1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Rasti Klecka, Fatmir Limaj i lirë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës Fatmir Limaj dhe nëntë ish pjesëtarë të UCK-së akuzoheshin për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës së vitit 1999. Që të gjithë shpallen të pafajshëm.

default

Fatmir Limaj

Deputeti i kuvendit të Kosovës Fatmir Limaj dhe nëntë ish ushtarë të UCK-së, u shpallën të marten me 17.09. të pafajshëm në një proces gjyqësor tashmë të njohur “Kleçka”. Vendimi u muar nga një trup gjykues i misionit EULEX, i kryesuar nga Malkom Simons.

Prokuroria e misionit EULEX kishte akuzuar Fatmir Limajn dhe nëntë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës së vitit 1999.

Vitin e shkuar Gjykata e Qarkut në Prishtinë kishte shpallur të pafajshëm të gjithë të akuzuarit për rastin “Kleçka” dhe në të njëjtën ditë trupi gjykues kishte hedhur poshtë edhe dëshminë e Agim Zogajt, i njohur si dëshmitari "X", mbi të cilin ishte bazuar një pjesë e mirë e provave të prokurorisë. Dëshmitari X ishte gjetur më parë i vdekur në Gjermani.

Mirëpo po ashtu vitin e shkuar Gjykata Supreme e Kosovës kishte marrë vendim, që ta kthejë komplet në rigjykim rastin “Kleçka”.

Misioni EULEX në një deklaratë të shkruar për media bën të ditur se "lënda e prokurorisë mbështetej kryesisht në dëshminë e dëshmitarit të mbrojtur, Agim Zogaj, tani i ndjerë."

“Akuza në këtë rast mbështetet kryesisht mbi dëshmitë e Zogajt, i njohur edhe si Dëshmitari X. Në muajin shtator të vitit 2011 ai kreu vetëvrasje në Gjermani. Për një kohë ai kishte mbajtur ditar, ku kishte shënuar ngjarjet e përfshira në akuzë.

"Trupi gjykues vendosi që dëshmia e tij lidhur me disa çështje të rëndësishme në fjalë, veçanërisht identiteti i personave, për të cilët ai pohon se i kanë kryer veprat, që u ngarkohen, nuk është vërtetuar me dëshmi të besueshme dhe të pavarura dhe ishte në fakt në mospërputhje dhe e kundërshtuar nga dëshmitë tjera."

"Në përgjithësi trupi gjykues vlerësoi se në aspektet e rëndësishme materiale dëshmia e Agim Zogaj ishte tërësisht e pabesueshme dhe se do të ishte e pasigurt që të bazoheshin në të për t'i dënuar të pandehurit për veprat nga aktakuza."

Deputeti Fatmir Limaj menjëherë pas lirimit tha para mediave:

“Shpreh mirënjohje dhe falënderim ndaj të gjithë atyre qytetarëve, të cilët kanë pasur besim në fjalët tona, kanë pasur besim në luftën tonë çlirimtare, kanë pasur besim në drejtësinë tonë dhe në atë, që kemi thënë! Pas një procesi të gjatë shterrues trupit gjykues i shpreh mirënjohje, që mbi bazën e provave dhe fakteve erdhi deri te verdikti, që shpalli të pafajshëm gjithë bashkëluftëtarët dhe mua”, tha Fatmir Limaj.

Ndryshe në nëntor të vitit 2005 Tribunali Ndërkombëtar i Hagës për krime lufte e shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn, i njohur me emrin e luftës, si komandant Çeliku.