1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Reagime të ashpra për vendimin e Ivanovit ndaj Zaevit

Presidenti i Maqedonisë tha se nuk do t'ia japë mandatin Zoran Zaevit për qeverinë e re se ai ka pranuar platformën shqiptare, që sipas tij cënon sovranitetin e vendit dhe është e hartuar nga jashtë.

George Ivanov von VMRO DPMNE (Petr Stojanovski)

"Deri sa unë të jem President i Maqedonisë nuk do t'i jap mandatin asnjë njeriu dhe asnjë partie politike, që angazhohet apo që në programin e saj ka një platformë e cila rrënon sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Maqedonisë”, ka deklaruar presidenti Ivanov. Në vend që të dilnim nga kriza politike, për shkak të kësaj platforme ne për fat të keq po futemi në një krizë edhe më të thellë, e cila vë në pikëpyetje themelet shtetërore të Maqedonisë dhe të qytetarëve të saj, u shpreh Ivanovi. Ai  gjithashtu kërkoi nga Bashkësia Ndërkombëtare ta dënojë platformën dhe të mos imponojë zgjidhje. "Nga bashkësia ndërkombëtare presim qartë dhe publikisht ta dënojë këtë platformë që paraqet përzierje e paskrupullt në punët e brendshme dhe ridefinim të karakterit unitar të shtetit tonë.” - deklaroi Ivanovi.

LSDM: Presidenti Ivanov bëri grusht shteti

Vendimi i presidentit ka shkaktuar reagime të ashpra tek partitë politike, në veçanti nga Lidhja Social-Demokrate. Lideri i LSDM-së Zoran Zaev e quajti vendimin grusht shteti dhe të rrezikshëm për të ardhmen e stabilitetit të Maqedonisë.

"Gjorge Ivanov ka shkelur Kushtetutën e Maqedonisë dhe me këtë ka bërë grusht shteti. Ai po e çon vendin në krizë të rëndë me pasoja të rënda për të ardhmen e tij. Ai po shkakton krizë kushtetuese duke shkelur vullnetin e qytetarëve dhe të nënshkrimeve të siguruara për formimin e qeverisë. Ivanovi po pengon trasferimin e pushtetit. Ai është vënë në mbrojtje të krimit të VMRO-së dhe të Nikolla Gruevskit. Ivanovi duhet  ta tërheqë sa më parë vendimin”, deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Mazedonien Anti-Regierungsproteste Zoran Zaev Oppositionsführer Statement (Getty Images/AFP/R. Atanasovski)

Zoran Zaev

BDI: Maqedonia po hynë në krizë edhe më të thellë

Vendimi i presidentit Gjorge Ivanov për të mos i dhënë mandatin Zoran Zaevit vetëm sa e thellon edhe më shumë krizën, thotë BDI-ja. BDI e dënon ashpër kualifikimin e deklaratës së përbashkët të partive shqiptare në Maqedoni, si një platformë e një shteti tjetër. Platforma shqiptare nuk u krijua në Tiranë, si pretendon presidenti Ivanov. Platforma është  e partive shqiptare në Maqedoni, ajo nuk cënon të drejtën e asnjë komuniteti tjetër, por parasheh rrumbullakësimin e çështjeve të hapura nga Marrëveshja e Ohrit. Transferimi i krizës politike në krizë me bazë ndëretnike mund të çojë në një situatë katastrofike në vend. "BDI i dënon  tentativat që platforma e partive shqiptare të kualifikohet si platformë nga një shtet i huaj. Kjo dhe kriza e vazhdueshme politike do t'i shkaktojë vendit pasoja katastrofale”, thotë Bujar Osmani zëdhënës i BDI-së.

BESA: Ridefinimi i vendit rrugdalje e vetme

Lëvizja BESA e quan Presidentin Ivanov si shkelës më të madh të Kushtetutës, qoftë kur ia dha mandatin padrejtësisht kryetarit të VMRO-DPMNE-së, qoftë kur nuk ia dha kryetarit të LSDM-së. BESA i bën thirje bashkësisë ndërkombëtare, që ta kenë parasysh  vendimin e presidentit, sepse ai është rrezik potencial për komunitetin shqiptar në Maqedoni.

