1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Reagime të QUINT për dhunën në protestat e ditës së shtunë

Një protestë e radhës e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosja pritet të mbahet të martën më datë 27.01.2015. QUINT u bënë thirrje qytetarëve të Kosovës për të ushtruar me përgjegjësi të drejtat e tyre demokratike.

Përfaqësuesit e vendeve më të industrializuara QUINT në Kosovë e kanë cilësuar jo ligjore dhe të papranueshme dhunën e manifestuar gjatë protestave të ditës së shtunë në qendër të Prishtinës, protesta këto që u organizuan nga Lëvizja Vetëvendosje dhe disa shoqata të familjeve që kanë persona të zhdukur. Protestuesit që kërkonin shkarkimin e një ministri serb në qeverinë e Kosovës Aleksander Jabllanoviq dhe ishin kundër qasjes së qeverisë së Kosovës ndaj statusit të kompleksit të minierave Trepça në Mitrovicë, thyen xhamat e ndërtesës së qeverisë së Kosovës dhe dëmtuan disa lokale afariste private. Disa persona dhe pjestarë të policisë u lënduan.

Për këtë dhunë të manifestuar të shtunën, ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një deklaratë të përbashkët të lëshuar në orën e mbrëmjes së ditës së hënë, e theksojnë të drejtën e qytetarëve për të protestuar por në mënyrë jo të dhunshme.

“E drejta për t'u mbledhur në mënyrë paqësore dhe për t'iu bashkuar në mënyrë vullnetare bashkëqytetarëve për të demonstruar është vendimtare për një demokraci funksionale. Megjithatë dhuna në protesta është jo ligjore dhe e papranueshme. Për këtë arsye ne i dënojmë aktet e vandalizmit nga një grup protestuesish më 24 janar ndaj pronës publike dhe private si dhe frikësimin e ekipeve televizive, që po ashtu është në kundërshim me parimet e lirisë së medieve”, thuhet në deklaratën e

Samuel Zhbogar

Samuel Zhbogar

përbashkët të vendeve të QUINT, e publikuar nga ambasada gjermane në Prishtinë.

Në të njejtën linjë është shprehur edhe shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar.

“Shefi i Zyres sё BE-sё nё Kosovё e dёnon dhunёn e dёshmuar nё Prishtinё tё shtunёn dhe dёmtimin e pronёs publike dhe private qё pasoi protestёn publike. Protesta paqёsore ёshtё e drejtё fundamentale dhe e pamohueshme e qytetarёve. Ata qё kryejnё akte tё dhunёs dhe shkatёrrojnё prona jo vetёm qё kryejnё shkelje, por gjithashtu janё abuzues tё kёsaj tё drejte nё dёm tё kauzёs sё tyre dhe tё demokracisё nё Kosovё”, thotë Samuel Zhbogar.

Edhe qeveria e Republikës së Kosovës, fton qytetarët për maturi dhe pjekuri politike e qytetare.

“Qeveria e Republikës së Kosovës i konsideron të papranueshme dhe i dënon ashpër aktet vandale të disa protestuesve ndaj policisë, objekteve qeveritare, pronave private, përfaqësive diplomatike dhe mbi të gjitha dhunën fizike ndaj qytetarëve të Kosovës. Qeveria konsideron se sjelljet e manifestuara nga disa protestues nuk pasqyrojnë kulturën tonë demokratike. Qeveria kërkon nga organizatorët e protestës të mbajnë përgjegjësi për aktet vandale”, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.

Lideri i lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti, gjatë protestës së ditës së shtunë, i kishte dhënë sic u shpreh ai ”ultimatum”, kryeministrit Isa Mustafa, që deri të këtë të hënë në orën 16-h ta shkarkojë ministrin serb në qeverinë e Kosovës, Aleksander Jabllanoviq. Nëse kjo nuk ndodhë dhe në fakt nuk ndodhi, atëherë, ai bëri thirrje për një protestë të radhës para qeverisë së Kosovës për ditën e martë datë 27.01.2015. Protesta pritet të ndodhë serish në sheshin kryesor të Prishtinës tashmë si thuhet më të njejtat kërkesa, shkarkimin e ministrit Jabllanoviq dhe kundër qasjes së qeverisë së Kosovës ndaj statusit të kompleksit të minierave Trepça në Mitrovicë. Protesta u mbështet edhe nga dy parti opozitare, Aleanca Për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.