1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Rasti Kurti është shndërruar në shfaqje teatrale

Zyrtarë të misionit EULEX, thonë se sistemi i drejtësisë në Kosovë ka shumë të meta. Kjo del në pah gjatë tentimit të gjykimit të liderit të lëvizjes vetvendosja Albin Kurti, i cili refuzon të paraqitet në gjykatë.

Rasti Kurti është shndërruar në shfaqje teatrale

Rasti Kurti është shndërruar në shfaqje teatrale

Misioni evropian për polici dhe drejtësi EULEX, nuk është në gjendje të sjellë në gjykatë liderin e lëvizjes "vetvendosja" Albin Kurti, i cili akuzohet për thirrje për rezistencë dhe organizimin e protestave të 10 shkurtit të vitit 2007. Albin Kurti, nuk e njeh misionin EULEX, refuzon të paraqitet në gjykatë sepse gjykimin ndaj tij e cilëson proces të montuar politik. Vetëm brenda një muaji, seanca gjyqësore ndaj Albin Kurtit u shty tre herë sepse asnjë avokat kosovar nuk pranon të mbrojë Kurtin në Gjykatë.

Gjykata e qarkut në Prishtinë ka lëshuar tashmë disa fletarrestime për Albin Kurtin, thotë zëdhënësja e EULEX-it Kristina Herodes. "Gjykatësit kanë lëshuar tri urdhër arrestimesh për Albin Kurtin dhe është detyrë e policisë që të zbatojë këto urdhëra," thotë Kristina Herodes.

Policia e Kosovës, bastisi një javë më parë zyrat e lëvizjes vetvendosja duke kërkuar Albin Kurtin, mirëpo nuk arriti ta arrestojë. Policia nuk jep shpjegime nëse kërkimi për Albin Kurtin vazhdon. Zoti Kurti, nuk fshihet nga policia dhe pothuaj çdo ditë prononcohet në media. Zëdhënësja e misionit EULEX, Kristina Herodes, thotë se të metat që janë duke dalë në pah gjatë këtij gjykimi, tregojnë fatkeqësisht dobësitë e vazhdueshme të institucioneve vendase të sundimit të ligjit.

Në debat edhe parlamenti i Kosovës

Kjo, pas një peticioni të më shumë se 150 mijë qytetarëve, të cilët kërkuan nga parlamenti që të krijojë një komision parlamentar për të hetuar protestat e 10 shkurtit të vitit 2007, ku dy protestues u vranë nga policia e UNMIK-ut. Shumë deputetë, thanë se debati parlamentar për rastin e Albin Kurtit nuk duhet të bëhet sepse kjo mund të cilësohet si ndërhyrje e politikës në sistemin e drejtësisë. Kryetari i kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i tha në një deklaratë të shkurtër DW-së, se debati parlamentar për rastin Kurti është zhvilluar pas kërkesës së qytetarëve të Kosovës. "Gjithnjë ka qenë droja se parlamenti si institucion po ndërhyn në punën e gjykatave. Mendoj se nuk kemi ndërhyrë, por thjesht unë konsideroj se rasti i Albin Kurtit dhe mënyra sesi po zhvillohet procesi gjyqësor, është një teatër që nuk i duhet Kosovës," thotë Jakup Krasniqi.

Nga ana tjetër, Valon Murati, organizatori i nënshkrimit të peticionit në emër të mbi 60 organizatave joqeveritare, të cilat kërkuan që rasti Kurti të debatohet në parlament thotë për programin tonë se, kuvendi i Kosovës është vendi ku nxjerren ligjet dhe ai duhet të monitorojë sistemin e drejtësisë në Kosovë. "Kuvendi i Kosovës është përgjegjës për sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe debati i çështjeve që kanë të bëjnë me drejtësinë është detyrë e kuvendit të Kosovës. Kjo nuk do të thotë se kuvendi po ndërhyn në vendimet e gjyqësorit. Gjyqësori është i pavarur në kuptimin e vendimeve që merr dhe aty nuk duhet të ndikohet", thotë Valon Murati.

Në mbështetje të liderit të levizjes vetvendosja janë edhe 30 organizata joqeveritare nga Shqipëria. Ky rrjet i shoqërisë civile i dërgoi një letër shefit të misionit EULEX në Kosovë, Yves de Kermabon, nga i cili kërkuan që misioni të heqë dorë nga gjykimi i Albin Kurtit, sepse ai është një proces i montuar politik. Sidoqoftë, seanca gjyqësore ndaj Liderit të lëvizjes vetvendosja, Albin Kurti, është shtyrë për datën 28 të këtij muaji.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 20.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/N13H
  • Data 20.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/N13H