1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Rasti i shtetasit gjerman me origjinë libaneze Khaled El Masri në Shqipëri

Qendra për Zhvilim dhe Demokratizim në Shqipëri ka ngritur padi ndaj Ministrisë së Brendëshme dhe asaj të Mbrojtjes. Intervistë me Drejtorin e Qendrës, Ilir Aliaj.

default

Khaled El-Masri përpara marrjes në pyetje nga Komisioni Hetimor i Bundestag-ut për veprimtarinë e Shërbimit Federal Informativ (BND), Berlin më 22 qershor 2006

Shtetasi gjerman, me origjinë libaneze Khaled El Masri para 4 vjetësh u dërgua nga Kandahari/Afganistan në Shqipëri, ku u torturua si i dyshuar për lidhje me organizatat teroriste. Në përpjekje për të zbardhur episodet në Shqipëri të arrestimit dhe torturtimit të shtetasit gjerman Khaled El Masri - Qendra për Zhvilim dhe Demokratizim ka hedhur në gjyq Ministrinë e Brendëshme dhe atë të Mbrojtjes për fshehje të të dhënave dhe shkelje të ligjit për të drejtën e informimit.



DW: Zoti Aliaj çfarë informacioni keni ju për gjithë sa i kanë ndodhur shtetasit gjerman, me origjinë libaneze, Khaled El Masri, dhe sidomos për implikimin e Shqipërisë në rastin e tij, i cili është po hetohet si shkelje flagrante dhe brutale e të drejtave të njeriut?


Ilir Aliaj: Historia e tij filloi para 5 vitesh, në vitin 2003, kur ai gjendej në Maqedoni si turist. Atje Khaled El Masri u arrestua, u burgos dhe u torturua. Autoritetet maqedonase e dërguan më pas në Kandahar, në Afganistan, në burgjet e CIA-s ku u mbajt për një kohë të gjatë duke iu nënshtruar torturave te rënda. Më 24 Maj 2004 atë e sollën nga Kandahari në aeroportin ushtarak të Kuçovës. Të nesërmen, më 25 Maj, në orën 05.00 të mëngjesit u largua nga aeroporti i Rinasit për në Frankfurt, me linjën ajrore "Albanian Airlines". Ne kemi fotokopjen e pasaportës së tij gjermane, ku është vula e aeroportit " Nënë Tereza" të Rinasit dhe data.


DW: Qendra juaj ka paditur në Gjykatën e Tiranës, Ministrinë e Brendëshme dhe atë të Mbrojtjes për refuzim të informacionit gjë që, për ju, përbën thyerje të ligjit për të drejtën e informimit. Çfarë informacioni keni kërkuar për rastin e shtetasit gjerman Khaled El Masrit?

Ilir Aliaj: Kemi kërkuar të dhëna mbi fluturimin nga Kandahari në Kuçovë dhe nga Kuçova në Tiranë dhe më pas në Frankfurt. Kemi kërkuar detaje si p.sh. cili person ka zbritur nga Ministria e Mbrojtjes bashkë me Khaled El Masrin në aeroportin e Kuçovës? Çfarë ka ndodhur me shtetasin gjerman në udhëtimin e tij nga aeroporti ushtarak i Kuçovës në Tiranë, dhe që andej në aeroportin e Rinasit? Këto janë informacionet që kemi kërkuar dhe na janë refuzuar me preteksin se përgjigja e këtyre pyetjeve nuk lidhet me kërkesat tona.


DW: Gjithësesi, zoti Aliaj, keni marrë një përgjigje zyrtare. Me çfarë argumentash Ministria e Brendëshme dhe ajo e Mbrojtjes refuzojnë t´ju japin informacionin që keni kërkuar?


Ilir Aliaj: Ministria e Brendshme na është përgjigjur zyrtarisht duke thënë se posedojnë vetëm një informacion që tregon se shtetasi gjerman Khaled El Masri është larguar nga Shqipëria me linjën " Albanian Airlines" me itinerarin Tiranë- Frankfurt më 29 Maj 2004 dhe se nuk kanë asnjë lloj informacioni tjetër. Kurse Ministria e Mbrojtjes na ka thënë se informacioni që kërkojmë është ushtarak dhe jo civil dhe prandaj nuk ka asnje lidhje me ligjin për të drejtën e informimit


DW: Ju jeni të bindur që e kanë informacionin dhe e fshehin dhe mbi këtë bazë i ngrini padi për moszbatim të ligjit për të drejtën e informimit për një çështje që nuk futet tek informacioni sekret apo i rezervuar. Pse mendoni se e kanë informacionin që i keni kërkuar?


lir Aliaj: Sepse në bazë të ligjeve të Shqipërisë, policia kufitare ka çdo të dhënë për hyrje - daljet e personave në Shqipëri. Policia kufitare nuk na e jep këtë të dhënë. Prandaj jemi të bindur se e kanë informacionin, por nuk duan ta bëjnë publik. E mbajnë të fshehtë. Arësyet? I dinë ata. Por bazuar në ligjin shqiptar për të drejtën e informimit i kemi hedhur në gjyq.


