomatët kanë marrë udhëzime ndër të tjera të marrin numrat e kartave të kreditit të personaliteteve të ndryshme politike në botë, plane pune, hollësi për lidhje telefonike e informacione të tjera, sigurimi i të cilave fshin kufijtë e punës mes diplomatit dhe informantit. Madje edhe misioni i SHBA-së pranë Kombeve të Bashkuara ka marrë një urdhëresë të tillë nga Hillary Clinton. Gazeta "Washington Post" e cilëson pikërisht këtë publikim si shumë të dëmshëm për diplomacinë amerikane.

Susan Rice, ambasadore e SHBA-së në OKB reagoi: "Diplomatët tanë bëjnë atë që bëjnë diplomatët në të gjithë botën gjatë ditës, ndërtojnë marrëdhënie, negociojnë, ndjekin interesat tona, punojnë të gjejnë zgjidhje për probleme konkrete. Kjo është puna e tyre dhe ata e bëjnë atë shumë mirë, me integritet të madh."

Edhe ministrja e Jashtme amerikane, Hillary Clinton ka shprehur të hënën keqardhjen e thellë për bërjen publike të dokumentave sekretë nga Wikileaks si rezultat i dorëzimit të më shumë se 250.000 dokumentave nga një informant. "SHBA dënojnë me forcë publikimin e informacionit të klasifikuar. Ai vë në rrezik jetët e njerëzve, kërcënon sigurinë tonë kombëtare dhe minon përpjekjet tona për bashkëpunim me vendet e tjera për të zgjidhur problemet e përbashkëta. Ky nuk është vetëm sulm ndaj interesave të politikës së jashtme amerikane. Ai është sulm ndaj komunitetit ndërkombëtar, aleancave dhe partneriteteve, bisedimeve dhe negociatave që garantojnë sigurinë dhe ndihmojnë në prosperitetin tonë ekonomik."

USA China Treffen in Peking Flash-Galerie

Hillary Clinton

Presidenti amerikan Barack Obama pranon Shtëpia e Bardhë "nuk është kënaqur" për këto publikime. SHBA ndërkohë pas publikimeve në Wikileaks ka përforcuar rregulloret për punonjësit qeveritare. Zyra presidenciale ka vendosur rregulloren që punonjësit e administratës të mos kenë akces në dokumenta të tjerë veç atyre që janë të nevojshëm për punën.

Reagime botërore

Gjermania reagoi e përmbajtur pas zbulimeve, në të cilat kancelarja Merkel cilësohet si pa shumë profil dhe fantazi, ndërsa ministri i Jashtëm, Guido Westewelle si i paaftë dhe vanitoz. Ky i fundit i cilësoi ato si thashatheme pa ndonjë ndikim në marrëdhëniet gjermano-amerikane.

Wikileaks - Internetseite Cablegate NO FLASH

Wikileaks bën publike dokumenta sekretë të MPJ amerikane

Ndërsa ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini i ka cilësuar këto zbulime si të rënda për diplomacinë. Ai ka bërë fjalë "11 shtatorin e diplomacisë botërore", ndërsa një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme pakisteneze i vlerësoi ato si të papërgjegjshme. Nga këto dokumenta bëhet e ditur se SHBA i tremben rënies në dorën e ekstremistëve të uraniumit të pasuruar në centalet atomike pakistaneze. Ndërsa presidenti iranian, Mahmud Ahmedinexhad i ka cilësuar zbulimet, sipas të cilave shtete arabe bëjnë thirrje për sulm ndaj Iranit, si një përpjekje të perëndimit për të mbjellë përçarjen. "Nuk i japim rëndësi këtyre dokumentave", ka thënë Ahmedinexhad. Izraeli nga ana e tij sheh tek këto dokumenta konfirmimin e paralajmërimeve të tij që programi atomik iranian përbën rrezik për të gjithë Lindjen e Mesme.

Autor: Lindita Arapi

Redaktoi: Eliana Xhani

DW.COM

  • Data 30.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QLNo
  • Data 30.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QLNo