1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Rathfelder: Pa një diskutim të hapur për të kaluarën nuk ka të ardhme paqësore

Erich Rathfelder punon prej 20 vjetësh si korrespondent për Balkanin në gazetën „Tageszeitung“. Ai është autor i librit "Kosova – historia e një konflikti“.

Erich Rathfelder

Erich Rathfelder


DW: Zoti Rathfelder, Kosova feston katër vjetorin e pavarësisë së saj, ndërkohë që situata vazhdon të jetë e brishtë, veçanërisht në veri. Si e vlerësoni ju këtë aktualitet në vendin e ri ballkanik. A mendoni se ka një zgjidhje më të shpejtë lidhur me veriun, derisa thuhet se nuk ka ndarje?


Rathfelder: Një ndarje e Kosovës nuk vjen aspak në pyetje. Edhe pse shumë njerëz e shohin këtë si një
zgjidhje të arsyeshme si për palën serbe, ashtu edhe për atë kosovare. Por nëse dikush do të shkëmbente Preshevën dhe Bujanovcin me veriun e Kosovës, atëhere do të dilnin probleme të tjera serioze, që do të shqetësonin të gjithë Evropën. Kosovën me planin Ahtisari dhe me territorin e sotëm aktual e kanë njohur tashme mbi 80 shtete. Ndryshimi i kufijve dhe shkëmbimi i territoreve do të eliminonte bazën për njohjen diplomatike. Atëherë do të duhej të fillonte i gjithë procesi përsëri nga e para.


Kushtetuta garanton - të paktën në letër, të drejtat e të gjitha pakicave dhe madje i jep pakicës serbe më shumë të drejta - dhe ndoshta është pakica serbe më e privilegjuara në gjithë Evropën. Një ndarje sipas parimeve etnike do t'i jepte një shtytje forcave nacional-fashiste në Evropë dhe do ta bënte me të vështirë luftën për dinjitetin dhe të drejtat e njeriut.


Tek serbët e veriut sundon një përzierje nga frikërat dhe nga pushteti politik i klanit të mafies, nga ideologjia nacionaliste dhe kërcënimet me dhunë. Njerëzit aty nuk janë të lirë në vendimet e tyre. Prandaj rezultati i referendumit nuk do të njihet. Plani i Ahtisaarit u jep atyre të gjitha mundësitë për të jetuar në shtetin e ri. Parakusht për një zhvillimin paqësor është qe forca e pushtetmbajtësve aktualë të ndërpritet. Dhe kjo është detyrë edhe e bashkësisë ndërkombëtare, sidomos e SHBA-së, BE –së dhe NATO-s.

Dobësi e BE për mosnjohjen e Kosovës nga 5 shtetet anëtare


DW: Ende në Bashkimin Europian vazhdojnë pesë vende anëtare të saj të mos e njohin Kosovën si shtet. Dobësi kjo e BE-së? Apo thjesht Kosova mbetet në periferi të kësaj bashkësie dhe ka rënë interesi?

Rathfelder: Këto pesë shtete i kanë shpjeguar arsyet për qëndrimin e tyre. Ato nuk janë bindese. Spanja është tashmë duke e përpunuar qëndrimin e saj. Paaftësia për të zhvilluar një politikë të përbashkët të jashtme është sigurisht një dobësi e BE-së. Komisarja e tanishme për politikë të jashtme në BE, zonja Ashton nuk tregon asnjë profil të ri. Por unë nuk mendoj se ky qendrim ka të bëjë me interesin në rënie për Kosovën.

Merrni si shembull qëndrimin e qartë të Angela Merkelit, gjatë vizitës së saj në Beograd vitin e kaluar, që ka pasur jehonë të madhe. Edhe në Bruksel. Burokracia u zgjua e trembur. Evropa nuk mund të fshihet pas argumentit, se në botë ka kaq shumë pika të reja konflikti dhe BE-ja, kryesisht  vendet e euro-zonës, ka vetë telashe. Distancimi nga Kosova pasqyron akoma pikëpamjet e shumë politikanëve në Evropë, që duan ta mbajnë afër Serbinë, sepse nuk duhet kërkuar shumë nga Serbia. Askush nuk dëshiron të ketë konflikte.
 

Gjermania qëndrim të qartë ndaj Kosovës dhe Serbisë


DW: Duket se Serbia ka shanse më shumë për të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Eshtë kjo një mundësi që Serbia ta njohë Kosovën? Apo dhënia e statusit Serbisë është simbolike?

