1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagime ndaj gjobës së KKRT-së për "News 24"

Ani Ruci / Tiranë5 Shtator 2008

Shoqëria civile dhe opozita në mbrojtje të fjalës së lirë dhe pavarësisë së mediave me qëndrime kritike ndaj qeverisë. Apel Berishës të anullojë gjobën për kanalin televiziv "News 24".

https://p.dw.com/p/FBt2
Antena transmetimi
Antena transmetimiFotografi: ap

Reagimi i opozitës dhe i shoqërisë civile në Shqipëri në mbrojtje të fjalës së lirë vjen pas një gjobe prej 800 mijë lekësh, apo 7 mijë eurosh, që Këshillli Kombëtar i Radiove dhe Televizioneve, KKRT, i vuri këtë javë "News 24", një kanali të pavarur televiziv të Tiranës.

Shkak për këtë u bë një spot ironizues i transmetuar prej tij si përgjigje ndaj një spoti të qeverisë, në të cilin kryeministri Berisha fton qytetarët të denoncojnë korrupsionin duke telefonuar apo dërguar mesazhe në numrin e telefonit të tij celular.

Spoti ironizues u porosit nga Grupimi G99, i regjistruar ne Gjykatën e Tiranës si një organizatë jofitimprurëse (OJF). Një aktor komik, me shumë popularitet në Tiranë i përgjigjet një zileje telefonike duke thënë: "Urdhëroni, jam Sali Berisha."

Arsyeja e publikuar nga KKRT për gjobën është se "spoti është elektoral në një kohë kur fillimi i fushatës për zgjedhjet parlamentare 2009 ende nuk është shpallur zyrtarisht."

"Spoti ironizon fushatën 45 ditore të kryeministrit Berisha për të luftuar gjoja korrupsionin. Publiku duhet të dijë pse janë harxhuar paratë e taksapaguesve për këtë spot? Pse kjo bëhet një vit para zgjedhjeve dhe është një fushatë personale e Berishës?" - thotë kreu i Grupimit G99 Erion Velia.

Por ka edhe kritika të tjera. Erion Veliaj thotë se spoti është i vjedhur nga një spot tërësisht i ngjashëm argjentinas. Vjedhja nuk është kapur nga KKRT. "KKRT-ja, e varur nga qeveria që kontrollon çdo ndeshje sporti apo çdo emision nuk kontrollon piraterinë e Zotit Berisha. Si mund t´ju drejtohet shqiptarëve për të luftuar vjedhjen, kur ai vetë vjedh një spot "? tha Erion Velia.

G99 iu bashkua të enjten, më 4 shtator edhe opozita dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

Lideri i opozitës, Edi Rama, i bëri apel kryeministrit Berisha që të heqë gjobën ndaj "News 24". "Berisha duhet të kuptojë që nuk është në interes të vendit dhe as të shqiptarëve kthimi pas, në debatet e vjetra dhe të ashpra për të drejtat dhe liritë elementare të qytetarëve," - tha Edi Rama.

Komiteti Shqiptar i Helsinikit përmes një deklarate zyrtare e quan shkelje të ligjit gjobën në fjalë dhe sqaron se G99 nuk është një forcë politike por nje OJF që në bazë të ligjit ka të drejtë të porosisë dhe bëjë të mundur transmetimin e spoteve televizive kundër qeverisë në kanalet e pavarura televizive që nga ana e tyre kanë të drejtë t´i transmetojnë ato pa thyer asnjë ligj.