"Kjo që ndodh sot është edhe një argument më shumë, se shpëtimi i vetëm i këtij vendi, është ridefinimi i tij konform realitetit multientik të vendit.” - thuhet në reagimin e lëvizjes BESA.

Aleanca për shqiptarët: Presidenti të sillet vigjilent

Pas vendimit të presidentit Gjorgje Ivanov ka reaguar edhe Aleanca për Shqiptarët. Në reagimin e saj thuhet se fjalimi i Gjeorgje Ivanovit drejtuar mbarë vendit, më shumë i ngjau  fjalimit të një aktivisti mediokër të pushtetit, se sa të një Presidenti të vendit që në raste të tilla do të duhej të ishte vigjilent. "Deklarata e partive shqiptare nuk cënon shtetin e as identitetin dhe të kaluarën historike të asnjë etniteti të caktuar. Deklarata e partive shqiptare në radhë të parë parasheh parandalimin e zgjidhjes së një Presidenti, kryeministri dhe qeverie jo kompetente dhe kriminale siç e kishim deri tani.” - thuhet në njoftimin e Aleancës.

Reagim i shpejtë i ndërkombëtarëve

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i eurokomisarit Johanes Hahn i cili tha se Komisioni Evropian tashmë disa herë ka përsëritur se të gjithë liderët e partive më të mëdha në vend, përfshirë këtu edhe presidentin, duhet patjetër ta respektojnë rezultatin e zgjedhjeve.

Republik Moldau Johannes Hahn in Chisinau (Elena Covalenco)

Johannes Hahn

"Lidhur me zhvillimin e fundit në Maqedoni, të gjithë liderët politikë, përfshirë edhe presidentin Ivanov, duhet ta respektojnë rezultatin nga zgjedhjet paraprake. Në demokraci duhet të njihet shumica parlamentare, madje edhe nëse këtë nuk e doni. Për këtë shkak pres që liderët politikë dhe institucionet t'i lejojnë procesit demokratik të zhvillohet në rrugën e tij, në interes të qytetarëve”, është shprehur Hahn.

Raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, eurodeputeti Ivo Weigel (Vajgël) ka thënë se vendimi i Ivanovit është i gabuar dhe në kundërshtim të interesave të Maqedonisë.

"Çdo zgjatje në formimin e qeverisë për shkak të arsyeve politike dëmton interesat e Maqedonisë dhe është në kundërshtim me pritjet e PE-së dhe të institucioneve evropiane të cilat kanë mbështetur Maqedoninë në rrugën drejt BE-­së. Mendoj se vendimi i papritur i Ivanovit mund të sjellë thellim të krizës dhe acarim të situatës ", ka thënë Weigel. Eurodeputeti Weigel shpreson se Ivanovi do ta kuptojë gabimin e bërë dhe do të marrë një vendim i cili është në interes të Maqedonisë.

Shkariqi : Ivanov meriton shpezullim

Profesori i të drejtës kushtetuese Svetomir Shkariq, i cili ka qenë edhe mentor dhe promovues i Presidentit Ivanov ka thënë se Ivanovi e ka keqpërdorur institucionin e Presidentit. Dhënia e mandatit për partinë që ka shumicë parlamentare është detyrë dhe jo e drejtë e tij mendon profesor Shkariqi.

 "Presidenti Ivanov me këtë vendim ka shkelur kushtetutën. Me ose pa vetëdije ai po e thellon krizën në vend duke shkuar kundër vullnetit të shumicës parlamentare, e cila është përfaqësuese e shumicës së qytetarëve", thotë Shkariqi. Sipas tij janë plotësuar kushtet që të thirret parlamenti dhe të zgjidhet qeveria e re, ndërsa për Presidentin Ivanov nuk përjashtohet mundësia t`i nënshtrohet procedurës së shpezullimit, e cila mund të përfundojë me shkarkimin e tij nga posti.