1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Reagime nga Gjermania ndaj dorëheqjes së Musharafit

Qeveria gjermane reagoi e përmbajtur ndaj dorëheqjes së presidentit të Pakistanit, Musharaf. Kjo nuk është „e papritur“, tha Ministri i Jashtëm gjerman.

default

Pervez Musharaf

Një agjenci lajmesh citon Ministrin e Jashtëm Frank Valter Shtajnmajer (Frank-Walter Steinmeier) nga Stokholmi me fjalët, se shpreson për qetësimin e gjendjes në politikën e brendëshme në Pakistan. Nisur nga angazhimi i madh gjerman në vendin fqinjë Afganistan, Gjermania ka nevojë për Pakistanin si një partner për stabilitetin në rajon.

Gjermania të vazhdojë ta mbështesë Pakistanin

Zëdhënësi i ministrit të jashtëm, Shtefan Bredol (Stefan Bredohl) shtoi në Berlin: „Qeveria gjermane shpreson, që qeveria demokratike në Pakistan dhe presidenti i ardhshëm do ta shfrytëzojnë këtë shans, për të forcuar edhe më tej strukturat demokratike në Pakistan dhe për t´iu përkushtuar sfidave urgjente të vendit. Gjermania edhe në të ardhmen do ta mbështesë Pakistanin në zhvillimin e vendit dhe në konsolidimin e demokracisë.“


Zëdhënësi i qeverisë Tomas Shteg (Thomas Steg) konfirmoi gjithashtu deklarimin e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme: „Lidhur me këtë çështje qëndrimi i kancelares është plotësisht në përputhje me atë që deklaroi edhe zoti Bredol.“

Paksitani partner i rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit

Përpara pak javësh Shtajnmajer gjatë një vizite në rajon kritikoi faktin, që Pakistani nuk ndërmerr sa duhet për të penguar depërtimin e talibanëve dhe të terroristëve në Afganistan. Zëdhënësi i Shtajnmajerit megjithatë vuri në dukje: „Në këtë kontekst Pakistani vitet e shkuara, pavarësisht problemeve dhe mangësive, që ka pasur, ka qenë një partner i rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit.“

Interesi i Gjermanisë, sipas zëdhënësit Bredol, është që Pakistani të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm për stabilizimin në Afganistan: „Ajo që presim ne është, se edhe në të ardhmen llogarisim me një president pakistanez, i cili të ketë në fokus jo vetëm situatën në Pakistan, por edhe stabilitetin rajonal duke dhënë kontributin e vet për një zhvillim në Afganistan, që tek e fundit i shërben paqes dhe stabilitetit në rajon.“

Krahas kësaj zëdhënësi i Shtajnmajerit theksoi, se qeveria gjermane pret, që Pakistani edhe nën presidentin e ri të përpiqet për një marrëdhënie paqësore me vendet fqinjë, duke pasur parasysh në radhë të parë Indinë.

Perëndimi ka humbur shumë kohë kundrejt Pakistanit

Të lehtësuar për dorëheqjen e Musharafit u shprehën edhe deputetët Kerstin Myler (Kerstin Müller) dhe Vinfried Nahtvaj (Winfried Nachtweih) që u kthyen nga një udhëtim disa ditor në Afganistan. SHBA për shumë kohë e mbështetën Musharafin, tha Myler. Politikani i koalicionit Karl-Teodor zu Gutenberg (Karl-Theodor zu Guttenberg) i partisë kristiandemokrate/kristiansociale, kritikoi faktin, që Perëndimi ka humbur shumë kohë kundrejt Pakistanit duke hequr dorë nga një strategji e qartë „për hir të interesit për një stabilitet të rremë“. Gutenberg kërkoi që ndihma e zhvillimit të kushtëzohet me përparime konkrete në aspektin e politikës së sigurisë dhe të demokratizimit.

  • Data 18.08.2008
  • Autor Peter Stützle
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/F0NI
  • Data 18.08.2008
  • Autor Peter Stützle
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/F0NI