DW: Hetimet për çështjen e Khaled El Masri-t nuk janë mbyllur as në Gjermani, as në Maqedoni. A keni koordinim me organizata simotra të të drejtave të njeriut për këtë çështje?


Ilir Aliaj: Na ka ndihmuar shumë organizata e " Open Society - Justice Initiative" në SHBA që na lidhi me avokatin e Khaled el Masri-it, Manfred Gdinjiçe pëmes të cilit mbaj lidhje me Khaled El Masrin, i cili për fat të keq nuk ka tani një shëndet të mirë mendor, pas gjithë torturave që ka kaluar. Avokati tij, zoti Gdinjiç, i dha Qëndrës sonë një prokurë të posaçme që na jep të drejtën për të marrë të dhënat personale për shtetasin gjerman.

Po, hetimet po vazhdojnë në Gjermani dhe në Maqedoni ku organizata të mbrojtjes së të drejtave të njeriut po përpiqen të zbardhin të gjitha hallkat e zinxhirit të torturimit të një shtetasi gjerman, krejtësisht të pafajshëm. Me këto organizata jam në lidhje të vazhdueshme, pasi edhe ato janë të interesuara për zbardhjen e implikimit të Shqipërisë në këtë çështje, dhe sidomos se çfarë po ndodh me gjyqin. Deri tani seancat janë shtyrë, pasi në gjyq nuk janë paraqitur përfaqësuesit e Ministrisë së Brendëshme dhe asaj të Mbrojtjes. Në fund te këtij muaji kemi seancën e rradhës.


DW: Hetime për rastin e Khaled El Masri-it ka kryer edhe deputeti zviceran Dick Marti. A ka në to të dhëna për episodet në Shqipëri?


Ilir Aliaj: Po ka. Jepen detaje të mbërritjes nga Kandahari në aeroportin ushtarak të Kuçovës, dhe të tjera që tregojnë se fluturimi nuk ishte militar por i kryer nga një kompani ajrore civile për llogari të shërbimeve amerikane, të dhëna që hedhin poshtë pretendimin e Ministrisë së Mbrojtjes për cilësimin e rastit si çështje si ushtarake.

Dick Marti ka kryer një hetim shumë të thellë dhe është ndihmuar nga qendra Operacionale e Trafikut Ajror Evropian për të gjitha fluturimet që janë kryer në datat përkatëse. Nuk e di pse auroritetet shqiptare po ngurojnë për ta dhënë këtë informacion.


DW: Nuk e dini.. Megjithatë a keni arritur të supozoni një shkak, një arësye pse Khaled el Masri u soll nga burgu amerikan i Kandahari pikërisht në Shqipëri, një vend aleat, mik i ngushtë i SHBA-së?


Ilir Aliaj: Shtetasi gjerman Khaled El Masri nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë lidhje me terrorizmin. Ajo që unë hamendësoj është që autoritetet maqedonase, që e arrestuan fililmisht, nuk pranuan që ai të kthehet në Maqedoni. Mendoj se ata e kanë kuptuar gabimin e madh që bënë dhe nuk kanë dashur të përzihen më tej në këtë histori. Janë ameriaknët, nuk jam në gjendje të them se cili insitucion me saktësi, ata që kanë kërkuar ta sjellin në Shqipëri dhe Shqipëria ka pranuar dhe nuk ka refuzuar si Maqedoinia.


DW: Qendra juaj i përket shoqërisë civile dhe është e angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Cili është motivi që ju shtyn t´i shkoni deri në fund zbardhjes së pjesës shqiptare në rastin e shtetasit gjerman Khaled El Masri?


Ilir Aliaj: Pretendojmë që jemi një demokraci në rritje. Nuk është një demokraci e përkryer por ngjarje të tilla nuk duhen lejuar të ndodhin. Për më tepër nga shqiptarët që kanë vuajtur dhunimin e të drejtave të njeriut nga regjimi i kaluar. Ne nuk mund të lejojmë që në Shqipëri një person, cilido qoftë ai, të trajtohet siç u trajtua shtetasi gjerman Khaled El Masri. Aspirojmë integrimin evropian dhe duhet të jemi shumë të ndjeshëm ndaj çështjeve të shkeljes së të drejtave të njeriut.

(VFB)

  • Data 15.01.2009
  • Autor Ani Ruci
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GZHp
  • Data 15.01.2009
  • Autor Ani Ruci
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GZHp