1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi shumë shpejt në kuvendin e Kosovës

Pas bisedave telefonike të politikanëve të lartë kosovarë me zëvendës-ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Hoyt Yee është rënë dakord që ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi të riprocedohet. Opozita kundërshton.

Dy udhëheqësit kryesorë politik në Kosovë, kryetari i kuvendit Kadri Veseli dhe kryeministri Isa Mustafa, tashmë paralajmëruan se marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi shumë shpejt do të procedohet në kuvend për votim. Madje kryetari i kuvendit, thotë se javën tjetër marrëveshja e demarkacionit do të jetë në kuvend. Këto paralajmërime u bënë pasi të dy udhëheqësit politik kosovar në fundjavë, zhvilluan biseda telefonike me zëvendës-ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Hoyt Yee, me të cilin sic thuhet, janë pajtuar që ratifikimi i kësaj marrëveshjeje të ndodh shumë shpejtë.

Nevojë për marrëveshje të shpejtë

Në një njoftim për medie të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, thuhet se gjatë bisedës telefonike me diplomatin amerikan, i ka thënë atij se institucionet e Kosovës duhet të marrin vendime të mëdha, pasi në të kundërtën, ato e humbin kuptimin. "Në këtë drejtim, ata u pajtuan që marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi të procedohet nga Qeveria për miratim në Kuvend javën tjetër”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryetarit të kuvendit.

Një bisedë telefonike zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Yee, në fundjavë e zhvilloi edhe me kryemnistrin e Kosovës, Isa Mustafa. "Kryeministri Mustafa dhe zëvendës-ndihmës sekretari amerikan, Hoyt Yee, kanë biseduar për procesin e ratifikimit nga Kuvendi i Kosovës të Marrëveshjes për shenjimin e kufirit me Malin e Zi dhe nevojën që kjo marrëveshje të ratifikohet sa më shpejt, si konfirmim i rrugës evropiane të Kosovës”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit Isa Mustafa.

Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, është kushti i fundit i vënë nga Komisioni Evropian që Kosova duhet ta plotësojë të marrë liberalizimin e vizave. Paralajmërimet se javën tjetër demarkacioni me Malin e Zi do të procedohet për miratim në kuvend, i ka shqetësuar partitë politike opozitare, të cilat e kundërshtojnë këtë version të demarkacionit duke thënë se Kosova me këtë marrëveshje humbet territor, gjë që mohohet nga qeveria e Kosovës. Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës AAK Pal Lekaj, parti kjo që është më e zëshmja kundër demarkacionit, është shprehur për mediet lokale, se ai është i bindur se edhe nëse marrëveshja procedohet në kuvend, ajo nuk do të kalojë.

Opozita ende kundër

"Sa i përket deklarimeve për procedimin e demarkacionit mendoj që është e drejtë e tyre për ta proceduar demarkacionin në Kuvend, por ajo që vlen të theksohet në biseda me gjithë deputetët është që ata nuk kanë lëvizur nga qëndrimi i tyre dhe janë kundër ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion. Mendoj që fillimi i javës tjetër vendin do ta çojë në zgjedhje”, thotë Pal Lekaj.

Të njëjtin qëndrim mban edhe deputeti nga lëvizja Vetëvendosje Driton Caushi, i cili thotë së kjo parti do ta kundërshtojë me të gjitha format ratifikimin e këtij versioni të demarkacionit me Malin e Zi.  "Ne natyrisht se do ta kundërshtojmë këtë marrëveshje kurdo që sillet ajo në Kuvend. Ajo nuk është më pak e dëmshme sesa vitin e kaluar dhe argumentet kundërshtuese tashmë janë të njohura”, thotë Driton Çaushi. I ndodhur në këtë situatë nga paralajmërimet e opozitës që serish do ta kundërshtojnë ratifikimin e demarkacionit, vetë kryeministri Isa Mustafa, në fillim të javës udhëton për në Bruksel, ku para zyrtarëve evropian do ta prezantojë kërkesën e tij të re, në lidhje me liberalizimin e vizave.

Kosova me propozim të ri në Bruksel

Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, thotë se "Mustafa do të kërkojë që fillimisht të ndodhë liberalizmi i vizave për qytetarët e Kosovës dhe më pas, në një afat prej dy vjetësh, Kosova të përmbushë kërkesën e Komisionit Evropian për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi”. "Pra të kërkohen mundësitë që Brukseli ta suspendoj për një kohë kushtin e vendosur pa të drejtë, pra atë të demarkacionit, për vizat ndaj qytetarëve të Kosovës, me mundësinë e rikthimit të tij në rast se brenda periudhës së caktuar nuk përmbushet edhe ky kusht. Kjo është arsyeja pse Kryeministri Mustafa udhëton për në Bruksel”, thotë Faton Abdullahu

.

Kryeministri Isa Mustafa, kërkesën e tij të re që demarkacioni me Malin e Zi të shtyhet për më vonë pas liberalizimit të vizave, thotë ta ketë diskutuar së fundmi edhe me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini dhe me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, që ishte një javë më parë për vizitë në Kosovë. Sipas kryeministrit Mustafa, shefi i diplomacisë gjermane i ka premtuar se kërkesa e tij do të shqyrtohet nga mekanizmat evropian.

Ndërkohë, njohësit e integrimeve evropiane në Kosovë, thonë se edhe nëse pranohet kërkesa e kryeministrit nga BE-ja, një kërkesë e tillë është e vonuar dhe ajo mund të marrë kohë të gjatë derisa ta miratojë Brukseli zyrtar.

Kosova dhe Mali i Zi patën nënshkruar Marrëveshjen e shënimit të vijës kufitare me 26 gusht të vitit 2015 në Vjenë. Por, kjo marrëveshje u kundërshtua ashpër nga partitë politike opozitare të cilat janë të bindura që Kosova humb territor me këtë marrëveshje.