1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Reagime nga BE dhe OKB pas vrasjes së punonjësit të EULEX-it

Ashton dhe Ban kërkojnë zbardhje të plotë dhe të shpejtë të ngjarjes. E ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme kërkon nga Beogradi dhe Prishtina shtim të përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve.

E ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme, baronesha Chatherine Ashton ka reaguar me fjalë të qarta, pas vrasjes së një punonjësi të EULEX-it në veri të Kosovës. "Përgjegjësit duhet të japin llogari", deklaroi Ashton në Bruksel. BE do të vazhdojë angazhimin e saj në Kosovë dhe do të çojë përpara dialogun mes qeverive të Kosovës, shtoi Ashton. "Unë u bëj thirrje të gjitha palëve të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të vënë në jetë marrëveshjet e arritura për normalizimin e marrëdhënieve dhe përmirësimin e kushteve të jetës në veri të Kosovës", kërkoi Ashton.

Sipas të dhënave të zëdhënëses së Ashton, lituanezi që humbi jetën të enjten (19.09.) është viktima e parë nga misioni EULEX. Aktualisht po shqyrtohet nëse është e nevojshme një rritje e masave të sigurisë për pjesëtarët e EULEX-it.

Atentati ndaj EULEX-it u dënua edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon. Ban bëri thirrje të enjten (19.09.) në Nju Jork për një hetim të shpejtë dhe të hollësishëm të ngjarjes. Përgjegjësit për këtë "sulm burracak" duhet të japin llogari, tha Ban. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së shprehu ngushëllime për familjarët e pjesëtarit lituanez të EULEX-it, i cili humbi jetën si pasojë e lëndimeve në atentat. Ban u bëri thirrje të gjitha palëve, të bëjnë gjithçka në mundësinë e tyre, që misioni ligjor i BE-së në Kosovë të mund të vazhdojë punën në kushte sigurie dhe pa pengesë.

Nga atentati në afërsi të Zveçanit humbi jetën një pjesëtar i EULEX-it

Nga atentati në afërsi të Zveçanit humbi jetën një pjesëtar i EULEX-it

Edhe ministri i Jashtëm lituanez Linas Linkevicius e dënoi ashpër sulmin vdekjeprurës ndaj EULEX-it. Në një deklaratë të publikuar të enjten (19.9.) në Vilnë ai kërkoi zbardhje të shpejtë dhe të plotë të ngjarjes së rëndë. Pjesëtari i vrarë i EULEX-it, sipas të dhënave të autoritetit doganor në Lituani ishte një nëpunës 35-vjeçar nga Klaipeda. Ai ndodhej pranë misionit të EULEX-it që prej gushtit 2012.

Në një artikull në portalin e saj online, gazeta gjermane "Tagesspiegel" shkruan sot (20.9.) se incidenti mund të rrezikojë anëtarësimin e Serbisë në BE. Gazeta tërheq vëmendjen se mbarëvajtja e zgjedhjeve të ardhshme komunale në Kosovë, është pjesë e marrëveshjes Prishtinë-Beograd, për normalizimin e marrëdhënieve.