Rathfelder: Shumë shkurt dhe qartë: pa presionin e Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, Serbia asnjëherë nuk do ta njohë Kosovën. Serbia do të duhej të zgjedhë midis Evropës dhe Kosovës. Në qoftë se dëshiron integrimin, atëherë duhet t'i ndalojë lojërat politike në Kosovë. Pra ajo duhet të jetë në qendër të vemendjes së Europës.

Unë shpresoj vetëm që Gjermania qëndron në pozicionin e shprehur nga kancelarja në Beograd dhe e detyron BE–në ta mbajë këtë linjë. Serbia vazhdimisht për t'i dalë para kësaj, si Brukseli që ka bërë deri tani, nuk ofron asnjë zgjidhje të konfliktit, por vetëm një zgjatje të tij. Unë frikësohem që Merkeli në këtë çështje nuk ka shumë aleatë.
 

DW: Kosova dhe qeveria e saj akuzohet për korrupsion. Cilët janë faktorët, që e ndihmojnë këtë fenomen dhe cilët janë ato, që e pengojnë për ta luftuar? Sa ndikon kjo në integrimin e një vendi kaq të ri drejt BE-së?
 

Rathfelder: Korrupsioni është një argument, që përsëritet shpesh. Por cila shoqëri nuk është e përfshirë në korrupsion. Brukseli vetë vuan nga korrupsioni, vetëm shikoni problemet lidhur me subvencionet agrare. Të gjitha shoqëritë vuajnë nga ky fenomen, edhe Serbia, Kroacia, Bosnja etj. Dhe ne po e shohim këtë edhe në vendet e BE-së, si Greqia. Korrupsioni nuk është një tipar e veçantë i Kosovës. Natyrisht unë jam për luftimin e korrupsionit deri në detajet më të vogla. Për shkak të korrupsionit asnjë vend nuk mund të bëjë progres.


Kosova, që prej shekujsh është drejtuar nga të huajt, duhet të ndryshojë mendim. Dikur evazioni fiskal ishte një akt patriotik. Sot është e kundërta. Për të kuptuar që tani ky „është shteti ynë", jo shtet i të tjerëve, nuk është aq e lehtë. Por është e domosdoshme. Politikanët duhet t'i shërbejnë shtetit dhe shoqërisë së përbashkët dhe jo familjeve të tyre, apo klaneve – kjo vetëdije duhet ende të zhvillohet në Kosovë. Por pa këtë vetëdije nuk ka të ardhme dhe nuk ka liri.

Vetëm nëse ti vetë e ke ndërgjegjen të pastër, mund ta shohësh tjetrin  në sy

DW: Zoti Rathfelder, cilat janë sfidat e Kosovës në të ardhmen?
Si njohës i Ballkanit mendoni se ka arritur tashmë një zgjidhje përfundimtare mes vendeve dhe popujve, të cilët duke aspiruar për në BE, lënë pas të kaluarën e hidhur mes tyre?

Rathfelder: Shpresa e integrimit në Europën e BE-së i ka vënë në lëvizje disa shtete të ish Jugosllavisë dhe i ka motivuar njerëzit të ecin në drejtim të demokracisë. Çdo krizë e thellë në BE bën që në një farë mënyre të ulë shpresën për një integrim në BE, që mund të besohet në një kthim përsëri të konfliteve të kapërcyera. Unë uroj një rinovim të shpejtë të BE-së, në një kthim të vlerave europiane dhe ato demokratike, për të cilat kanë vuajtur vetë vende të rëndësishme të BE-së, kujtoni vetëm Italinë nën udhëheqjen e Berluskonit.


Pa një diskutim të hapur mbi të kaluarën, pa një pajtim serioz mes shoqërive nuk do të mund të fitohet një e ardhme paqësore. Kjo vlen për të gjithë. Por natyrisht edhe këtu në Ballkan. Përse kosovarët si popull, që ka vuajtur shumë, të mos fillojë vetë me zemër dhe arsye këtë diskutim për të siguruar paqen e brendshme? Kjo atëherë do të kishte rëndësi jo vetëm për t'i treguar të tjerëve, por edhe për të qenë vetëkritikë.

Për të diskutuar mbi krimet e tua është më  vështirë, ndërsa të tregosh me gisht të tjerët është më e lehtë. Por vetëm kush është në gjendje të tematizojë dhe të diskutojë për veprimet e veta, është në gjendje të komunikojë me kombet e tjera. Për ta shprehur më thjesht: vetëm në qoftë se ti vetë e ke ndërgjegjen e pastër, mund t'i shohësh të tjerët hapur në sy.

Autor: Mimoza Kelmendi 

Redaktoi: Angjelina Verbica