1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

USA Wikileaks

29 Nëntor 2010

Faqja e internetit Wikileaks ka botuar me mijëra dokumente sekrete të komunikimt të diplomatëve amerikanë me Ministrinë e Jashtme në Uashington. Kjo ka shkaktuar reagime të ashpra në SHBA.

https://p.dw.com/p/QKod
Fotografi: dpa

Shefi i organizatës qytetare 'Judicial Watch', kritike ndaj qeverisë amerikane, Tom Fitton, ende pa i parë këto dokumenta e kishte të qartë se me botimin e tyre do të hapet një kapitull shumë i rrezikshëm. "Kjo është shumë e rrezikshme. Botimi në masë i informacioneve për mua paraqet një sulm të drejtëpërdrejtë ndaj Amerikës." Publikimi i këtyre dokumenteve cënon ligjet dhe kushtetutën, theksoi Tom Fitton, i cili mendon se ai që ka bërë publike këto të dhëna duhet të shkojë për një kohë të gjatë në burg.

Themeluesi i Wikileaks-it Julian Assange
Themeluesi i Wikileaks-it Julian AssangeFotografi: AP

Deputeti Kings: Ky publikim i të dhënave mund të krahasohet me një sulm terrorist

Deputeti republikan amemrikan Peter Kings ka kërkuar prej Ministrisë së Jashtme që ta kategorizojë Wikileaks-in si "organizatë të huaj terroriste". "Wikileaksi po e fut në gropë edhe qeverinë amerikane. Ajo po e cënon jetën e amerikanëve dhe të partnerëve të tyre. Madje është duke e rrezikuar edhe jetën e atyre që bashkëpunojnë me ne. Ky publikim i të dhënave mund të krahasohet me një sulm terrorist."

Shefi i Shtabit të Shtatmadhorisë së ushtrisë amerikane Mike Mullen reagon në të njëjtën mënyrë. Për televizionin CNN ai deklaroi se kjo mund të rrënojë kredibilitetin e autoriteteve amerikane. "Një informacion shumë i vogël tani kombinohet me shumë informacione të tjera dhe në këtë mënyrë i jepet një domethënie tjetër."

Wikileaks Logo
Fotografi: picture-alliance/dpa

Nuk dihet se ku është fshehur themeluesi i Wikileaks-it Julian Assange

Të dielën përmes një deklarate në video në internet Assange mbrojti vendimin për publikimin e këtyre të dhënave. "Kur Ministria e Jashtme të kuptojë që ne jemi një organizatë e përgjegjshme, do të na e bëjë të pamundur publikimin e informatave të besueshme, me shpresë se ato nuk do të botohen fare. Por sikur ne të mos botonim asgjë, nuk do të bëheshin publike as sharjet e Ministrisë së Jashtme."

Gazteta 'New York Times' është e vetmja që publikuar deri tani dokumentat mbi punën e Ministrisë së Jashtme. Gazeta pohon se dokumentat tregojnë se si i merr vendimet e rëndësishme qeveria në vendet e përfshira nga lufta dhe ato që kanë të bëjnë me vendet si Pakistani apo Jemeni. Ato hedhin dritë edhe mbi lojën e dyfishtë amerikane. Sipas kësaj gazete, amerikanët kanë të drejtë ta dinë se çfarë bëhet në emrin e tyre. "Po, njerëzit duhet ta dinë si vepron Qeveria. Por në qoftë se vazhdon kështu, qeveria nuk do të mund të mbajë sekrete shumë gjëra që janë me interes për mbrojtjen ndërkombëtare", pohon Tom Fitton.

Nuk bëhen publike emrat e burimeve të informacionit

Reporteri i "The Times" Scott Shane kumtoi se ata kanë zgjedhur për botim 100 nga 250.000 dokumentat që kanë pasur në dispozicion. Këto dokumenta së pari i janë dërguar Ministrisë së Jashtme, me kërkesë që të hiqen pjesët problematike. Emrat e gazetarëve, të politikanëve apo të aktivistëve për të drejtat e njeriut, me të cilët kanë kontaktuar diplomatët amerikanë, nuk janë botuar, sepse ata mund të futen edhe në burg për veprimtari spiunazhi. Nuk janë botuar as materiale për operacionet sekrete që janë në zhvillim e sipër.

Dokumentet përfshijnë aktivitetet, analizat dhe vlerësimet e pacensuruara të diplomatëve amerikanë në 300 ambasada, konsullata dhe misione ndërkombëtare, të cilat janë dërguar në Uashington në periudhën nga viti 2004 deri në 2010-ën.

Autor: Silke Hasselmann / Bahri Cani

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora