1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Reagime pas lirimit me kusht të Ramush Haradinajt

Pas lirimit me kusht të politikanit kosovar, Ramush Haradinaj ka pasur reagime të ndryshme. Në Kosovë ai shihet vetëm si një hap drejt lirimit të plotë të tij. Edhe ekspertë gjermanë e shohin atë si një shenjë të mirë.

Eksperti gjerman, Prof. Christian Tomuschat, që për shumë vite ka qenë profesor i Universitetit të Berlinit e shikon lirimin me kusht të Ramush Haradinajt si një shenjë të mirë. "Mund të thuhet se me sa duket ka dyshime edhe për fletëarrestin serb" thotë ai duke theksuar, se sigurisht autoritetet franceze do të bëjnë verifikimin e plotë deri në vendimin tjetër.

Ndërsa Qeveria e Kosovës ka pritur me sa duket lirimin e plotë të Haradinajt. Në reagimin e saj, thuhet, se fletarrestet e lëshuara nga Serbia janë të paligjshme. "Qeveria e Kosovës, vendimin e sotëm të organeve kompetente franceze për lirimin me kusht të z. Haradinaj e konsideron vetëm si një hap, dhe pret që ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i AAK-së, shumë shpejt do të lirohet plotësisht dhe do të rikthehet në Kosovë. Qeveria e Kosovës rithekson qëndrimin e saj se fletarrestet serbe, në bazë të të cilave është bërë ndalimi i z. Haradinaj, janë plotësisht të paligjshme, të padrejta dhe me tendenca të qarta për të krijuar tensione dhe konflikte, duke i bërë thirrje autoriteteve franceze dhe atyre në të gjitha vendet tjera që të mos i marrin parasysh.”

Kadri Veseli letër Asamblesë Nacionale të Francës

Reagime ka pasur edhe nga kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Ai i cilëson ”absurde, ndalimet që u bëhen ish-pjesëtarëve të UÇK-s, bazuar në fletarrestimet e Serbisë. Kryeparlamentari Veseli beson se organet e drejtësisë në Francë do të përshpejtojnë procedurat dhe t'i japin fund çfarëdo mase ndaj Ramush Haradinajt. Kadri Veseli thotë se u ka dërguar një letër kryetarit të Asamblesë Nacionale të Francës dhe kryetarit të Senatit, duke konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit e të miqësisë midis Kosovës dhe Francës.

Albanien PDK Kadri Veseli Politker (Shpresim.M.Shala)

Kadir Veseli

"Më lejoni të ndaj me Ju një shqetësim të institucionit të cilin e drejtoj, Kuvendin e Republikës së Kosovës, lidhur me ndalimin që i është bërë, në shtetin tuaj, Ramush Haradinajt, ish-deputet dhe ish-Kryeministër i Kosovës. Ne besojmë fuqishëm në parimet e larta të drejtësisë franceze, të cilat burojnë nga tradita juaj republikane. Ne besojmë se z. Haradinaj do të trajtohet në përputhje të plotë me këto parime. Po ashtu, më lejoni të theksoj se z. Haradinaj, për akuzat me të cilat ngarkohet nga autoritetet e Serbisë, është shpallur dy herë i pafajshëm nga Tribunali Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi”, thuhet në letrën e kryetarit të kuvendit të Kosovës Kadri Veseli.

AAK pret epilog pozitiv

Ndërsa në Kosovë, partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo që drejtohet nga Ramush Haradinaj, është shprehur e befasuar me vendimin e autoriteteve gjyqësore franceze, të cilat nuk ia mundësuan zotit Haradinaj që të kthehet në Kosovë. Sipas AAK-së, "vendimi që ai të lirohet nga paraburgimi, por jo edhe t'i lejohet kthimi në atdhe, nuk është drejtësi e plotë”. Kjo parti ka apeluar tek organet e franceze për përshpejtimin e procedurave. AAK thekson Ramush Haradinajt është liruar dy herë nga të gjitha akuzat për krime lufte në procesin gjyqësor në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi”, thuhet në reagimin e AAK-së. "Ne jemi të bindur se mbajtja e Haradinajt në Francë dhe procesi kundër tij, i iniciuar me flet-arrest politik të Serbisë, do të marrë epilog pozitiv shumë shpejt”, thuhet në reagimin e AAK-së.

Që nga arrestimi i Ramush Haradinajt nga autoritet franceze me datën (04.01) bazuar në një urdhër-arrest ndërkombëtar nga Serbia, në shumë qendra të Kosovës dhe jashtë saj, mbështetës të zotit Haradinaj, protestojnë duke kërkuar lirimin e tij. Në këtë kuadër, AAK-së, në reagimin e saj, thotë se "e kupton mospajtimin e miliona mbështetësve të Haradinajt në këtë proces, dhe u bën thirrje të gjithë atyre, që mbështetja për Haradinajn të vazhdojë të jetë civilizuese dhe e dinjitetshme”

Serbia mbledh qeverinë

Autoritetet e Serbisë, nuk e kanë komentuar lirimin me kusht nga autoritetet franceze të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, mirëpo, kryeministri serb, Aleksander Vuqic, bëri të ditur se ka thirrur për nesër një mbledhje të jashtzakonshme të qeverisë së tij për të diskutuar këtë rast. Autoritetet e Serbisë dy ditë më parë u kanë dorëzuar organeve franceze të drejtësisë kërkesën për ekstradimin e ish-kryeministrit Haradinaj. Serbia zotin Haradinaj e akuzon për krime lufte. Ndërkohë, sic njoftohet, Prokuroria e Serbisë për Krime Lufte u ka ofruar autoriteteve franceze prova të reja kundër zotit Haradinaj, të cilat siç raportojnë mediet serbe, nuk janë paraqitur gjatë gjykimit të Ramush Haradinajt në Tribunalin e Hagës, ku në vitin 2012 u shpall për herë të dytë i pafajshëm.