1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Reagime për arrestimin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama garanton mbështetjen e qeverisë ndaj prokurorisë dhe drejtësisë.

Sipas njoftimit zyrtar nga Prokuroria “ Gjykata e Tiranës vendosi masën e “arrestit me burg” për guvernatorin Adrian Fullani pasi ai akuzohet se ka kryer veprën penale “ shpërdorim detyre”. Njoftimi i Prokurorisë paraqet edhe 5 pika ku Guvernatori Fullani, njëherazi Kryetar i Këshillit Mbikqyrës dhe Drejtor Ekzekutiv i Bankës, sipas organit të akuzës, ka shkelur ligjin.

Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme thanë për DW se në bazë të Kodit të Procedurave Penale në Republikën e Shqipërisë, Prokurori kërkon nga Gjykata që brenda 48 orëve nga arrestimi ajo të marrë vendim nëse arrestimi është i ligjshëm apo jo, në prani të palëve dhe të mbrojtjes. Avokati mbrojtës i Fullanit , Maks Haxhia, e cilësoi të premten (05.09) të paligjshëm arrestimin e klientit të tij. Nëse Gjykata do të arrijë në të njëjtin përfundim , ajo ka të drejtën të japë lirimin e menjëhershëm të Fullanit. Në rast të kundërt, Gjykata duhet që brenda 48 orëve nga vendimi i saj, të shpallë dërgimin e tij në burg për t'u përballur me drejtësinë. Mosrespektimi i këtyrë afatave kohore e bën arrestin të humbasë fuqinë.

"Duhet ndërhyrje e shpejtë ligjore dhe profesionale në Bankën e Shqipërisë"

Arrestimi i guvernatorit të Bankës së Shqipëtisë, Fullani, erdhi pas hetimemeve që Prokuroia nisi, aty nga mesi i muajit korrik të këtij viti, kur Ardian Bitri, punonjës në këtë bankë u vetëdorëzua në polici dhe deponoi se për katër vjet rrjesht kishte vjedhur para nga banka. Sipas deponimeve të Bitrit, të publikuara në shtypin e Tiranës, ai vidhte kartmonedhat e reja që mbërrinin në vendin e tij të punës dhe i zëvendësonte më pas ato me libra të vjetër. Bitri mbante tre çelësat e thesarit, që sipas ligjit, rregullimeve ligjore për sigurinë në Bankën e Shqipërisë, duhet t'i kishin tre punonjës të ndryshëm të Bankës, që duhej të hynin dhe të dilnin njëherazi nga vendi ku ruhen paratë që administron banka. Thyerja e këtij rregulli përbën një nga pesë shkeljet e ligjit, paraqet Prokuroria në njoftimin e saj për shtyp. Arrestimi i Fullanit shihet si një sinjal pozitiv lidhur me zbatimin e ligjit, barazinë para tij dhe përpjekjet për të ndërtuar institucione demokratike në Shqipëri. Dr. Selami Xhepa, ish-deputet i PD, dekan i Fakultetit të Biznesit, në Institutin Kanadez të Teknologjisë, me seli në Tiranë, thotë për DW: “Guvernatori Fullani duhet të kishte dhënë dorëheqjen sapo plasi skandali, gjë që do të përbënte një zhvillim normal. Gjithësesi arrestimi i tij është një sinjal pozitiv për gjithë Shqipërinë - tregon vullnet dhe seriozitet për ndërtimin e institucioneve demokratike, zbatimin e ligjit dhe barazinë para tij. Arrestimi i Fullanit është një leksion i madh që nuk ka njerëz të paprekshëm, një sinjal i fuqishëm për Prokurorinë dhe drejtësinë në përgjithësi që të marrin në dorë pushtetin që u takon, ta përdorin atë pa abuzuar dhe në mënyrë profesionale, për të bërë drejtësi “ thotë dr. Xhepa. Sipas tij, lipset një ndërhyrje e shpejtë, ligjore dhe profesionale në Bankën e Shqipërisë edhe pse nuk është prekur biznesi i saj. "Kjo do t'i hapë rrugën rifitimit sa më parë të kredibilitetit të bankës, të cënuar mjaft nga skandali i vjedhjes së parave të administruara prej saj", thekson dr. Selami Xhepa.

