1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagime për varrezat masive

13 Maj 2010

Autoritetet e Prishtinës dyshojnë se në afërsi të Rashkës ekziston jo një, por dy varreza masive. Pala kosovare intensivisht po punon në zbardhjen e fatit të serbëve të humbur.

https://p.dw.com/p/NN2R
Varr masiv në Srebrenicë, Bosnjë
Varr masiv në Srebrenicë, BosnjëFotografi: AP

Deri tani është konfirmuar zbulimi i një varreze masive me rreth 250 trupat e kosovarëve të vrarë gjatë kohës së luftës. Ndërsa Komisioni kosovar dyshon se në afërsi të varrezës së konfirmuar është edhe një tjetër varrezë dhe se numri i personave të futur në këto varreza mund të jetë deri në 450, deklaroi Prenk Xhepaj. Ai shpjegoi se edhe autoritetet e Kosovës janë duke punuar në zbardhjen e fatit të serbëve, që konsiderohen të humbur. Në veçanti po punohet në rrethinën e Belaçevcit, në Kosharë dhe Livoç.

"Viktimat ne nuk i ndajmë për nga përkatësia kombëtare apo fetare. Po punohet për zbardhjen e fatit të gjithë 1.860 personave të pagjetur", shpjegoi ai. Sa i përket varrezës masive në afërsi të Rashkës, ai ka përshtypjen se autoritetet e Serbisë e kanë ditur këtë edhe më parë, por të dhënat nuk i kanë bërë publike, për shkak të proceseve të ndryshme politike.

"Gjetja dhe konfirmimi i një varreze masive në Rashkë hedh një dritë të re në të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur në vitet 1998 dhe 1999", pohon Jelena Miliq, drejtore e Qendrës për Studime Euroatlantike në Beograd. Sipas saj, kjo dëshmon edhe se ishte e arsyeshme ndërhyrja e bashkësisë ndërkombëtare, me qëllim që të ndërpriteshin shkeljet e rënda të të drejtave të shqiptarëve në Kosovë.

"Opinioni serb duhet ta kuptojë se ne nuk jemi bombarduar dhe se Kosova nuk është shkëputur pa shkak prej Serbisë. Këtyre zhvillimeve u kanë paraprirë shkelje të rënda të të drejtave elementare të njeriut dhe përdorimi dispropocional i dhunës nga ana e ushtrisë dhe e policisë serbe. Serbinë askush nuk do ta fajësonte sikur të ndërhynte me një sasi normale dhe legjitime të dhunës kundër terroristëve të UÇK-së . Por numri i civilëve të vrarë, mënyra e vrasjes së tyre dhe hedhja në varreza masive, liqene dhe vende të tjera është me të vërtetë e patolerueshme. Prandaj bashkësia ndërkombëtare është detyruar të ndërhyjë."

Zbulimi i varrezës - moment me domethënie

Aktualisht nuk mund të thuhet pse varreza u zbuluan pikërisht në këtë kohë, por Jelena Miliq dyshon se kjo ka të bëjë edhe me pritjen e vendimit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë lidhur me legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës.

"Mendoj se ky është një moment i mirë, me qëllim që opinioni ynë të përgatitet ngadalë për mundësinë që mendimi i Gjykatës nuk do të jetë aq pozitiv, sa të krijohet përshtypja kur dëgjon deklaratat e ministrit tonë të Jashtëm, Vuk Jeremiq."

Miliq shpreson se zbulimi i kësaj varreze masive do të përshpejtojë negociatat për zbardhjen e fatit të të gjithë personave të humbur në Kosovë.

"Dialogu rreth një teme kaq të vështirë dhe të komplikuar, do të ishte dëshmia më e mirë që mund t'i jepet bashkësisë ndërkombëtare, për pjekjen e shoqërive dhe politikanëve në Kosovë dhe Serbisë", pohon Miliq, duke shtuar se për fat të keq, po konfirmohen pohimet e organizatave joqeveritare se trupat e pajetë të shqiptarëve janë futur nëpër varreza masive në vende të ndyshme në Serbi. Për shkak të këtyre pohimeve, ndaj organizatave joqeveritare në Serbi ka pasur vitet e fundit kritika dhe presione të shumta të qarqeve të ndryshme, thekson Miliq.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi