1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

160609 EU Gipfel Vorbericht

17 Qershor 2009

A do të zgjidhet portugezi Baroso për një periudhë të dytë në post si president i Komisionit Evropian? Kjo çështje personeli mund të bëhet më interesantja në takimin e nivelit të lartë të BE-së që pritet të mbahet.

https://p.dw.com/p/IEY6
Flamujt e BE-se
Temat e samitit të BE-së: Reforma strukturore e BE-së dhe kush do ta drejtojë Komisionin Evropian në pesë vitet e ardhshmeFotografi: European Community, 2005

Një nga vendimet më të rëndësishme të takimit të nivelit të lartë të BE-së është një çështje personeli, pikërisht çështja se kush do ta drejtojë Komisionin Evropian në pesë vitet e ardhshme. Vërtet që mbajtësi i postit, konservatori Zhose Manuel Baroso ka shanse të mira që të emërohet sërish. Por qeveri të rëndësishme të BE-së, si qeveria gjermane dhe ajo franceze po e lënë atë edhe pak, as në qiell, as në tokë. Aftësia e Barosos është njëkohësisht dobësia e tij: ai konsiderohet i zoti për t'u përshtatur, si ndërmjetësues i lindur, por të tjerë e shohin atë si oportunist, si kameleon politik. Nëse kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE e mbështesin, kjo gjithsesi do të ishte vetëm e përkohshme, sepse edhe Parlamenti Evropian duhet të votojë me shumicën e tij, dhe kjo shumicë nuk është në asnjë mënyrë e sigurtë.

Daniel Cohn Bendit, shefi i grupit parlamentar të Të Gjelbërve, vërtet që nuk është në gjendje të ofrojë kandidat alternativ: "Duhet të jetë një person, i cili të ketë fizionomi evropiane dhe që të pranohet nga të gjitha drejtimet politike, si nga ata që e duan Baroson, sepse e njeh punën, ashtu edhe nga ata, të cilëve u ka ardhur në majë të hundës metoda e tij prej kameleoni."

Një sërë lëshimesh për t'ua ëmbëlsuar irlandezëve Lisbonën

Kryetarëve të shteteve dhe të qeverive do t'u duhet edhe një herë tjetër që të merren edhe me çështjen e një reforme strukturore të BE. Kjo përmblidhet me emrin Marrëveshje e Lisbonës. Irlandezët e kanë hedhur atë poshtë vitin e kaluar në një referendum. Por tani në Irlandë do të organizohet një referendum i dytë dhe shanset që ai të përfundojë me miratimin e Marrëveshjes këtë herë janë të mira. Për t'ua ëmbëlsuar irlandezëve Lisbonën, shtetet anëtare ofruan dhjetorin e kaluar një sërë lëshimesh, në çështje veçanërisht delikate. Kështu neutraliteti irlandez do të mbetet i paprekur, po ashtu edhe ndalimi i aborteve. Për presidencën çeke të radhës të BE-së është ministri për Evropën, Stefan Füle ai që i drejton negociatat. Ai shpreson se do të ketë rënie dakord në takimin e nivelit të lartë: "Garancitë duhet të jenë mjaft të zhdërvjellta, për të eleminuar të gjitha rezervat e shtetasve irlandezë, si ato që u shprehën në referendum. Ratifikimit të Marrëveshjes së Lisbonës në këtë kuadër nuk duhet t'i vihet sërish pikëpyetje dhe nuk duhet të kalohet përtej atyre që u vendosën në dhjetor në takimin e nivelit të lartë."

Përsa i përket politikës për klimën, kryetarët e shteteve dhe të qeverive do të përgatiten për konferencën për klimën në fund të vitit. Kritikët druhen se BE-ja do ta lërë pas dore mbrojtjen e klimës, për shkak të krizës ekonomike.

Autor: Christoph Hasselbach/Auron Dodi
Redaktoi: Pandeli Pani