Fokusi kryesor - stabiliteti i sistemit bankar në Shqipëri

Dr. Arben Malaj, ish-Ministër i Financave dhe Ekonomisë në qeveritë socialiste, ish-Guvernator i Shqipërisë në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim,(BERZH) thotë për DW se: ” Në fokusin kryesor pas arrestimit të guvernatorit Fullani është stabiliteti i sistemit bankar të Shqipërisë dhe ruajtja e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë. Duhen ndjekur hapat ligjore për plotësimin e stafit të Bankës, pra i vendeve vakante pas arrestimeve të 19 punonjësve, duhet përditësuar sa më parë Ligji për Bankën e Shqipërisë. Këshilli Mbikqyrës, stafi menaxhues dhe administrativ duhet të kryejë detyrimet ligjore dhe profesionale. Nuk ka vend për shqetësim nga depozituesit, pasi mendoj se nuk është prekur kredibiliteti i Bankës”, thotë Arben Malaj.

Në bazë të Kodit të Procedurave Penale vendimi i Gjykatës së Tiranës për ligjshmërinë ose jo të arrestimit të guvernatorit Fullani do të jepet para ditës së hënë (8.09.2014). Veprimet për të siguruar stabilitetin e sistemit bankar dhe ecurinë normale të Bankës së Shqipërisë duhet të fillojnë pa humbur kohë. “Që të hënen duhet filluar ndërhyrja për normalizimin e aktivitetit të Bankës së Shqipërisë”, thotë Malaj. Këtu hyjnë në lojë Këshilli Mbikqyrës i Bankës, Parlamenti, Kryeministri dhe Presidenti. Vështirë që ky Këshill me përbërjen aktuale të zbatojë kompetencat e veta lidhur me shkarkimin e guvernatorit Fullani, perderisa kohë më parë i dha atij votebësimin dhe nuk votoi pro propozimit të anëtares së Keshillit Mbikqyrës, Ermelinda Meksi, për dorëheqjen e Fullanit.

“Këshilli Mbikqyrës ka kompetencën ta pezullojë sa më shpejt nga detyra Fullanin, që vazhdon të jetë guvernator i bankës, edhe pse i arrestuar, për sa kohë nuk ka dhënë dorëheqjen. Brenda një muaji Parlamenti duhet ta shkarkojë atë dhe më pas kryeministri ka të drejtën e propozimit të një kandidati për postin vakant të guvernatorit, që duhet miratuar në Parlament dhe më pas nga Presidenti në mirëkuptim me Kryeministrin ta emërojë atë”, thotë Selami Xhepa.

Burime zyrtare nga Kryeministria bëjnë me dije se një ditë pas arrestimit të guvernatorit Fullani kryeministri Rama ka garantuar partnerë nderkombëtarë dhe përfaqësuesit e FMN në Shqipëri për mbështetjen e qeverisë ndaj Prokurorisë dhe Drejtësisë “për të cuar deri në fund punën e nisur dhe garantuar pavarësinë e Bankës së Shqipërisë”. Kryeministri Rama citohet të ketë thënë se “ai dhe qeveria në bashkëpunim të ngushtë me Kuvendin do të ndërmarrin me përgjegjshmëri të lartë morale e përgjegjësi të plotë ligjore të gjithë hapat e nevojshëm që Banka e Shqipërisë të dalë më e fortë moralisht, më e sigurit institucionalisht, më transparente administrativisht dhe padyshim më e pavarur, nga një situatë si kjo që nuk duhet të përsëritet më kurrë në të ardhmen”.